A duhen menaxherë arti në Shqipëri?

“Artistët figurativë kanë vështirësi në gjetjen e tregut, vendi ynë nuk ka ankande as çmime”

 Nga Msc. Pandi Madhi

Rreth dy vite me parë, teksa isha pjesë e organizimit të disa aktiviteteve në fushën e arteve, më lindi ideja për përgatitjen e një cikli leksionesh në fushën e menaxhimit të artit. Kjo ide mu përforcua para më shumë se një viti, kur në mënyrë konkrete fillova të studioj dhe të hyj në fushën e menaxhimit të artit. Prandaj pa asnjë dyshim, pyetjes së titullit, do t’i përgjigjesha me një PO. Kjo për shumë arsye, të cilat do të përpiqem t’i paraqes shkurtimisht.

Një arsye e rëndësishme nga shumë studiues konsiderohet se menaxhimi i artit shërben si një zgjidhje për problemet sociale të shoqërisë. Ka një nevojë për një vizion alternativ dhe plotësues që lejon, vlerëson dhe promovon perspektiva të tjera të vlerave krijuese në menaxhimin e artit.

Përvoja e shumë shteteve vërteton se komunitete të tëra mund të mbështeten vetëm mbi identitetin kulturor të tyre, si një burim të vlerave krijuese. Sidoqoftë, në shumicën e këtyre eksperiencave, kontributet sociale që janë prodhuar nëpërmjet proceseve menaxhuese spontane dhe intuitive, janë të një rëndësie të tejmadhe dhe me impakt për komunitetet respektive. Këto procese, në të cilat është krijuar një vlerë sociale, çojnë në shumë raste në një parakusht për krijimin e një vlere ekonomike.

***

Në kuadër të thellimit të njohurive në fushën e  menaxhimit të artit, duke studiuar disa programe të menaxhimit të artit të universiteteve të njohura në këtë fushë, përgatita një syllabus të lëndës “Menaxhim i arteve të bukura”, të cilin e paraqita në universitetin ku jam pjesë e stafit akademik prej disa vitesh. Por çfarë është menaxhimi artistik dhe një menaxher arti? Përkufizimet për këtë funksion janë të ndryshme, sipas studiuesve të ndryshëm.

Menaxhimi artistik është një fushë që lidhet me operacionet e biznesit të një subjekti artistik. Si rrjedhojë menaxherët e artit janë përgjegjës për lehtësimin e operacioneve të përditshme të subjektit artistik dhe plotësimin e misionit të tij.

Termi “Subjekte artistike” përfshin entitete profesionistësh jo fitimprurëse (teatër, muzeume, orkestra simfonike,  organizata muzikore (xhazi, ëtj), teatër operash, kompani baleti, etj.), si dhe shumë subjekte fitimprurëse të lidhura me artin (për shembull shtëpitë e ankandeve, galeritë e artëve, kompani muzikore, teatro, etj.).

Në këto fusha, përgjegjësitë e një menaxheri të artit mund të përfshijnë menaxhimin e stafit, marketingun, menaxhimin e buxhetit (të ardhurat dhe shpenzimet), marrëdhëniet me publikun, gjetjen e fondeve, zhvillimin dhe vlerësimin e projekteve të ndryshme, si dhe përgatitjen e relacioneve për bordet drejtues të këtyre subjekteve.

Paragrafi i mësipërm paraqet fushën e gjerë të aktivitetit, por dhe shkallën e lartë të profesionalizmit që nevojitet për një menaxher arti.

Fushat e menaxhimit të artit janë të shumëllojshme, që nga artet pamore (figurative), muzika, aktrimi (teatri), filmi, etj.

Dukë ju rikthyer funksioneve të menaxherit të artit, duhen nënvizuar pikërisht elementë të tille si:

-Vlerësimi i artistit, bërjen e tij një brand (një markë)

-Përgatitjen dhe zbatimin e strategjisë së veprimtarisë së artistit.

-Përgatitjen e modeleve  për marketingun dhe reklamën, duke  i realizuar dhe duke i përshtatur me rrethanat dhe kushtet.

-Hartimin e plan biznesit të sipërmarrjes artistikë dhe ndjekjen e zbatimit të këtij plani. Këtu vend të rëndësishëm zënë analizat financiare të veprimtarisë artistikë.

-Marrëdhëniet e punës, si dhe marrëdhëniet me strukturat shtetërore

Të gjithë këto elementë kërkojnë një trajtim të saktë profesional dhe menaxherial, kërkojnë bashkëpunim të ngushtë ndërmjet 2 “palëve” artist-menaxher, të cilët i bashkon qëllimi i përbashkët për maksimizimin e vlerave artistike dhe për rrjedhojë edhe financiare të artistit apo institucionit artistik.

Sipas William Byrnes në librin “Menaxhimi dhe artet”, këto elemente ndërthuren me 4 funksionet, që konkretizohen në:

-Planifikimin- pra, çfarë duhet bërë

-Organizimin- pra, si duhet bërë

-Drejtimin- çfarë duhet të bëjnë personat e përfshirë

-Kontrolli- është realizuar apo jo siç duhet, çfarë duhet bërë me mirë.

Planifikimi mund të jetë procesi më i vështirë, ku vendosen qëllimet, objektivat, afatet (të shkurtra ose të gjata 2-3 vjeçare a më shumë). Subjektet artistike duhet të planifikojnë, sepse bota është në ndryshim konstant. Puna e menaxherit të artit qëndron në faktin që ai duhet të njohë çfarë ndodh në vend dhe vendet rrotull dhe të hartojë grafikun e veprimeve që do të drejtojnë artistin apo institucionin artistik.

