Xhuvanet hera e fundit bashke

Xhuvanët, hera e fundit bashkë
Një ditë para premierës në Shqipëri, 4 nëntor 2009, filmi "Lindje - Perëndim - Lindje" i regjisorit Gjergj Xhuvani shfaqet për mediat, sot ora 10, kinema Millenium dhe pas saj ka një konferencë për shtyp.

I mungon kësaj ngjarje, një nga tre autorët e skenarit, bashkëpunëtori i hershëm i Gjergjit, babai i tij, Dhimitër Xhuvani që ndërroi jetë para pak kohësh. Me siguri kanë për të vënë buzën në gaz ata që njohin stilin e Xhuvanit shkrimtar, kur të ndjejnë humor dhe sarkazëm në situatë të tendosura dhe dramatike.

Ky kombinim i zhanreve që ndihet qoftë tek "I dashur Armik" 2005, qoftë tek "Slogans" 2001 (Çmimi i Rinisë në seksionin La Quinzaine des Realisateurs, Kanë 2001) e ka burimin sidomos tek ngjarjet reale dhe mbajtjen e tyre në tone realiste.

Është karakteristikë për pjesën e dytë të krijimtarisë së Xhuvani birit, nëse do të klasifikonim pjesë të parë grupin e filmave të shkurtër dhe një të gjatë (dramatikë) ku futen "E diela e fundit" 1992, "Një ditë nga një jetë" 1993, "Dashuria e fundit" 1994, "Funeral Business" 1998.

Për nga karakteri kronologjik i temave, nëse "Slogans" është një histori prej një faze të egër të diktaturës në Shqipërinë e viteve '70-80, "Lindje - Perëndim - Lindje" është mbyllja e epokës socialiste dhe njëherësh renia e regjimit.

Dikur me shaka Gjergj Xhuvani pati thënë se në këtë mënyrë, kishte ndërmend të jepte një histori të plotë kinematografike, se si kaloi mbi vendin e tij shekulli i njëzetë. I ati, pati rrëfyer se e kishte shkruar një skenar për vitin 1997.

Për filmin që shfaqet sot thuhet se është një udhëtim drejt perëndimit i pesë çiklistëve i cili i kthen andej nga erdhën, në Lindje. Ilo, një ish çiklist, ish kampion i Shqipërisë rreth 50 vjeç e ngarkojnë të drejtojë një grup çiklistësh që do të përfaqësojnë Shqipërinë në një garë në Francë.

Në Shqipërinë e varfër dhe ende të izoluar, do të jenë nga të rrallët që do të shohin perëndimin dhe secili ka një dëshirë për të plotësuar kur të hedhë këmbën jashtë. Itinerari i udhëtimit përcaktuar nga Ministria e Sporteve është: Nga Shqipëria me anije në Trieste dhe nga Trieste me tren deri në Francë.

Gjithmonë të shoqëruar nga punonjës të ambasadave shqiptare në Itali dhe Francë. Në Trieste mësojnë nëpërmjet Televizionit se në Shqipëri kanë nisur trazirat. Xhuvani ka shfrytëzuar kronikat reale të verës së vitit 1990, dyndja e njerëzve drejt amabsadave të huaja. Nuk është hera e parë që i njëjti moment shfrytëzohet në një film artistik. Mësymja ndaj amasadave ka qenë edhe urverturë e "Letra ere" të Edmond Budinës.

Për shkak të kaosit në atdhe, burrat mbeten në mes të rrugës dhe këto vende të lira sikur nuk u hyjnë në punë. Për arsye sigurie të gjitha linjat e udhëtimit me Shqipërinë janë anulluar. E vetmja rrugë për t'u kthyer janë biçikletat e tyre duke udhëtuar nga Triestja nëpër Jugosllavi e deri në Shqipëri.

Në rolet kryesore interpretojnë Ndriçim Xhepa, Helidon Fino, Fatjon Pustina, Gentjan Hazizi, Ervin Bejleri, Lulëzim Zeqja. Filmi pati premierë absolute në festivalin ndërkombëtar në Prishtinë, më 22 shtator 2009, dhe u vlerësua me "Pri Jurie Price".

"Lindje - Perëndim - Lindje" 98 minuta; Skenari: Gjergj Xhuvani, Dhimitër Xhuvani, Jani Duri; Muzika: Enricco Ruggeri; Drejtore fotografie Roberta Alegrini; Montazhi Claudio Cutry; Piktor Durim Neziri; Kostumet Durim Neziri, Soela Zani; As/Regjie: Ermir Keta; Produksioni AGV (Shqipëri), Fast Rewind (Itali), SM-ART (Maqedoni),

Isstra Creative Factory (Kosovë).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama