Kristi Vangjeli pas fitimit të titullit kampion te Skënderbeu u transferua te kampionët e Rumanisë, Astra Giurgiu.
Por aventura e mbrojtësit te klubi rumun ka përfunduar para kohe, pasi Vangjeli së fundmi është kthyer në Shqipëri.
Mësohet se kthimi i mbrojtësit korçar ka të bëjë me vështirësitë financiare që po kalon Astra. Në këto kushte 30-vjeçari pritet të vijojë karrierën në Shqipëri dhe zërat e merkatos e lidhin me Skënderbeun dhe Partizanin. Burime nga klubi korçar bëjnë me dije se bardhekuqtë kanë arritur akordin me ish-lojtarin e tyre dhe e presin të veshë sërish fanellën, me të cilën u shpall kampion në fund të sezonit të shkuar.
Por edhe Partizani kërkon që ta shfrytëzojë këtë mundësi, madje që në fund të majit u përfol për një transferim të Kristi Vangjelit te të kuqtë e kryeqytetit.
Ndonëse në Korçë e konsiderojnë si përforcimin e radhës, mësohet se ish-mbrojtësi i Kombëtares po flirton edhe me Partizanin, ku mund ta kishte më të sigurt aktivizimin si titullar, duke ditur se Skënderbeu në vend të tij ka marrë Gledi Micin.