Organizimi është një proces i konvertimit të grafikut të veprimeve në veprime konkrete. Dukë marre njerëzit dhe burimet bashkë, përcaktimin e detajeve, krijimin e një skeduli dhe buxhetet, vlerësim i burimeve njerëzore të nevojshme, etj.

Drejtimi, që në gjuhën praktike përkthehet me punën e secilit në grup. Për një menaxher arti, puna me personel të vet motivuar, të pavarur, që i gjen shpesh tek artistët, është një oportunitet unik drejtimi.

Funksioni i 4-t, kontrolli, është i lidhur me monitorimin se si po vijon puna, krahasuar rezultatet me objektivat, për të ndërmarrë veprime konkrete më pas për të korrigjuar situatën.

Të gjitha këto funksione, elemente, tregojnë se  fusha e menaxhimit të artit është shumë e gjerë, e larmishme, që ndryshon vazhdimisht dhe që kërkon efikasitet dhe natyrisht të japë rezultate konkrete produktive.

Sot, në Shqipëri, ka ardhur koha që menaxhimi i tyre të ngrihet në një nivel më të lartë profesional, pasi janë shtuar vështirësitë me mënyrën autodidakte në fushën e menaxhimit të arteve dhe për rrjedhojë të artistëve.

Kështu para disa muajsh realizova një pyetësor me disa artistë të fushës së arteve pamore (të cilën mendoj se e njoh me mirë se artet e tjera, kjo për arsye të trashëgimisë familjare). Nga ky pyetësor rezultoi se:

-Artistët figurativë kanë vështirësi në gjetjen e tregut. Ky treg në shumicën e qyteteve kryesore mungon, por dhe në Tiranë është treg shume i vogël. Ky treg funksionon më së shumti në disa galeri të vogla private, ku çmimet e veprave të artit janë përgjithësisht të ulta.

– Në Shqipëri mungojnë institucionet e vlerësimit financiar të veprave të artit skenik, artit muzikor, artit pamor. Mekanizmi kërkesë-ofertë-vlerë pothuaj mungon tërësisht. Kjo ka vështirësuar dhe vështirëson vendosjen e çmimeve reale të veprave mbi bazën e cilësisë artistikë.

– Në veçanti për artin pamor mungon organizimi profesional i ankandeve të specializuara (nëpërmjet të cilave evidentohet çmimi i veprave të artit), në bashkëpunim me shtëpi të huaja ankandesh dhe me pjesëmarrje të koleksionistëve të huaj.

– Shteti bën pak ose aspak për promovimin e veprave të artit, si nëpërmjet organizimit të ekspozitave apo panaireve të artit, por edhe nëpërmjet blerjes së një pjesë të veprave të artit për institucionet shtetërore dhe publike, muret e të cilave pothuaj janë bosh.

-Cilësia e materialeve artistikë le për të dëshiruar, sepse i tillë është tregu, që kërkon materiale me çmime të ulta, rrjedhimisht cilësi e ulët.

Ndërsa, në rastin e një prej aktorëve më të mirë aktuale të botës se ekranit dhe të skenës shqiptare; bashkë me një menaxher të mirëfilltë (jo arti, por biznesi) sugjeruam se si duhej të rriteshin të ardhurat e këtij artisti, gjithmonë nëpërmjet shitjes së “produktit” që prodhonte. Ky produkt lidhet me shfaqjet, ku aktori ishte protagonist i vetëm, apo dhe kryesor. Po kështu dhe promovimi i shfaqjeve të reja teatrale, nëpërmjet sensibilizimit të bizneseve që mund të ofronin bashkëpunim, sponsorizime, etj.

Është e kuptueshme që këto çështje nuk mund të zgjidhen për disa orë, por kërkojnë angazhim, përkushtim, analiza, për të cilat nevojitet një kohe e caktuar që mund të jenë ditë e jave të tëra. Në këtë rast, aktori i mirënjohur pati mbështetje nga disa biznese për shfaqjen, e cila u realizua me shumë sukses.

Po kështu për një kohë relativisht të shkurtër u hodhën baza për shitjen e produkteve të tjera, procese të cilat vijojnë edhe sot.

Gjithmonë kujtoj thënien e një prej këngëtarëve më të njohur të muzikës pop në Ballkan, i cili u shpreh se me aktivitetin e tij artistik merreshin dy menaxherë, të cilët organizonin gjithçka. Ndërsa këngëtari informohej për çdo detaj dhe merrej vetëm me koncertin, procese këto që lehtësonin aktivitetin artistik të këngëtarit.

Prania e menaxherit të artit pranë artistit, apo institucionit artistik është një kosto për ta, që mund të shkojë në shumë raste 10, 20, apo 35 % e të ardhurave të realizuara, por përfitimet financiare nga prania e një menaxheri profesionist në shumë raste e tejkalojnë këtë “pengesë”, apo tarifë, si shpenzim i arsyeshëm i artistit ndaj menaxherit.

Prandaj mendoj se ka ardhur koha e përgatitjes së menaxherëve të arteve të bukura, të cilët do të ndikojnë dhe në rritjen e cilësisë artistike. Pra ‘PO’ këtij profesioni të rëndësishëm, që ka ndikimin e vet në jetën shpirtërore të publikut në tërësi.

Gazeta Shqiptare