Sejfulla Malëshova: – Si e dua Shqipërinë…

Sejfulla Malëshova
29 Prill 2026
Sejfulla Malëshova mbylli sytë në vetmi në një spital të Fierit më 1971, në moshën 71 vjeçare. Jeta e tij ishte një kalvar i pafund përpjekjesh, për të cilat e meriton të kujtohet.
Sejfulla Malëshova (Lame Kodra) u lind më 19 korrik 1900 në fshatin Limar të Malëshovës së Përmetit. Mësimet e mesme i vazhdoi në Kolegjin Shën Mitër Korona të Italisë, ku ka dhënë mësim Jeronim de Rad
Pastaj vazhdoi universitetin në Romë, Fakultetin e Mjekësisë, për të përfunduar në Moskë, ku mbaroi për filozofi në Universitetin “Lomonosov”. U mbajt aty pedagog dhe më pas mori postin e dekanit.
Edhe pse i ri në moshë, u bë një emër shumë i njohur. Dy nga mjeshtrit e mëdhenj të gjuhës shqipe, Faik Konica dhe Fan Noli, e konsiderojnë Lame Kodrën (emri letrar i Sejfullait) si bashkëpunëtor të radhës së parë.
Botimet shqiptare, si në Itali ashtu edhe ato të Federatës “Vatra” në Amerikë, dëshmojnë inteligjencën e mprehtë dhe për ndjenjat e kulluara të patriotizmit të Malëshovës. Noli, e mori në kabinetin e tij qeveritar si kryesekretar.
Së bashku me Avni Rustemin, dhe me intelektualë të tjerë përparimtarë të asaj kohe, Malëshova doli në paraskenën e politikës shqiptare kur ishte vetëm 23 vjeç.
Në dhjetor 1924, siç dihet edhe nga historia, Ahmet Zogu, i ndihmuar nga forcat serbe dhe ato bjellogardiste, rrëzoi me dhunë qeverinë e Fan Nolit. Malëshova emigroi. Vazhdoi të angazhohej në Itali, Austri, Francë dhe në kuadrin e Kominternit, me shkrime dhe qëndrime publike.
Në mungesë të të dhënave burimore nga shumëkush është menduar se poeti Sejfulla Maleshova, i njohur me pseudonimin letrar, Lame Kodra, gjatë kohës së persekutimit e kish braktisur poezinë. Kjo arsyetohej me kushtet e rënda qytetare dhe shpirtërore që iu krijuan pas vendosjes së komunizmit.
Por ashtu si Noli, edhe Maleshova do të krijonte kryesisht në momente të caktuara, të diktuara nga rrethana social-politike, por kjo praktikë krijuese lidhej dhe me kërkesat e larta që kish ndaj poezisë së tij. Kështu shpjegohet që poeti sa qe gjallë botoi vetëm një libër, vëllimin poetik “Vjersha” (1945) me 21 poezi, ndërsa vjersha të tjera mbetën të shpërndara në organet e shtypit të viteve 20-40, të cilat të marra të gjitha së bashku nuk i kapërcejnë pesëdhjetë.
Lame Kodra
SI E DUA SHQIPËRINË*
S’kam çiflig e s’kam pallate,
S ’kam dyqan me katër kate
Por e dua Shqipërinë
Për një stan në Trebeshinë,
Per një shkarpë e për një gur
Për kasollen mi Selishte
Për dy ara në Zallishte
Për një lopë e një gomar,
Për një Balo, një manar.
Për tërfilin mi lëndinë,
Për një vajzë gjeraqinë,
Dhe për ujët që buron
Nga një shkëmb e gurgullon
Nëpër lisat gjethe-shumë,
Edhe zbret përposh në lumë.
Unë e dua Shqipërinë
Për një zok që fluturon,
Për bilbilin që këndon
N’ato ferra, n’ato hije
Këngë malli, dashurie.
Unë e dua Shqipërinë
Ku del bujku që me natë
Me parmëndë edhe me shatë,
Mbjell e korr me diell e hënë
Dhe nuk ka bukë për të ngrënë
Ku nallbani, samarxhiu,
Krrusen ditë e krrusen natë,
Që të hanë bukën thatë
Ku hamalli nëpër skela
Ngarkon hekur e varela,
Këmbë-zbathur, bythë çjerrë
Punon vetëm për të tjerë.
Unë e dua Shqipërinë
Që nga Shkupi në Janinë,
Ku një popull derë-zi
Heq e vuan robëri,
Po ka shpirtin luftëtar.
Unë e dua Shqipërinë
Si një revolucionar…
—-
Kjo poezi e botuar sot në DITA është shkruar më 1939 dhe botuar për herë të patë në vitin 1941 në gazetën “Liria” në Amerikë. Është ribotuar në “Vjersha” në 1945 dhe 1946
