14 Shkurt 2023

Tërmeti i frikshëm i rënë në Turqi ka marrë jetën e 73 shqiptarëve, që jetonin në zonën e Kahramanmaras së Turqisë dhe në Hatay. Ky numër është konfirmuar nga ana e Kryetarit të Shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve, Evren Kaya.

Kaya shprehet se deri më tani vetëm një familje shqiptare ka arritur të dalë e gjallë nga rrënojat, teksa lëshon kritika për Ambasadën e Kosovës në Turqi, me argumentin se nuk po i ndihmon sa duhet të prekurit nga tërmeti.

“Në Kahramanmaras 70 veta kanë vdekur. Edhe në Hatay, tre persona shqiptarë kanë vdekur. Aty i kam pa në ‘Facebook’ edhe çfarë kam dëgjuar, po ju tregoj… Tani për ushqim nuk është problem, por për tu ngrohur, se është ftohtë shumë. Stufat (ngrohëset) po i dërgon shteti nga mundet, disa nuk po njoftohen dot dhe ne po u ndihmojmë sa mundemi”, tha fillimisht ai.

Ai shton se shumë shqiptarë dhe jo vetëm kanë frikë të madhe të rikthehen në shtëpitë e tyre, pasi i druhen përsëritjes së një tërmeti të ngjashëm. “Ambasada neve nuk na ka kërkuar hiç. Telefon nuk na ka bërë hiç prej Kosovës.

Se di për karrige është ardhur apo për çfarë ka ardhur në Turqi, nuk po e di. Ky ambasadori hiç nuk më ka kërkuar, vetëm Avni Spahiu, Bekim Sejdiu, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxherri dhe krejt ata që janë kryetarë”, shprehet ai.

Më tej, Kaya shprehet se deri më tani vetëm një familje shqiptare është nxjerrë e gjallë nga gërmadhat. “Vetëm një person me familje ka shpëtuar prej ndërtesës, ka dalë gjallë, me katër persona ka dalë…

Edhe ai është në fshatin tonë për momentin, sapo nis ta pyes për diçka, nis të qajë, se i ka vdekur fqinji”, përfundon ai. Nga tërmeti prej 7.8 ballësh në Turqi deri më tani kanë humbur jetën mbi 37 mijë persona, teksa qindra ekipe shpëtimi vijojnë kërkimet për të gjallë nën rrënoja.

Gazeta Shqip