TIFF ka ndare trofete

TIFF ka ndare trofete
Tirana International Film Festival ka shpallur mbrëmjen e së dielës fituesit e edicionit të 10. Ky përvjetor i festivalit është përmbyllur me një ceremoni çmimesh të mbajtur në kinemanë “Imperial” në Sheraton dhe me shfaqjen në “Millenium” të filmit “Ishte i biri”, një prodhim i vitit 2012 i regjisorit italian Daniele Cipri, fitues i skenarit më të mirë në Festivalin e Venecias.

“Në këtë dhjetë vjetor, struktura e festivalit erdhi ndryshe dhe më origjinale”, është shprehur Agron Domi, themelues dhe drejtor ekzekutiv i TIFF, duke shpallur listën e fituesve. Filmi më i mirë i këtij edicioni u shpall realizimi rus “Siberia Monamour” i Slava Ross.

Juria ndërkombëtare, e përbërë nga Vladimir Blazevski, Marian Tutui dhe Massimo Forleo kanë vlerësuar po ashtu si regjisorin më të mirë, serbin Srdjan Dragojevic, me filmin “The parade”, skenari më i mirë ka shkuar për filmin “80 Million”, realizim i Waldemar Krzystek dhe Krzysztof Kopka, fotografia më e mirë sërish për filmin “Siria Monamour”. Për herë të parë në këtë edicion është ndarë çmimi për montazhin më të mirë, që ka marrë emrin e Luc Barnier, një nga montazhierët më të mirë të Francës, anëtar i jurisë së edicionit të parë TIFF 2003, i ndarë prej pak kohësh nga jeta. Ky çmim ka shkuar për filmin serb “The parade”. Në kategorinë e filmit të shkurtër, juria e përbërë nga Elektra Venaki (Greqi)

Blerta Zeqiri (Kosovë) dhe Stefania Casini (Itali), kanë vlerësuar si filmin më të mirë të shkurtër artistik “That wasn’t me” të Esteban Crespo nga Spanja, filmi më i mirë i shkurtër dokumentar për “Another night on earth”, sërish nga Spanja i David Munoz, filmi më i mirë i shkurtër i animuar është shpallur “Oh Willy..”, i Emma De Swaef dhe Marc James Roels, çmimi special në kategorinë e filmit të shkurtër artistik për “The Wedding” nga Marina Seresesky, çmimi special në kategorinë e filmit të shkurtër dokumentar për “A story of the Modlins”, nga Sergio Oksman.

Një çmim është ndarë edhe nga juria e medias, e përbërë nga Maks Velo, Raimonda Sallaku Nelku dhe Ridvan Peshkëpia, të cilët kanë vlerësuar filmin britanik “Dulan’s rom” i Layke Anderson, ndërsa çmimi i publikut është fituar nga italiani Pierluigi Ferrandini me filmin “Greengold”. Juria e përbërë nga Robert Aliaj Dragot, Koloreto Cukali dhe Kast Hasa shpallën fitues në kategorinë e filmit “Në Shqip” të edicionit të 10, filmin “Sistress” i regjisorit nga Kosova, Birol Urcan.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama