29 Prill 2026

Një bisedë telefonike miqësore dhe profesionale, që zgjati mbi 1 orë e gjysmë, zhvilluan të mërkurën presidenti amerikan Donald Trump me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Sipas njoftimit nga Kremlini, biseda u përqendrua në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Iran, si dhe në luftën në Ukrainë.

Në lidhje me Iranin, presidenti rus paraqiti ide për programin bërthamor të vendit dhe shprehu mbështetjen e tij për vendimin e Trump për të zgjatur armëpushimin me Iranin.

Megjithatë, Putin paralajmëroi homologun amerikan se parashikon “pasoja jashtëzakonisht shkatërruese” nëse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli rikthehen në veprime ushtarake në Lindjen e Mesme.

Nga ana e tij, gjithmonë sipas Kremlinit, Trump beson se një marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë është afër.

Putin propozoi gjithashtu një armëpushim në Ukrainë me rastin e Ditës së Fitores, më 9 maj, ide që u mbështet nga Trump. Kujtojmë se një armëpushim prej një dite e gjysmë  u zbatua edhe për Pashkët, më 12 prill. Megjithatë, ai akuzoi Ukrainën se përdor “metoda qartësisht terroriste” në sulmet ndaj objektivave civile.

Interes paraqet edhe referimi i Kremlinit për “sjelljen e qeverisë nën Volodymyr Zelensky”, ku thuhet se të dy liderët ndajnë qëndrime të ngjashme mbi qasjen e Kievit, e cila sipas tyre e zgjat konfliktin.

Në fund, Putin dënoi ashpër atentatin ndaj Trump, të ndodhur të shtunën e kaluar.