Van Nistelroi Fitorja me e bukur me Holanden
- Botuar: 19 vite më parë
- Shkruar nga:
Van Nistelroi kaloi Holandën në avantazh pas 26 minutash me një gol shumë të diskutuar, edhe pse UEFA saktësoi të martën se ishte i rregullt, para se mesfushori dhe kolegu i tij te Reali i Madridit, Ueslei Shnaijder, të shkundte rrjetën e portës së Bufonit pesë minuta më vonë. Mbrojtësi Xhovani van Bronkhorst, i cili ishte një nga dy lojtarët e “mbijetuar” te skuadra holandeze, që humbi në mënyrë dramatike në gjysmëfinalet e Euro 2000 ndaj Italisë pas gjuajtjeve të penalltive, kompletoi triumfin duke shënuar golin e tretë në minutën e 80-të. Më shumë se një mijë tifozë të entuziazmuar holandezë u grumbulluan në kampin stërvitor të martën për të parë idhujt e tyre në seancën e radhës, ndërsa ish-ylli i Mançester Junajtid, Van Nistelroi, 31 vjeç, tha se rezultati kishte qenë një arritje e madhe e skuadrës. “Ndeshja e së hënës ishte më e bukura e karrierës sime me Kombëtaren holandeze, - u shpreh sulmuesi i Realit të Madridit, i cili ka realizuar 32 gola në 62 ndeshje me përfaqësuesen. - Të gjithë lojtarët ishin në formë të shkëlqyer në atë takim, kjo ishte arsyeja pse ne fituam 3-0 kundër kampionëve të botës.
Suksesi nuk do të ishte i mundur nëse çdo lojtar nuk do të ishte në 100% të formës, mirëpo gjithsesi ishte vetëm një takim dhe ne duhet të qëndrojmë të përqendruar. Kemi edhe dy ndeshje ndaj Francës e Rumanisë, që janë dy skuadra shumë të mira”. Mbrojtësi i Blekburn Roversit, Andre Oijer, tha se holandezët duhet të luajnë me të njëjtën mënyrë, siç bënë ndaj Italisë, kur të përballen të premten me finalistët e Botërorit 2006, Francën, në “Stade de Geneva”. “Duhet ta nisim vrullshëm lojën me Francën, ashtu siç bëmë ndaj Italisë dhe të bëjmë ndeshjen tonë”, theksoi qendërmbrojtësi 33-vjeçar. Pas asaj paraqitje të shkëlqyer në stadiumin e Gjenevës dy ditë më parë, lojtarët iu nënshtruan dje një seance të lehtë stërvitore nën urdhrat e trajnerit, Marko van Basten, i cili e vlerësoi fitoren e së hënës si një “ngjarje historike”. Mbrojtësi, Mario Melkiot dhe lojtari i Realit, Arjen Roben, vazhdojnë të stërvitën në mënyrë të diferencuar për shkak dëmtimesh. Autori i golit të dytë, Shnaijder, sigurisht i lodhur, u mjaftua me 10 minuta vrapim, para se të kthehej në dhomat e zhveshjeve.
PanoramaSport