Van Nistelroi Jemi te ndershem

Van Nistelroi: Jemi të ndershëm
“Ne kemi bërë një punë të madhe për të arritur deri këtu dhe të jeni të bindur që nuk jemi një skuadër që dëshiron të njollosë emrin e vet. Do futemi në fushë për të fituar dhe do japim më të mirën tonë. Synojmë ta përfundojmë fazën në grupe me tri fitore dhe kjo nuk nënkupton asnjë favorizim, apo ndeshje të trukuar. Jemi në këtë Evropian për të treguar supremacinë tonë”, tha Rud Van Nistelroi. Më pas, ai foli edhe për ish-shokun e tij të skuadrës, Antonio Kasanon, i cili ka arritur të tregojë një formë të shkëlqyer në ndeshjen e fundit me Kombëtaren e Italisë. “Më bëhet shumë qejfi për Antonion, pasi kam parë që është rikthyer në një formë të mirë. Kur ka qenë te Reali nuk ka arritur të japë maksimumin e vet, por asnjë prej nesh nuk ka dyshuar te talenti dhe aftësitë e tij në fushën e lojës. Është një lojtar i shkëlqyer”, tha Van Nistelroi. Pavarësisht synimeve, trajneri Van Basten nuk do të hyjë në fushën e lojës përballë Rumanisë, me formacionin e tij më të mirë, pasi dëshiron të ruajë yjet e tij për ndeshjet e ardhshme, duke qenë se e ka siguruar kualifikimin për në çerekfinale. Përsa i përket formacionit, priten disa ndryshime. Huntelar do të luajë në repartin sulmues, në vend të Rud Van Nistelroit, Melkiot dhe Heitinga do të luajnë në vendin e Bulharuz dhe Oijer. De Zeuv do zërë vendin e De Jong në mesfushë, ndërkohë që Van Persi dhe Uesli Shnajder pritet të luajnë që nga minuta e parë. Po ashtu, edhe portieri Van Der Sar do jetë titullar, duke qenë se është hera e fundit që luan me kombëtaren e tij në një kompeticion të rëndësishëm dhe nuk dëshiron të humbë asnjë ndeshje. Përballja mes Holandës dhe Rumanisë, pritet të sjellë sa të reja, aq edhe komente përsa i përket rezultatit të mundshëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama