Vatra filmi qe lindi nga nje foto brezash

'Vatra', filmi qe lindi nga nje foto brezash
Është e vërtetë, se filmi sot në botë quhet i regjisorit, por është po aq e vërtetë se regjisori kërkon gjithmonë një mbështetje të fortë nga një skenar i mirë për të realizuar një film të mirë. Jo rastësisht u krijua një simbiozë interesante krijuese mes regjisorit Ilia Terpini dhe skenaristes së njohur të filmit dokumentar, Anxhelina Xhara. Duke qenë të dy të lidhur ngushtësisht me temën patriotike për shkak të gjenezës së tyre familiare, ata ditën të ngrenë në art një temë themelore të historisë sonë. Sollën në ekranin e madh të filmit dokumentarin për federatën më të madhe e më jetëgjatë në diasporë, “Vatra”, aq të njohur në Amerikë.

Në premierën e filmit në kinemanë “ Millenium”, në Tiranë, pikërisht në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, Anxhelina do të përmendte shumë e emocionuar faktin e fotografisë së Bandës “Vatra” të Amerikës, ku gjyshi i saj Kristaq Koço dhe babai i Ilias, Petro Terpini, do të ishin çuditërisht në të njëjtin pozicion, në rrjeshtin e dytë të fotos historike, njëri majtas e tjetri djathtas, me një shprehje djaloshare atdhedashurie. Pra në arkivin familjar të dy kineastët e kishin të ruajtur me kujdes foton që tregonte si u kthyen nga Amerika për Luftën e Vlorës të 1920-ës, djemtë vullnetarë shqiptarë, të dërguar me mision patriotik nga “Vatra” e Fan S. Nolit dhe e Faik Konicës. Duke e pyetur Anxhelinën për vështirësitë e këtij filmi ajo do të përgjigjej e menduar se vështirësia e parë ishte ana financiare.

Por kjo u kapërcye me kurajo, duke u nisur fillimisht në Amerikë si artiste patriote, ”pa asnjë dyshkë në xhep”, siç do thoshim ne nga Korça, pastaj me mbështetjen e organizmave përkatëse. Dokumentari i xhiruar nga profesionistë u realizua me një dashuri të madhe edhe nga ndihma konkrete e shqiptarëve të sotëm të Amerikës, që e kanë në frymëmarrjen e tyre dashurinë për emrin e mirë të Shqipërisë e shqiptarëve. Filmi ngjizet me dokumenta, xhirime detajesh historike, që ngrihen në simbol, me intervista sinjifikative aq të bukura, për të dhënë tablonë e tërë të një historie dhe një përpjekje të madhe.

Në film del “Vatra”, si institucion i shenjtë për shqiptarët që po i dilnin për zot atdheut në vendin më demokratik në botë, në Amerikën e ëndrrave e shpresave të mëdha. Me gjuhë shprehëse kinematografike në dokumentar disa herë theksohet mbledhja e ndihmave për Shqipërinë, në vite të vështira të fillimit të shekullit të kaluar, kur rrezikohej shumë pavarësia e posashpallur e shtetit shqiptar. “Vatra” shërbeu si qeveri në mërgim për të mbështetur delegatët në Europë, që mbronin çështjen shqiptare në konferencat ndërkombetare, për të mbajtur hapur një gazetë historike, zëdhenësen e saj ”Diellin”, botimet, daljen e revistave e librave shqip, mbështetjen për autoqefalinë e Kishës Shqiptare, mbështetjen me hua kombëtare për qeverinë e Lushnjës etj. Nga biseda me Anxhelinën kupton se asnjë gjë nuk vjen papritur.

Ajo më tregon se në universitet dikur, si temë diplome ka mbrojtur temën:”Mendimi përparimtar i viteve ‘30 –të”. Pikërisht në faqet e gazetave të këtyre viteve ajo ka lexuar artikuj e shkrime të mendimtarëve të mëdhenj të kombit siç janë Konica e Noli. Veç tregimeve plot ngjyrë të gjyshit të saj për Amerikën e Luftën e Vlorës, veçanërisht shkrimet e gazetës “Dielli”, e kane ushqyer mençërisht përgjithë jetën. Gjatë punës në Kinostudio ka hulumtuar në vazhdimësi për tema historike duke realizuar filma për gjenezën e shqiptarëve, për revolucionin e 1924-ës, për profesor doktor Aleksandër Xhuvanin, për Luftën e Vlorës etj. Materialet dokumentare të Arkivit të Filmit, të Arkivit Shtetëror, të Bibliotekës Kombëtare, shfletimi i librave të ndryshëm me temë pavarësinë e Shipërisë dhe sidomos libri i botuar posaçërisht për Federatën “Vatra” nga Prof. Dr. Beqir Meta, ishin mbështetja kryesore për shkrimin e skenarit të këtij filmi të rëndësishëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama