Vraponi, o burra, 
Me armë, me topa, me kordh' e me shpata, 
Se dolli kuçedra e errët nga nata, 
Se ngriti bajrakun e lyer me gjak 
Dhe sulet prej Shjiakut në Durrës me vrap. 
Kuçedr'e Turqisë, 
Hyen'e urisë, 
E rrahur nga Greku, nga Serbi e Bullgari 
Do gjak të thëthinjë dhe vjen te Shqiptari, 
Si gjarpër zvarniset, i sillet përqark, 
Me dinin në gojë, me helmin në bark. 
Kuçedrën e vrarë 
E hasi më parë 
Thomsoni në Vlorë, kur vinte prej detit 
Me katërqint krahë, lubi' e Dovletit; 
E zuri për gryke, e shtriu përdhe 
Nga thonjt' i rrëmbeu të mjerin Atdhe. 
Pastaj për së dyti 
Në Durrës e mbyti 
Dhe kokën ia shtypi me top nga Kalaja, 
Kur hodhi Esadin nga Froni, nga maja, 
Nga forca në pluhër, nga bregu në det, 
Me grusht prej rrufeje, që ngrin e që tret. 
Kuçedra e thyer, 
Në turp e përlyer 
Përmblidhet e kthehet nga toka në Durrës 
Dhe ngrihet m'e fortë, në Gjol, afër Urës. 
Shqiptar'i verbuar vërsulet në det, 
Shkel Flamur dhe Nënë dhe vllezër po vret. 
"Dy herë të theva, 
Të shtriva, të ndeva, 
Po prapë u ngjalle dhe prapë u ngrite, 
Prit më, the, prit më!" Dhe prap' iu vërvite, 
Dhe hovin kuçedrës ia preve, po re, 
Kalorës i huaj, që vdiqe për ne! 
Nga Ura, nga Ura 
Po ikni, o burra? 
Ju ikni, po hij' e Kalorësit s'ikën! 
Kuçedrës tërbuar ajo i fut frikën, 
Se urën e ruan, se Urë'n e mpron 
Stihia - Shqiponjë, me qip e me thonj. 
Te ura, te Ura, 
Vajtoni, o burra, 
Thomsonin e ngratë që ju vet' e vratë, 
Që pas nuk i ratë, po vetëm e latë, 
Kur shkonte kaluar të vdesë për ne, 
Për ju, të mallkuar, që s'doni Atdhe.