Vendoset Qemal Stafa i ri 20 mije vendesh

Vendoset 'Qemal Stafa' i ri 20 mije vendesh
“Qemal Stafa” i ri apo stadiumi “Kuq e Zi” do të jetë 20 mijë vendësh. Kaq është vendosur përfundimisht nga studimet e kompanive ndërkombëtare që asistojnë federatën në projektimin e këtij projekti. Edhe pse ishte menduar një stadium me me shumë se 22 mijë vende, duket se impianti do të jetë 20 mijë vendësh. Studiot këshilluese të federatës dhe FIFA kanë parë të arsyeshme që të marrin për bazë një projekt kaq të zmadhuar. Mësohet gjithashtu se për projektin do të merret një shembull. Bëhet fjalë për një stadium lindor dhe më saktë të Spartës së Pragës i cili ka kushtuar rreth 2000 euro karrigia.

Ky është një model i cili mund të ndiqet shumë mirë nga FSHF-ja menjëherë sapo të miratohen gjithë procedurat për këtë impiant të ri. Faktikisht stadiumi është kthyer në një çështje prej më shumë se një viti, por duket se gjërat po qartësohen dita-ditës. Ndonëse ka probleme dhe një deklaratë e kryetarit të Bashkisë Lulëzim Basha, sikur habiti të gjithë, sërish po punohet për impiantin që gjërat të mbyllen përfundimisht. Do të jetë një stadium i cili do t’i ngjajë më shumë një impianti çek. Kështu shprehen burime në institucionin e futbollit. Sipas tyre studimi i fundit i fizibilitetit sqaron shumë gjëra. Në radhë të parë mund të themi se nisja e punës në stadium është shumë pranë.

 E kaluara 

Studio arkitekturore spanjolle RFA, kish marrë kohë më para përsipër projekt-idenë e stadiumit të ri, që do të ndërtohet në atë ekzistues “Qemal Stafa”. Projekti u paraqit para krerëve të shtetit për 80-vjetorin e Federatës. Firma prej muajsh studioi mangësitë kryesore të këtij stadiumi. Në fund me konsulencën e KPMG- së u vendos që stadiumi kushton rreth 60 milionë euro përafërsisht.

I programuar dhe ideuar më parë për një kapacitet prej 33.000 vendesh, palët, pra Federata e Futbollit, Qeveria Shqiptare dhe kompania që po bën konsulencën e projektit, ranë dakord në reduktimin e numrit të tifozëve, nga 25.000 në 22.500, ose afërsisht rreth 6 mijë vende më shumë se sa kapaciteti aktual i “Qemal Stafës”. Arsyeja ka qenë kosto e lartë, pasi stadiumi do rindërtohet plotësisht. Fakti qëndron se vetëm një vend i ulur ne bazë të gjithë parametrave të caktuar të stadiumeve në Evropë kushton rreth 1.500 euro, gjë e cila do të thotë që një shtim prej 5 mijë vendesh do të thotë një shtim të vlerës prej 10 milionë euro, shifër kjo e papërballueshme nga pala shqiptare.

Megjithatë me një sy të lehtë, një stadium prej 20.000 vendesh dhe shumë modern është krejtësisht normal për kushtet e Shqipërisë. Stadiumi do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 41.500 metrash katrorë e do të ketë mbi 20 mijë vende për tifozët, 75% e tyre do të jetë i mbuluar. Gjithçka perfekte për një stadium të standardit ELITE të UEFA-s, një ndër nivelet më të larta që është projektuar studio RFA, e njëjta që ka bërë projektin e stadiumit të Valencias, Espanjolit, Atletikos së Madridit e disa prej stadiumeve të vendeve të tjera europiane. Gjithsesi projekti sërish do të ndryshojë dhe kompania që do ta financojë do të ndërtojë edhe stadiumin në fjalë. Një gjë është e sigurt. Deri në korrik nuk ka asnjë prishje përfundimtare. Do të luhet ndeshja zyrtare me norvegjezët në qershor dhe më pas do të nisë plani B për sheshimin e stadiumit të vjetër të vënë në funksionim në 1946-ën. 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama