Koleksioni i famshëm i artit i familjes Durazzo

Luan Rama

Familja “Durazzo” e një emigranti shqiptar që la Durrësin ne vitin 1389 dhe u nis drejt aventurës, e cila nxorri 9 dozhë (presidentë) të Republikës gjenoveze, 30 ambasadorë e konsuj, shumë e shumë senatorë, dy kardinalë të famshëm, njerëz të artit e të letërsisë, jezuitë të njohur në botën e dorëshkrimeve, etj, u bë ndër më të njohura në metropolet europiane. Një pinjoll i kësaj familje ishte dhe Giacomo Durazzo, një nga mecenët e artit, ish ambasador dhe drejtor i Teatrove Imperiale të Vjenës, parat ê cilit do ë jepte koncert nê Venecie dhe djaloshi i ri i quajtur Mozart. Gjithë këta njerëz të mëdhenj ishin dhe amatorë të famshëm të artit, veçanërisht pikturës, skulpturës e librave të rrallë, të cilat zbukuronin pallatet e tyre jo vetëm në Gjenova por edhe gjetkë.

Më 1719, siç shkruhet në „Atti di Societa Storia e Patria“, Durazzo-t kishin si konsulent të tyre për blerjen e veprave të artit një piktor të njohur, Paolo Gerolamo Piola dhe se nga një vizitë në Bologna e Firenze ata ishin kthyer me disa vepra të Guido Reni-t dhe të Veronese-s. Disa vite më vonë, më 1724 ata blenë në Madrid një vepër të Rubens, që kishte qenë pronë e Filippi IV dhe një Madalena të Tiziano-s. Ata vazhdimisht investonin në pasurimin e koleksionit të tyre të veprave të artit duke u dalluar ndër gjithë fisnikët e tjerë gjenovezë.

Në Revistën e Muzeumeve të Italisë (Revue des Musées d’Italie, Catalogue raisoné des peintures et des sculptures…) historiani i artit André Lavice, i bën një përshkrim të hollësishëm veprave të artit që ishin në Galerinë Durazzo në atë kohë. Ja çfarë shkruan ai, duke rradhitur autorët e ndryshëm sipas emrit alfabetik dhe veprave të tyre që ishin në Galerinë Durazzo: – Amerighi (Michelangelo) i mbiquajtur Caravaggio – Psyché një figurë e shtrirë pranë Dashurisë dhe që fle në gjirin e saj. Në të djathtë, në hije, duket një Faune që vështron duke qeshur.

Balli dhe sytë e Psyché-së janë gjithashtu në hije, ndërsa pjesa tjetër është e ndriçuar mirë; – Badigalopo (Giuseppe) – Gjashtë figura historike; – Barbieri (Giovanni Francesco) i mbiquajtur Guerchin – Monedha e Cesar- it, një tablo e mrekullueshme, por mjerisht disi e dëmtuar. Po ta krahasosh me atë të Van Dyck, figura e Krishtit është më pak e bukur, por personazhet e dyta janë të pikturuara mjaft mirë. – Shpëtimtari që i shfaqet nënës së tij pas ringjalljes dhe që përkulet te Maria, në gjunjë. Pas tij duket një apostull që mban Kryqin e Pasionit. Majtas, në qiell, endet një ëngjëll. – Bonacorsi (Piero), i mbiquajtur Pierino del Vaga – Virgjëresha që ushqen Jezunë. – Boni – Akili, të cilin Thétis ia beson Centaurit. Fëmija që përqafon nënën gjithë afsh. Nimfa dhe centaurë. – Caliari (Paolo), i mbiquajtur Veronese – Martesa e Katerinës, një tablo e vogël dhe disi e dëmtuar. – Caulasi (Guido), i mbiquajtur Cagnacci – Akili midis grave të Lycomede. Ka një veshje femrash dhe tund shpatën në ajër. Uliksi i veshur si tregëtar me një arkë të hapur para tij plot gjerdanë, si dhe i rrethuar nga shumë kureshtarë. – Cantarini (Simone), nga Pesaro – Udhëtimi në Egjipt, Maria ka një kapele kashte në kokë dhe anash barinj, ku njëri prej tyre prin delet. – Carracci – Ecce Homo, Jezuja me kurorën me gjemba dhe një pallto të kuqe; – Castello (Valere) – Engjëjt që kanë shkuar te Abrahami.

Patriarku u sjell miqve një pjatë në tavolinë. Sara duket në sfond; – Castiglione (Benedetto), i mbiquajtur Greghetto – Agar dhe Ismaili. Nëna që ka ngritur vellon që mbulon të birin, tek klith dhe kthehet me ankth nga engjëlli që po vjen djathtas; – Dyck (Antoine van) – Portret burri i veshur me të zeza. – I riu Tobie që mban peshkun, i ndjekur nga qeni i tij. Në ajër duket ëngjëlli. – Portret i një fëmje i veshur me mëndafsh të bardhë dhe që mbështetet te një karrige. Në tokë duken fruta. – Dy djem dhe një vajzë në mes. Fëmijë të këndshëm. – Portret i një bjonde të bukur, e ulur. Një dorë e saj është mbi kokë ndërsa tjetra mbështetet mbi një nga fëmijët, i cili është në këmbë pranë saj. – Ferrari (Gaudenzio) – Madona me fëmijën. – Franceschini (Paolo) – Thétis që hedh fëmijën e vet në Styx, duke e kapur nga thembra. Nimfa përreth. – Langetti, gjenovez – Shën Pjetri në burg, i ulur me trupin dhe profilin e ndriçuar mirë. Një grua pranë tij është në këmbë dhe duket se i numuron ditët që i kanë mbetur për të jetuar. Prapa, gardiani duket në hije. – Vetvrasja e Ameleck. Ai është i shtrirë përtokë me një kurorë në kokë.

Një ushtar mban në dorë një thikë që sapo e ka tërhequr nga plaga e tij e madhe, të cilën po e shikon një plak. – Urimi i Jakobit. – Lotti (Charles) – Jakobi me rrobat e përgjakura të Jozefit. – Merighi (Francesco) – Vdekja e Akilit. Ai është me mjekër. Një njeri që mban një hark dhe një grua, vështrojnë trupin e shtrirë në tokë. – Monti , bolonjez – Akili që tërheq trupin e Hektorit. – Moroni – Portret i plakut, i cili është me mjekër të bardhë dhe me pallto të zezë. – Pellegrini (Antonio), venecian – Betimi i Gertrudës, nëna e Hamletit, një grua ende e re dhe në plan të parë. – Piola (Domenico) – Fëmijë. – Procaccini (Julio Cesare) – Gruaja adultere. Fajtorja është e tmerruar para Krishtit dhe ithtarëve të tij. – Reni (Guido) – Mëshirë romane. Vajza e lumtur që po mban të gjallë të atin. – Shën Eustache, i cili është në gjunjë mes kalit dhe qenit të tij. Rreze drite në qiell dhe majtas një engjëll. – Shën Jeronimi që shkruan.

Një nga mënyrat e para të pikturimit të Caravaggios. – Vestale, një grua, koka e së cilës, gjysma është e mbuluar me një vello deri te sytë. – Kleopatra, një kokë e bukur dhe me një trup në një reliev të mrekullueshëm. – Porcia. – Fëmijë i shtrirë anash; – Ribera (Josef) – Shën Jaku me shkopin e gjatë, me një mjekër të zezë dhe një dritë të mrekullueshme. – Një filozof, një plak i thatë me supin dhe gjysmën e trupit të xhveshur. – Demokriti. Ai qesh duke treguar me gisht një vend në glob. – Herakliti, i cili bën të njëjtin xhest me gisht dhe që qan. – Shën Jeronimi. – Rigaud (Hyacinthe) – Portret i Ipolitto Durazzo, si një kalorës simpatik dhe veshje mbrojtëse, si dhe me një kapele të gjerë si ajo e Louis XIV. – Riobusti (Jacopo), i mbiquajtur Tintoretto – Portret i bukur i Agostino Durazzo. – Rubens (Pierre Paul) – Portreti i tij me rroba të zeza dhe një kapele të gjerë. – Portret i Filippe IV në këmbë. – Strozzi (Bernardo), i mbiquajtur Cappuccino – Peshkopi, një figurë në këmbë, me mustaqe të zeza dhe pa kapele, më shumë një figurë ushtaraku sesa besimtari të devotshëm. – Vannucchi (Andrea), i mbiquajtur Del Sarto – Madona, një tablo e vogël dhe e rrumbullaktë, ku nëna dhe fëmija janë pikturuar shumë bukur. – Vecchia (Piero) – Krishti dhe dy xhelatët. – Vecellio Tiziano, i mbiquajtur Tiziano – Madalena, me flokë të gjata mbi gjinjtë e saj të xhveshur. – Cérès me Bachus, një nimfë si dhe Dashuria. – Shkolla veneziane – Davidi duke marrë bekimin e Zotit nga dora e Samuelit. Davidi është shumë i ri. – Zampieri (Domenico) – Vdekja e Adonis. – Shën Sabastiani, i lidhur pas një peme. – Zanchi (Antonio) – Sakrifica e Jeffe, i cili është i xhveshur dhe duarlidhur. Mbreti e ka kapur për flokësh. – Zanetti (Domenico) – Akili që merr nga duart e Thétis armët për tu hakmarrë ndaj vdekjes së Patroklit.