 
			“18 prokurorë janë kërcënuar”, drejtuesja e KLP në Parlament, zbulon kur do të zgjidhet kreu i BKH

Mirela Bogdani
30 Tetor 2025
Mirela Bogdani, kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë është pyetur në parlament për sigurinë e prokurorëve dhe për herë të parë tregoi numrin e njerëzve të akuzës, që kanë kërkuar mbrojtje për veten dhe familjen.
“18 prokurorë janë kërcënuar. Në mbrojtje me familjet janë 11 prokurorë”, u shpreh ajo.
Zonja Bogdani u pyet nga deputeti Xhelal Mziu të tregonte raste specifike kërcënimi prokurorësh, përfshi kërcënime të mundshme në adresë të prokurorit të SPAK Dritan Prençi.
“Nuk kam informacione për kërcënime. Nuk kemi informacione nga zoti Prençi. Do të thotë nuk ka ndonjë presion’, deklaroi ajo.
Numri një i KLP-s është pyetur edhe për ecurinë e zgjedhjes të kreut të ri të SPAK.
“Lidhur me mundësinë nëse mund të kolapsohet puna e SPAK, të gjithë prokurorët brenda SPAK apo jo, janë gati për të mbrojtur interesin publik pavarësisht strukturës ku shërbejnë. Nuk mendoj se mund të shkojë puna në kolaps”, tha Bogdani.
Mirela Bogdani pranoi përpara parlamentit vonesat në procesin e zgjedhjes së kreut të BKH-s, megjithatë tregoi datën se kur do të jenë në zyrë pasuesi Aida Hajnajt.
“Për shkak verifikime disi të zgjatura besohet rreth datës 10 nëntor të finalizohet procesi’, pohoi zonja Bogdani.
“A keni pasur informacione për ndërhyrje në zgjedhjen e kreut të SPAK dhe atë të BKH-s, në anëtarë të caktuar për BKH dhe SPAK”, ishte një tjetër pyetje.
Zonja Bogdani tha se “nuk ka kërcënime apo influenca për këto dy procese”.
Gazeta Dita

