Une i keqi dhe Blondie. What a mess Andy!

Une, i keqi dhe Blondie. What a mess, Andy!
Gjerë nëpër Tiranë, lart mbi qytet, brenda te zyrat e shtetit, thellë te dhomat e gjumit, pranë te trupi i femrës, e megjithatë syri që kap gjerë, lart, brenda, thellë, bastardisht pranë, nuk ia del të thotë çfarë sheh nga shteti, qyteti, shtëpia, femra.

Andi Deliana realizoi me një ekip të rinjsh nga Shqipëria e diaspora “Out of Touch” (2011, 95 min., Red Helicopter Films – Shqipëri & 2K 4K Talking Pictures – SHBA) të cilin ai, autori i skenarit, regjisori (dhe aktori) në film, e ka përmendur në krye të herës si film pionier i zhanrit aksion në kinemanë shqiptare, veç noviteteve të tjera estetike.

Sikur të mos ekzistonte besimi i medias që ç’thuhet është dhe ç’parashikohet bëhet, pretendime të ngjashme do të liheshin atje ku thuhen.

Ngjarjet ndodhin në Tiranë në vitet dymijë. Një zyrtar i lartë (në Ministrinë e Ekonomisë ndoshta), e sheh veten jashtë me ndërrimin e qeverisë. Bashkë me të dhe personat e një firme ndërtimi të favorizuar në tenderët e Ministrisë. Të privilegjuarit e djeshëm përplasen me korruptuesit e rinj. Administrata publike është një vatër e prostitucionit politik me paranë, bizneset, të dashurën e gjithkujt.

Secili prej raporteve të pushtetit, është menduar që t’iu përgjigjet një profil i jetës private të protagonistëve në familje, martesë, shkollë, dashuri, apo skica e vegjetimit si pasion i të bërit asgjë, të gjitha këto pasoja rrezatimi të një korrupsioni total të shoqërisë. Kjo strukturë rrathësh do ta mbante në këmbë një aksion thriller politik sikur Deliana të mos shkapërderdhte jashtë kontrollit teorinë për koncepte të reja estetike dhe zbatimin praktik të teknologjisë moderne.

Andy Deliana (emri english i regjisorit) përdor një strukturë narrative, e rëndomtë për zhanrin e aksionit: rrëfimi në vetën e parë i protagonistit Robert, një pushtetar i korruptuar, i rënë përkohësisht nga karrigia, që pret të rigjejë fijet e vjetra. Nëpërmjet monologut të brendshëm (që s’merret vesh pse në anglisht kur i gjithë filmi flet shqip), ky unë rrëfimtar është syri që i shikon të gjitha. Ai është edhe atje ku nuk merr pjesë, ku zëvendësuesit e tij marrin në çanta butiku paketa me kartëmonedha, ku ndeshen të fortët e gangsterët, pra të këqinjtë. Dhe atje ku zhvishet Blondie (Esmeralda Stafa), me sytë e saj dhelpre, me kostumin saten i zi si të linjtat me rripa. Skemë e tërhequr si mëngë e shqyer për një femme fatale, në epokën shqiptare të kinemasë dixhitale.

Deliana rraskapitet për pak formë, për pak skandal estetik, pa prekur dot përmbajtjen bazë, pa ruajtur kurrfarë balance me close-ups të pamotivuara. Sikur Blondie të ishte i ndërtuar si karakter, do të justifikohej shtrirja e saj prej hardhuce me pushin e seksit në rrëzë të syrit të kamerës të cilit aktorja si një organi mashkullor i afrohet me dhëmbët kanibali për të kafshuar çikëzën e pakos së prezervativit.

Përdorimi i hijeve në fytyrën e Blondie-t, nuk sugjeron misterin dhe moralin e dyshimtë të një femre. Blondie performon veshjen e takave, por skenari s’i ka vënë në gojë dy fjali të plota për të qenë. Si rastin e Evës (Tatiana Cotiuba), një moldave që trafikohet nga çerrat e lagjeve të mykura të Tiranës. Edhe në rastin e personazhit të Arianës (Rozi Kostani), një mësuese e nderuar, nënë e përkushtuar, grua e tradhtuar që na del një rock mommy në ndjekjen finale të makinave. Falë aftësive të dramatike të aktores këto mospërputhje nuk bërtasin. Pavarësisht se regjisori nuk ka frerë për flagrancën e aksioneve. I dhënë artificialisht pas formave të zhanrit me zjarr, armë dhe gjak, Deliana krijon një plan për fundin e dramës së Arianës dhe të bashkëshortit të saj tradhtar, Edmondit (Laert Vasili). Rendjen e saj me makinë pas Blondie-t, e frenon trupi i një të riu. Gruaja e tronditur thotë: Po tani, kush do ta marrë vajzën nga shkolla? Gaz makinës që i shkërmoq krahun viktimës.

Lëvizjet e shpejta dhe jo horizontale të kamerës nëpër dhe mbi qytet, e tërheqin në një shtjellë të paqëllimtë kaosin. Kjo mënyrë fotografimi do duhej të kapte gjendjen e personazheve, anët kaotike të botës shqiptare në këtë moment. Shpejt nuk do të thotë ritëm, sikur ngadalë nuk do të thotë ngecje.

Kuptimi për kohën në film nuk është jashtë kontrollit të ngjarjeve. Sa për ilustrim, dy shembuj të lidhjes organike që ka koha filmike me dramaturgjinë. Para ca kohësh u shfaq premierë “Dita e fundit e Loro Shestanit” një film i shkurtër i regjisorit të ri shqiptar Sokol Keraj, që tregon 24 orëshin e jetës së një njeriu drejt vdekjes. Apo “Vdekja e zotit Lazaresku”  i Cristi Puiu (e sjellim si paralele të influencës filmike rumune te Keraj). Të dy këta, filma tepër të ngadaltë që kanë ritëm të brendshëm dhe tension ekspresiv të përshpejtuar.

“Out of Touch” i ndarë në kapituj kohorë, sikur të numëronte drejt zeros afrimin e një krimi të madh gangsterësh, i shtrin ngjarjet në 48 orë. Dramaturgjinë Deliana e ka lënë në dorë të teknologjisë dixhitale dhe… modës amerikane të zhanrit. E provojnë këtë dy premierat që ka pasur filmi deri tani. Njëra në Festivalin e Durrësit në muajin shtator, e tjetra më 10 dhjetor në Festivalin e Filmit në Tiranë. Nga ana dramaturgjike premiera e Tiranës ishte ajo e Durrësit: një lëmsh hyrje-daljesh në ekran. Projeksioni i Tiranës kishte shtesë efektet teknologjike, operacionet në tryezën e montazhit. Në thelb janë efekte manipuluese: artisti, nën dritën e eksperimenteve estetike, del një qytetar i guximshëm që godet krimin dhe korrupsionin politik. Ose si ta shfaqësh luan savane një kafshë të kequshqyer të kopshtit zoologjik te kodrat e liqenit.

Filmi

“Out of Touch”  (2011), 95 min., është prodhim i Red Helicopter Films (Shqipëri) & 2K 4K Talking Pictures (ShBA). Është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë si film alternativë, vepër e parë, me 14 milionë lekë.

Skenari dhe regjia: Andy Deliana. Producentë: Andy Deliana, Randy Vandegrift

Drejtor fotografie: Royald Elezaj. Montazhi: Randy Vandegrit. Interpretojnë: Gentjan Zenelaj, Rozina Kostani, Esmeralda Stafa, Elidon Alikaj, Kastriot Hasa, Tatiana Cotiuba, Laert Vasili, Andy Deliana, Arban Perlala, Sonila Kapedani, Xhevdet Jashari, Sefedin Shabani, Shaban Gashi, Rudin Latifi, Taulant Myzeqari, Altin Sollaku.

Kush është

Andi Deliana u largua nga Shqipëria në vitet nëntëdhjetë. Emigroi në Francë e më pas në Kanada ku u shkollua për regji filmi në Montreal. Ka punuar si kameraman në disa projekte filmash të shkurtër dhe ka xhiruar një metrazh të shkurtër eksperimental, “La Reception”. Në Amerikë ku jeton prej disa vitesh, ka punuar për botën e reklamave dhe në disa prodhime filmash pranë producentëve dhe kineastëve me emër të kinemasë indipenedente të Nju Jorkut si John Gallagher, Vinny Pastore, Mike Starr, Louis Lombardi, Andrew Keegan, për disa projekte filmike: “Feliz Navidad”, “Dough Boys”, “Sound Gun”. U angazhua si asistent regjisor në filmin shqiptar “Koha e kometës” i Fatmir Koçit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama