Tekstet shkollore u zgjodhen nga mesuesit

Tekstet shkollore për vitin e ri mësimor 2014-15 janë gati dhe po shpërndahen pranë shkollave. Krahasuar me vitin e kaluar, për mbingarkesë programi, MAS ka miratuar heqjen nga katalogu të 120 titujve. Agim Leka, këshilltar i Arsimit tregon në intervistë për “Shekullin” se tekstet shkollore këtë vit janë përzgjedhur nga mësuesit e shkollave dhe alterteksti, si një trashëgimi e qeverisjes së shkuar sapo ka hyrë në fazën e pilotimit për t’u hequr përfundimisht, me reformën e re të MAS-it.

Z. Leka, ka vetëm pak ditë që ka nisur shpërndarja e teksteve shkollore. Si po shkon ky proces? A ka mungesa të lëndëve?

Shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore për vitin shkollor 2014-15 ka filluar dhe do të përfundojë përpara se nxënësit e sistemit parauniversitar të ulen në bankat e shkollës   Ky proces do të realizohet sipas Udhëzimit të Ministrit të Arsimit dhe Sportit të muajit prill të këtij viti. Që në muajin prill, çdo mësues në Shqipëri, krejtësisht në mënyrë të pavarur dhe pa asnjë presion, ka bërë zgjedhjen e teksteve për lëndën, apo klasën (shkolla fillore), ku jep mësim dhe ka porositur pranë çdo botuesi tekstet që ka vlerësuar më cilësore dhe që do të përdorë këtë vit shkollor. Këtë përzgjedhje mësuesi e ka bërë duke vënë në dijeni nxënësit dhe prindërit. Porosinë për tekste, mësuesit e kanë dërguar te botuesit në muajin maj. Kjo do të thotë se shumë shpejt mësuesit do t’i përgjigjen pyetjes suaj për shtëpitë botuese, të cilat nuk kanë plotësuar porosinë për numrin dhe për cilësinë e teksteve.

Ministria e Arsimit dhe Sportit është shprehur me herët se do të kishte një reformë jo vetëm në përzgjedhjen e teksteve nga shtëpitë botuese, por edhe në aspektin e altertekstit. Me tekstet e reja, a mund të diskutohet ende alterteksti apo është hequr përfundimisht?

Publiku ka nevojë për një qartësim në këtë fushë. Ministrja Nikolla, jo vetëm   është shprehur, por është e vendosur për një reformë të thellë në tekstet shkollore. Por, një sistem i ri për tekstet e reja shkollore kërkon një hapësirë të natyrshme kohe. Një tekst i ri cilësor kërkon jo më pak se një vit punë, përveç kohës së pilotimit. Ne tashmë kemi ndërtuar një politikë të plotë, të re dhe krejt të ndryshme nga politika e altertekstit të trashëguar nga qeveria e vjetër. Arsimi parauniversitar  shqiptar tashmë ka një kornizë kurrikulare të re, programe të reja, standarde të reja të nxëni. Për herë të parë do të kemi standarde të teksteve të reja shkollore. Të gjitha këto hapa do të shoqërohen me ndryshimet në legjislacion. Pra, edhe në rastin e teksteve   të reja, reforma është një proces, që kalon përmes një sistemi që garanton cilësi sa më të mirë të tyre, i cili harmonizon natyrshëm dhe në rrugë ligjore e morale interesin publik me interesin e botuesve, nëpërmjet konkurrencës së lirë të tregut. Sistemi që ne po ndërtojmë dhe që po vihet në punë hap pas hapi, garanton tekste të reja shkollore sipas standardeve të vendeve më të zhvilluara euroatlantike.

A ka pasur konsultime për përzgjedhjen e teksteve shkollore dhe cilët kanë qenë palët pjesëmarrëse apo komisioni, i cili vendosi për botimet përfundimtare?

MAS-i anketoi të gjithë mësuesit për vlerësimin e cilësisë së teksteve shkollore në përdorim. Ky informacion me mijëra faqe, së bashku me të gjithë informacionet e medies dhe të institucioneve të tjera u vu në dispozicion të botuesve dhe u kërkua korrigjimi i të metave të konstatuara në çdo tekst shkollor. Realizuam një konsultim të gjerë për cilësinë e teksteve me mësues e prindër në shumë rrethe të Shqipërisë. Në konsultim me botuesit u hoqën nga qarkullimi mbi 120 tituj të teksteve alternative, të cilët kishin probleme. Për herë të parë këtë vit u bë zgjedhja e teksteve shkollore vetëm nga mësuesit. Ndryshimi i gjithë përmbajtjes dhe i filozofisë së edukimit në sistemin parauniversitar, të cilin tashmë e kemi instaluar kërkon vazhdimin e reformës së teksteve duke arritur jo thjesht dhe vetëm zvogëlimin e numrit të alternativave, por përzgjedhjen e teksteve, që kanë cilësinë më të lartë.

