Një nga figurat më të rëndësishme të Skënderbeut ndër vite, portieri i Kombëtares, Jani Kaçi, ka bërë një analizë të plotë të ekipit bardhekuq dhe zhvillimeve të fundit.

Jani Kaçi
Në një intervistë për "Panorama Sport", ish-mbrojtësi ekstrem i Skënderbeut dhe Kombëtares ka theksuar se mbetja një vit pa Europë do të ketë vetëm dëm ekonomik te bardhekuqtë dhe jo goditje më të madhe.
Më pas, ai ka thënë se, duke parë ambicien dhe projektin e presidentit Ardjan Takaj, Skënderbeu do të vijojë rrugën e sukseseve duke qenë një nga pretendentët kryesorë të kampionatit për sezonin e ardhshëm.
Profesor Kaçi, si e keni pritur dënimin e Skënderbeut nga UEFA duke e lënë një vit jashtë Europe?
Ka qenë një lajm që na ka tronditur shumë, pasi në gjykimin tim ishte një dënim i pamerituar. E them këtë për vetë faktin se në dosjen e UEFA-s, e cila shkoi më pas edhe në KAS, nuk kishte asnjë fakt të mbështetur mbi bazë konkrete dhe ndëshkimi ka ardhur nga dyshimet. Ky është fakti që më ka çuditur pa masë nga ky vendim.
Sipas jush, si do të ndikojë ky dënim te klubi i Skënderbeut?
Nuk ma merr mendja se do të ketë pasoja vendimi i UEFA-s për të pezulluar klubin e Skënderbeut 1 vit në Champions. Pasojat e vetme apo shenjat që do të lërë ky dënim pritet të jenë vetëm financiare dhe asgjë më shumë. Normalisht klubi ka humbur kështu shumën e caktuar nga UEFA dhe kjo do të jetë pasoja e vetme.
Pra prisni një Skënderbe po aq të fortë sa edhe në sezonet e kaluara?
Duke e njohur ambicien e presidentit Ardjan Takaj, por edhe projektin madhor që ai ka nisur me Skënderbeun, jam i bindur që ekipi do të jetë po aq i fortë sa edhe më parë, duke qenë një nga pretendentët kryesorë për të fituar titullin kampion.
Pra e shihni sërish pretendent për titull edhe pas ndryshimeve të shumta në ekip?
Kjo më duket lëvizja më e zgjuar nga ana e presidentit dhe drejtuesve të klubit të Skënderbeut. Po të shikojmë mirë, duket se Skënderbeu ka ruajtur boshtin e ekipit të tri sezoneve të fundit duke bërë ndryshime të shumta. Janë larguar shumë futbollistë të rëndësishëm që mbanin peshë në klub, por janë afruar edhe shumë elementë me talent që kanë etje për fitore dhe uri për sukses. Kjo është ajo që më bind se ishin lëvizjet e duhura.
Ndryshimet nisën nga trajneri. Iku Josa dhe erdhi Agostineli. Si e shikoni këtë lëvizje?
Më ka ardhur keq për largimin e mikut tim Mirel Josa, por nga ana tjetër jam i lumtur që u largua si fitues. Arriti të fitojë katër tituj duke vënë një rekord që do të mbahet mend gjithë kohës, pasi vështirë që ndonjë trajner tjetër ta thyejë. Agostineli ka treguar se di të bëjë mirë kur ishte me Partizanin. Është një trajner që sjell frymë të huaj në ekip dhe besoj se do të ketë sukses te Skënderbeu. Por koha është ajo që do t'i japë të drejtë.
Sa e vështirë është që të luash për të shtatin vit për titull kampion?
Shumë e vështirë. Është shumë e vështirë të fitosh titullin kampion, imagjinoni se çfarë do të thotë të përsëritesh kampion për të shtatën herë radhazi. Gjithçka bëhet më e vështirë. Kjo do të jetë edhe sfida më e madhe e Skënderbeut, të thyejë rekordin e vet.
Dhe, për ta mbyllur, vendin e Skënderbeut në Europë e zuri Partizani. Si e shikoni përballjen e tyre me Ferencvaroshin?
Në këtë takim, në Europë gjithmonë jam me skuadrat shqiptare dhe me Partizanin doemos, pasi kam luajtur për këtë ekip. Shpresoj që të ketë sukses megjithëse e shoh shumë të vështirë. Hungarezët janë një ekip i fortë, me shumë elementë cilësorë në përbërje. Madje, kanë disa lojtarë që kanë luajtur në Europian.
Mbetet një sfidë shumë e vështirë për Partizanin. Do të ishte shumë e vështirë edhe për Skënderbeun që është kampioni në fuqi dhe ka më shumë eksperiencë në arenën europiane vitet e fundit. Megjithatë, të shpresojmë në një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë.
LLAZI SARO