Edgar Çani dhe Samir Ujkani mendonin se do të ishin protagonistë në Serinë B në këtë sezon me skuadrën e Pizës. Por pjesëmarrja e tyre në këtë kampionat nuk është më edhe aq e sigurt.
Këtë e ka konfirmuar vetë klubi me një komunikatë të paraqitur në faqen e internetit të tij, duke bërë të qartë se nuk ka siguruar licencën për të marrë pjesë në kampionat.
Në fillim të çdo sezoni, klubet italiane i nënshtrohen kontrollit financiar nga ekspertët e Co.Vi.So.C., Komision i cili më pas udhëzon Federatën Italiane nëse këto klube kanë mundësi të përballojnë financiarisht sezonin në kampionatin përkatës apo jo.
Për momentin, Piza mendohet se nuk ka të ardhurat e mjaftueshme për të përballuar kërkesat financiare dhe nuk cilësohet mes klubeve "të besueshme" për të vazhduar pa probleme sezonin. Si rrjedhojë, këtij klubi i është mohuar licenca e regjistrimit në Serinë B, vendim të cilin klubi do ta apelojë në ditët në vijim.