Sa u përket çmimeve, a kanë pësuar ndryshime dhe a ka subvencionim për familjet në nevojë?

Shitja e teksteve shkollore bëhet nga njësitë tregtare të librit. Shkollat kanë liruar falas mjedise për shitjen. Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave nuk mund të jenë shitës të teksteve. DAR/ZA-të do të monitorojnë procesin. Inspektorati Shtetëror i Arsimit do të inspektojë zbatimin e ligjshmërisë dhe do të përgatisë raportin përfundimtar. Për çdo shkelje të këtij udhëzimi do të këtë masa përkatëse. Çmimet e teksteve nuk kanë ndryshuar.

U kërkojnë 1200 euro, studentët në protestë

Dosjet e studentëve kanë ngelur në universitetet e pezulluara. Shkak për këtë është bërë tarifa që këto universitete kërkojnë nga studentët për transferimin, e cila në disa institucione, sipas studentëve shkon deri në 1200 euro. Kjo shifër bie në kundërshtim me udhëzimin e MAS-it për transferimin, i cili duhet të kryhej pa pagesë dhe afati i fundit përkon pikërisht me ditën e sotme. Për këtë arsye, studentët e universitetit “Vitrina” janë mbledhur para institucionit ku deri më dje vijonin studimet, në një protestë, ku kanë kërkuar zbatimin e udhëzimit të MAS-it, pra tërheqjen e dosjeve sipas ligjit, pa dashur të lëshojnë asnjë mandat arkëtimi. Njëri prej studentëve të këtij institucioni, duke folur për “Shekullin”, tregon se asnjë student i këtij universiteti nuk ka pranuar të tërheqë dosjen e vet, në këmbim të pagesës, çka do të thotë se aty deri në ditën e fundit të afatit nuk është bërë asnjë çregjistrim për transferim. “Sipas vendimit që nxori Këshilli i Ministrave, ku deri në 1 shtator do të ishte afati i fundit i çregjistrimit të studentëve, i cili do të kryhej pa pagesë, ne nuk i kemi marrë këto dosje.

Neve na   kanë kërkuar një shumë prej 500 eurosh, por nëse llogarisim dhe disa detyrime të tjera që na kërkojnë, kjo shumë shkon deri në 1200 euro. Kjo është deklaruar dhe nga themeluesi i institucionit më herët, por studentët nuk kanë rënë dakord me këtë kërkesë. Një tjetër kërkese e drejtuesve ka qene edhe pagesa për vitet pasardhëse”. I pyetur nëse ka pasur studentë, të cilët kanë pranuar të paguajnë shumën e kërkuar për tërheqjen e dosjeve, studenti i vitit të tretë na tregon se asnjëri prej tyre nuk ka rënë pre e mashtrimit, pasi kontrata është e prishur nga vetë paligjshmëria e Universitetit. “Ne u mblodhëm një ditë para se të mbyllet afati, dhe të pranishëm në protestën tonë, të cilën e gjykojmë shumë të drejtë, kanë qenë edhe forcat e rendit. Disa përfaqësues u takuan me drejtuesit dhe përgjigja e këtyre të fundit ishte se dosjet nuk do t’u jepen studentëve në dorë, por do të lëshohen te Ministria e Arsimit dhe Sportit. MAS-i caktoi një afat të ri për universitetin për dorëzimin e dosjeve, i cili është data 10 shtator dhe nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë dosjet tona do të shkojnë në ministri” – tregon për gazetën, studenti.

Shkolla Profesionale

"Tekstet me probleme nuk u përfshinë në Katalogun e teksteve shkollore 2014- 2015. Gjithashtu MAS-i i ka kërkuar çdo botuesi të bëjë korrigjimin e çdo teksti të kritikuar nga mësuesit, përndryshe nuk do të ketë lidhje të kontratës për tekstet në fjalë". Në lidhje me tekstet shkollore të shkollave profesionale MAS-i po bashkëpunon ngushtë me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e cila mbulon këto shkolla. "Por, tekstet e këtyre shkollave kanë një specifikë për shkak të kopjeve që mund të botohen, pra për çmimin dhe mbi të gjitha, për përmbajtjen e tyre në lidhje me programet dhe standardet. Sidoqoftë ju mund të merrni një informacion të plotë për këtë gjë në MMSR-në",- thotë Leka    


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama