Tarantino futet ne Luften II Boterore

Tarantino futet në Luftën II Botërore
 Sapo është rikthyer në qendër të vëmendjes me përgatitjet për nisjen e xhirimeve të një filmi të ri në muajin tetor. Filmi në fjalë, që është i gjashti i karrierës së tij kinematografike, quhet "Inglorious Bastards". Tarantino ka marrë emrin, por jo ngjarjen e një filmi italian të vitit 1978, një film që rrëfen për vitet e Luftës së Dytë Botërore.

 Në filmin e ri trajtohet e njëjta periudhë kohore dhe rrëfehet historia e disa ushtarëve amerikanë në një mision asgjësues. Detyra e tyre ishte të vrisnin disa zyrtarë të lartë nazistë, njerëz të afërt të Hitlerit. Sigurisht që gjithçka është gatuar veçse në stilin e Tarantinos dhe kjo do të duket që në sekuencat e para të filmit. Zhurma dhe thashethemet rreth këtij filmi është e vjetër. Që në vitin 2001 filmi konsiderohej si një projekt i Tarantinos. Por në vend që ta niste filmin e shumëpritur, regjisori kapriçioz vendosi që në vitin 2004 të realizonte pjesën pasardhëse të "Kill Bill". Sapo e gjithë zhurmnaja rreth këtij filmi mbaroi, Tarantino ishte tashmë i lirë t‘i kushtohej vetëm "Bastardëve". Sipas skenarit bëhet fjalë për një ngjarje në 5 pjesë, që nis me vitin 1941, një vit pas pushtimit të Francës nga ana e gjermanëve dhe përfundon me një finale shumë kaotike. Në këtë film shfaqen Hitleri, Çurçilli, Goebbles dhe ngjarjet janë shumëplanëshe, tipike të stilit të Tarantinos. Të gjithë parashikojnë një krijim brilant dhe jo më kot i gjithë Hollivudi mezi po pret që të shijojë prodhimin më të fundit të njërës prej mendjeve më të talentuara të kinematografisë. Në film luan edhe Bred Pit në rolin e lejtnant Aldo Raine. Ai është shefi i skuadrës së përbërë nga tetë amerikanë-hebrenj, të betuar për të vrarë çdo nazist që u dilte përpara.

Ata janë një grup ushtarësh që ndajnë një urrejtje të madhe për "gjahun" e tyre dhe dialogu mes tyre është i jashtëzakonshëm. Ai është i shkruar nga vetë Tarantino dhe është më i miri që pas atij të vitit 1997. Veç Pit në film luan edhe Majk Myers. Fillimisht Tarantino preferoi Leonardo di Kaprion për një rol kryesor, por më pas ndërroi mendim. Për sa u përket roleve femërorë, regjisori ka thirrur në skuadër Diana Cryger, e cila duke qenë se është me origjinë gjermane, e luan më së miri rolin e një ushtarakeje të Gestapos. Pritet që filmi të jetë ndër më të realizuarit për sa i përket periudhës së Luftës së Dytë Botërore, që pas filmit të vitit 1998, "The Third Red Line".

Sigurisht që ata që e njohin Tarantinon e dinë se si edhe në filma të tjerë, edhe në këtë film do të përballen me shumë dhunë, madje dhunë të egër e të pamëshirshme, dhunë që jepet deri në detaje të hollësishme. Por filmi pritet të ngjallë edhe disa kritika, kryesisht nga një grup historianësh gjermanë. Ata nuk janë dakord me disa momente historike, që nuk paraqiten në mënyrë korrekte. Vetë Tarantino mbrohet duke thënë se qëllimi i tij është të japë një variant artistik e shpesh edhe të trilluar të disa ngjarjeve të caktuara historike e jo të bëjë një ekspoze korrekte të historisë. Sipas tij, një gjë e tillë do të ishte shumë e mërzitshme. Filmi do të nisë xhirimet më 13 tetor dhe do të jetë një sukses tipik i një njeriu që ka shënuar epokë në historinë e kinematografisë.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama