Telushi Humbem prej gabimeve qesharake te Alveshit

Telushi: Humbëm prej gabimeve qesharake të Alveshit

Bruno Telushi "shpërthen" për situatën te Flamurtari, duke akuzuar lojtarët e huaj që sipas tij nuk e kuptojnë se në çfarë pozicioni ndodhet skuadra. telushiNë një bisedë për "Supersport" pas ndeshjes mesfushori u shfaq i dëshpëruar para kamerave, duke ua faturuar këtë dështim rasteve të panumërta që humbi sulmuesi Danilo Alvesh.

"Më vjen shumë keq për këtë situatë që po kalojmë. Jam vlonjat dhe e ndiej më shumë se të gjithë këtë fanellë, por këto probleme po vijnë pikërisht lojtarëve. Nuk kemi asnjë problem financiar, por në ekip nuk po jepet maksimumi nga të gjithë, sidomos në këto momente të vështira. Nuk është diçka e mirë për ta thënë, por realisht disa nga lojtarët e huaj nuk e kanë idenë fare se në çfarë situate ndodhet skuadra në këtë moment. Të gjithë duhet të marrim më shumë përgjegjësi", ka thënë fillimisht kapiteni i Flamurtarit, për të folur më pas për problematikën e ndeshjes.

"Normalisht kur fiton është meritë e gjithë ekipit, ashtu sikundër në humbje, që përgjegjësi kanë të gjithë. Megjithatë, ato raste që humbëm ndaj Kukësit, nuk e di, por më duken qesharake. Ia faturoj këtë humbje pikërisht sulmuesit tonë, Alvesh, i cili shpërdoroi pa fund para portës. Ky është realiteti, sa më dhimbset mua, nuk besoj t'i dhimbset ndonjë lojtari tjetër kjo situatë. Sot (dje) ndaj Kukësit krijuam gjithë ato raste për gol, por nuk shënuam. Futbolli i tillë është, t'i kthen këto momente mbrapsht dhe të ndëshkon. E pësuam dhe nuk duhet të ndodhte kështu, pasi nuk luajtëm keq. Shpresoj që në ndeshjet e tjera të japim gjithçka dhe të marrim maksimumin e pikëve për të shpëtuar", deklaroi Telushi.

I pyetur nëse për lëvizjet e bëra në janar drejtuesit kanë folur me të, kapiteni dha këtë përgjigje: "Afrimet në janar? Nuk kam pse pyetem unë për këtë çështje, kjo i takon stafit teknik. Janë zgjedhje e tyre dhe nuk janë kompetencat e mia". Në fund, Telushi konfirmoi se marrëdhënia e tij me drejtuesit dhe trajnerin është e mirë.

"Unë jam gjithmonë në kontakt me trajnerin, flasim çdo ditë për të gjitha problemet. Nuk di çfarë të them, por në këtë ndeshje ndaj Kukësit u futëm me shumë bindje për ta fituar dhe zhgënjyem", përfundoi mesfushori vlonjat.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama