Zbulohen shifrat e marreveshjes se Bertonit me Partizanin

Zbulohen shifrat e marrëveshjes së Bertonit me Partizanin

Partizani ka gjetur organizatorin pas largimit të Filipe Gomesit dhe ai vjen sërish nga kampionati italian. Luka Bertoni është prezantuar dje nga klubi i kuq, pa praninë e mediave dhe ka dalë menjëherë në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës, por nuk është në listë për ndeshjen ndaj Ferencvaroshit. 24-vjeçari, nga i cili pritet shumë, ka qenë pjesë e skuadrës Sudtirol që merr pjesë në Lega Pro në kampionatin italian.

luka bertoni

Megjithatë, trajneri Sormani ka bindje se lojtari do të jetë një pikë kyçe në formacionin e ekipit të tij. Lojtari ka firmosur për një vit me të kuqtë në formë huazimi, pasi kartoni i tij do vazhdojë të jetë në pronësi të skuadrës italiane. Ndërkohë, burime pranë klubit kryeqytetas kanë bërë me dije se futbollisti do të përfitojë rreth 60 mijë euro, ose 6 mijë euro në muaj. Një shifër e tillë është disi e majme, duke qenë se lojtari edhe në kampionatin italian nuk ka luajtur në nivele të larta. Gjithsesi, te të kuqtë kanë shumë shpresa sa i takon lojës që ai do të tregojë në fushën e blertë.

luka bertoni

Kontrata

Duke parë moshën e re që ka lojtari, Partizani po mendon edhe për të ardhmen. Në marrëveshjen që është arritur me klubin e Sudtirol, ka një klauzolë për shitjen e kartonit të tij te të kuqtë në rast se ai do të bindë me paraqitjet e tij. Gjithsesi, do të mbetet për t'u parë forma e futbollistit, edhe pse trajneri Sormani ka thënë se ai ka përdorim të mirë topi. Bertoni ka qenë pjesë e akademisë së Milanit, ndërsa te Partizani pritet që t'i japë fantazi mesfushës, e cila duhet thënë se ka munguar pas largimit të Gomes.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama