25 Qershor 2025

Të paktën 21 persona janë vrarë dhe rreth 150 të tjerë janë plagosur në Rripin e Gazës në orët e para të mëngjesit të së martës, ndërsa prisnin ndihma humanitare në një pikë shpërndarjeje në qendër të territorit palestinez.

Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, Agjencia e Mbrojtjes Civile e Gazës ka akuzuar forcat izraelite për hapje zjarri ndaj civilëve të tubuar pranë ndihmave. Zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Basal, deklaroi se viktimat u shënjestruan nga plumba dhe predha tankesh në një akt që ai e cilësoi si të qëllimshëm dhe të rëndë.

“Forcat pushtuese izraelite kanë qëlluar mbi qytetarë që prisnin ndihmë, duke shkaktuar një masakër të re në Rripin qendror të Gazës,” – tha Basal për AFP.

Ende nuk ka një reagim zyrtar nga ushtria izraelite lidhur me këtë incident, ndërsa situata humanitare në Gaza vazhdon të jetë kritike mes mungesës së ushqimit, ujit dhe ndihmave mjekësore.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë përsëritur thirrjet për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj civilëve dhe garantimin e aksesit të sigurt për ndihmat humanitare në të gjithë territorin e Gazës.