14 fshatra jetimë të braktisur, në prehër të malit të Tomorrit. –

Aq drithëra buke sa prodhoheshin në atë zonë malore kodrinore, nuk merren tani në tërë fushën e Beratit. Ketu vinte Adil Çarçani e Themije Thomaj. … etj

Në pjesën perëndimore, në prehër të malit të Tomorrit, ndodhen sup më sup 14 fshatra, duke filluar që nga Kapinova e gjer në Dardhë  e Qafë- Dardhë, me rreth 1600 familje dhe 6500 banorë. Për t’u ngjitur e njohur me këtë krahinë, lë pas Beratin, merr rrugën për të shkuar në  Çorovodë, pas 7-8 kilometër kthen majtas. Distancat ndërmjet fshatrave e lagjeve, parkut kombëtar dhe kalasë me histori mijëra vjeçare, nuk janë më tepër se 1.5- 2 kilometra.

Por ish rrugët, tashmë s’janë më rrugë. Pellgje dhe llum në dimër, gropa dhe pluhur në behar.Para viteve 90’ këto rrugë qenë të shtruara me çakull të imët dhe mirëmbaheshin nga shteti me punëtorë të përhershëm. Përveç rrugës, në këtë krahinë, u shërbenin banorëve edhe tri qëndra shëndetësore me mjekë, mami e infermier 24 në 24 orë. U ndërtuan tre rezervuar ujrëmbledhës dhe kanale për ujitjen e bimëve. Tokat punoheshin me  traktorë, makina shirëse dhe autokombajna. Në çdo fshat kishte vatra kulture të mbushura me libra.

Tani, në  këto vitet tona, kur thamë se vdiq socializmi, u ngjall demokracia, gjithçka e ndërtuar me djersën dhe gjakun e popullit shkoi për dhjamë qeni…edhe rrugët, edhe qëndrat shëndetësore, edhe kanalet  për ujitjen e tokave, edhe vatrat e kulturës e aktivitetet artistike. Kanë mbetur rezervuarët të mbushur plot me ujë dimër dhe behar, të cilët janë jashtë kontrollit. Zot na ruaj nëse çahen digat e tyre (dukuri të pritshme këto)!Do përjetojmë kushedi sa shtëpi dhe banorë të mbytur…

Këto investime atë kohë të shkuar dhanë frutet e veta. Aq drithëra buke sa prodhoheshin në atë zonë malore kodrinore, nuk merren tani në tërë fushën e Beratit. Edhe të ardhurat për frymë e ditë punë barazoheshin me ato të kooperativave më të dalluara të fushës. Natyrisht merita kryesore për rezultatetë mira ishte e vendalinjve. Ata janë  dalluar e dallohen edhe si punëdashës edhe si nikoqirë të zotë.

Për t’u njohur me këta banorë, ngjituni edhe juve “ të nderuar” udhëheqës të këtyre viteve të demokracisë. Pini një kafe, hani  edhe një drekë me kulaç gruri..  Ngjituni, por mos u zemëroni kur të dëgjoni:- Kur erdhi Adil Çarçani, kur vinte Themije Thomaj, kur vinin…Kur bënin takim  deputetët fshat me fshat për çdo 6-7 muaj. Mos u zemëroni kur të dëgjoni nga banorët se tani deputetet vijnë në qëndër të krahinës një herë në tre katër vjet në fushatat për zgjedhje. Takime qesharake dhe të bezdisura.

VDIQ DIKTATURA, U NGJALL DEMOKRACIA!

Mirë objekte të reja nuk u ndërtuan, as fabrika e uzina, as qëndra shëndetësore dhe rezervuar e kanale përujitjen e bimëve, as rrugë e mekanikë bujqësore, as… Por me ato që gjetën të gatshme ç’dreqin patën?

. Që të gjithë banorët pa asnjë përjashtim, të varfër dhe më të pasur kanë paguar energjinë elektrike që kur janë ndezur llambat e para dhe sot e këtyre ditëve. Që të gjithë banorët kanë paguar ujin e pijshëm. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe ata pak dyqanxhinjë për pagimin e taksave e të tatimeve.

Jo vetëm kaq, por ndoshta nuk do të besohet fakti që këta banorë kanë mbetur të pastër, të pa infektuar nga fenomeni tepër shqetësues jo vetëm për vendin tonë por edhe për botën, sikurse është mbjellja dhe përdorimi i drogave. Në këto 28 vjet, ( më parë jo se jo)  në asnjë fshat e familje nuk është mbjellë asnjë rrënjë kanabis ose të jenë përdorur droga të llojeve të tjera. Ndoshta do jetë e vetmja krahinë në tërë Shqipërinë që nuk është nakatosur me këto ndyrësira. Mbase do gjenden individ që të thonë:- Banorët e kësaj krahinë qënkan frikacakë, qësjanë të zotë, që pranojnë të mbeten të varfër,që…

E vërteta është se këta banorë të kësaj krahine nuk janë më të varfër se të krahinave të tjera. Ata me punë e mënçuri mbjellin dhe vjelin drithëra për bukë, fruta e perime, vreshta e ullishte për vete dhe për treg. Djemtë dhe vajzat i kanë në shtëpitë e veta. Nuk gjendet asnjëri prej tyre nëpër burgje. Nuk ka patur dhe nuk ka sherre dhe shamata që të kenë çuar në marrjen e jetëve. Po, është e vërtet se disa djem, më pak se gjetihu ndodhen emigrantë nëpër botë. Por edhe këta, me paret që kanë  fituar atje po investojnë, në vendlindjen e tyre.

Nga: Safet Kuqi.