A do të ndahet Shqipëria me rajone? Mazniku në Top Story: – Do të ketë ndryshime të forta, brenda muajit korrik…

Mazniku
13 Janar 2026
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbër Mazniku, shpjegoi në Top Story se çfarë propozon Partia Socialiste për Reformën e re Territoriale që ka të bëjë me rishikimin e ndarjes administrative të vendit dhe funksioneve të pushtetit vendor.
Sipas ministrit Arbër Mazniku, thelbi lidhet me ndarjen më të qartë të kompetencave dhe rritjen e kapaciteteve për planifikim dhe zhvillim.
Mazniku theksoi se shumë bashki të vogla përballen me mungesë specialistësh, çka e bën të vështirë ofrimin e disa shërbimeve thelbësore, sidomos në fushën e planifikimit urban. Për këtë arsye, një nga opsionet në diskutim është ndarja e vendit në rajone dhe riorganizimi i funksioneve mes niveleve të pushtetit vendor.
“Që të marrësh një shërbim duhet të ketë një seri planifikimesh më pas. Problemi është që mirëmbajtja e rrugëve, p.sh., ndodh edhe në bashki të vogla, kurse planifikimin urban nuk e bën dot një bashki e vogël që nuk ka 2 arkitektë dhe 3 urbanistë. Nëse nisemi nga kompetencat, mund të gjejmë zgjidhje të mira. Një gjë e mirë për të parë është të shohim nga kemi ardhur.
Pyetja është: A bëjmë dot më shumë bashki? Në Shqipëri janë 60 qytete; po të bëjmë një bashki tjetër, s’kemi qytet, zonë urbane. Çdo tentativë për ta rritur numrin do të krijonte një hapësirë pa qytet, pa shërbime, arkitekt, jurist, dentist, noter. Të ndahet funksioni në nivele të ndryshme, të ndajmë kompetencat mes bashkive dhe njësive administrative. Po të mos ishte bërë reforma e 2014-ës, nuk do të kishim Korçën, Gjirokastrën apo Lezhën me turistë. Ne duhet ta ndajmë Shqipërinë në rajone. Në korrikun e 2026-ës do të miratohet reforma territoriale në Parlament”, u shpreh Mazniku në Top Story.
