Danijel Dezmar mbërrin në Vlorë. Ashtu sikundër "Panorama Sport" konfirmoi në numrin e djeshëm, mbrojtësi slloven dje është vendosur nën urdhrat e trajnerit Magani. Slloveni është 28 vjeç dhe 185 cm i gjatë. Dezmar ka lindur më 31 mars 1988 në Novo Mesto, ne Republikën e ish-Jugosllavisë. Karriera e tij futbollistike është përqendruar në Slloveni.
Mbrojtësi i ka fillesat e tij te skuadra e Krka, në sezonin 1995-2008. Në sezonin 2008-2010 për dy vite, Dezmar aktivizohet te Bela Krajina, në 2011 te Primorje, në sezonin 2011-2012 zhvendoset te Krsko, ndërsa në 2012 dhe deri më tani rikthehet te Krka, ku e nisi karrierën e tij, madje ka qenë edhe kapiten i kësaj skuadre.
Danijel Dezmar është qendërmbrojtës, por mund të përshtatet mjaft mirë edhe në mesfushë. E, ndërsa është arritur akordi paraprak mes palëve, është trajneri Magani që në fund do të vendosë edhe vulën. Lojtari do të jetë në provë për disa ditë dhe vetëm kur ta bindë teknikun peqinas do të firmosë zyrtarisht.
Problemi
Pavarësisht merkatos që po ecën me ritme të shpejta dhe që u përqendrua më shumë jashtë Shqipërisë, te Flamurtari duket se ka një çështje. Kjo lidhet me numrin e kufizuar të lojtarëve të huaj dhe mosaprovimin e kërkesës së klubit vlonjat për shtimin e numrit të tyre. Danilo Alvesh, Tomislav Bushiç, Lukas Martins, Balsa Radoviç, Masakai Linuma, Milos Rnic, Danijel Dezmar.
Janë plot 7 lojtarë të huaj, të cilët janë në ekip. Trajneri Magani dhe drejtuesit e klubit janë në hall, për shkak se të paktën katër lojtarë të huaj do të ngrohin stolin, në një kohë që numri i atyre që do të aktivizohen është i limituar. Kjo cilësohet si një çështje e madhe për drejtuesit e Flamurtarit, për shkak se çdo futbollist i huaj që është pjesë e vlonjatëve ka kontratë të konsiderueshme në vlerë financiare. Në këto kushte, gjasat janë që nëse Danijel Dezmar do të firmosë, atëherë ai do të jetë lojtari i fundit i huaj dhe klubi nuk do të hyjë më në merkato jashtë vendit.
Ermal Sika