Terhiqet Shenkolli kryebashkiaku i Lezhes nen akuze

Tërhiqet Shënkolli, kryebashkiaku i Lezhës nën akuzë

Shënkolli mund të ishte një histori frymëzimi në futbollin shqiptar. Një klub i ndërtuar nga hiçi në një komunë jo shumë të madhe të Lezhës, ia doli që brenda tri vitesh të ngjitej nga Kategoria e Tretë në të Parën. Por ëndrra që pritej të përmbushej në mes të këtij shtatori me pjesëmarrjen e ekipit në të Parën, do të mbetet e tillë edhe për të paktën një vit.

shenkolli

Një histori e trishtë shqiptare, ku politika shfaqet thuajse gjithmonë për të thyer zemra dhe për të dënuar komunitete. Ashtu siç ka ndodhur në shumë raste të tjera. Në këtë rast është Bashkia e Lezhës dhe kryebashkiaku i saj, Fran Frrokaj, që vihet drejtpërdrejt në akuzë nga presidenti i Shënkollit, Artan Djala.

Zyrtarisht, Shënkolli nuk do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë dhe shkresa është tashmë në zyrat e FSHF-së. Skuadra e vogël që përfaqëson komunën që njihet në të gjithë Shqipërinë vetëm nga burgu i famshëm që ndodhet aty, do të luajë sërish në Kategorinë e Dytë. Dhe për këtë, Djala fajëson drejtpërdrejt kryebashkiakun e Lezhës.

Akuzat

"Bashkia e Lezhës ka akorduar 500 milionë lekë të vjetra për sportin, por nuk është parashikuar asnjë qindarkë për Shënkollin. Kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, e ka personale me mua, pasi nuk e kam ndihmuar në zgjedhje. Dëshironte t'ia linte ekipin një tjetri dhe jo mua. Ne i kërkuam vetëm 60 milionë lekë të vjetra në vit për ta mbajtur në Kategori të Parë.

13775345_1791136741133510_16144724705631398_n

Le të përfitonte Besëlidhja 300 milionë dhe ne 60. Klubi lezhjan merrte para çdo vit. Unë e ngrita klubin nga hiçi dhe e ngjita në Kategorinë e Parë. Ne kërkuam vetëm 60 milionë për të përballuar garën, pasi nëse do të përfitonim ne 300 milionë lekë sa merr Besëlidhja çdo vit, ju garantoj se do ishim pjesë e Superiores", shprehet fillimisht Djala.

Presidenti i Shënkollit vazhdon më tej duke lëshuar akuza të rënda për kryebashkiakun e Lezhës. "Vetëm gjatë 6-mujorit të fundit që ishte kryetar i komunës së Shënkollit, Frrokaj ka shituar nja 800 dynym tokë në bregdet dhe dihen tashmë abuzimet që janë bërë, por ato do të dalin më vonë. Ka qenë për 12 vite kryetar i komunës së Shënkollit dhe nuk akordoi asnjë qindarkë për këtë ekip. Ai është kryehajduti i Lezhës që e njohin të gjithë që na la jashtë pjesëmarrjes në Kategorinë e Parë.

Të gjithën e kemi vetëm prej tij. Kur të largohet ai nga kryetar bashkie, që besoj se nuk do ta ketë shumë të gjatë, do të ngjitemi sërish në të Parën dhe do të qëndrojmë aty. Gjatë të gjithë këtyre viteve, gjithçka e kam përballuar vetë dhe Bashkia nuk na ka dhënë asnjë lek. Dëshira që kam për futbollin dhe me ndihmën e shoqërisë, kam rregulluar ambientet e fushës dhe kemi krijuar edhe ekipin", flet i revoltuar Djala.

1459265_543551762381402_1710044719_n

Vendimi

Më tej, presidenti sqaron edhe vendimin që ka marrë dhe e ka dërguar në FSHF, duke kërkuar që të mos marrin pjesë në Kategorinë e Parë. "Do shkojmë të luajmë sërish në Kategorinë e Dytë, pasi Kategoria e Parë është e vështirë për t'u përballuar financiarisht. Nuk kemi çfarë të bëjmë. Nuk mund të prishnim kampionatin e Kategorisë së Parë, pasi është një garë e fortë. Nuk mund të luanim aty dhe t'i bënim të gjitha humbje, nuk ka kuptim.

Nuk ia vlen të degjeneroheshim në të Parën. I kam bërë një kërkesë FSHF-së që për arsye ekonomike dhe për të mos prishur kampionatin, duam të luajmë sërish në Kategorinë e Dytë. Shënkolli është një komunë me 18-20 mijë banorë dhe nuk e meritonte këtë padrejtësi", përfundon prononcimin e tij për gazetën "Panorama Sport", presidenti i Shënkollit, Artan Djala. Ekipi e përfundoi në vendin e parë në Grupin A kampionatin e kaluar në të Dytën, por sezonin e ri do të luajnë sërish aty.

BESAR BOZGO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama