TIFF festivali i braktisur nga publiku

TIFF, festivali i braktisur nga publiku
Filma nga 63 vende të botës, pjesëmarrës në “Tirana International Film Festival”, shfaqen në një sallë bosh të kinemasë “Imperial”

TIFF, festivali i braktisur nga publiku

“Happy Feet 2”, pinguini më i famshëm i tap-dancing, Mumble ka sfiduar këto dy ditë filmat më të mirë të 63 shteteve pjesëmarrëse në “Tirana International Film Festival” (TIFF). Dy salla kinemaje përbri njëra-tjetrës në kinema “Imperial”, ku në njërën shfaqen historitë e pinguinit gazmor e në tjetrën shfaqen radhazi filma nga Italia, Britania, Gjermania, Irani, Australia, Spanja dhe Belgjika, më shumë publik tërheq pikërisht pinguini, që për më tepër biletën hyrëse e ka 500 lekë, e në sallën përbri gjithçka ofrohet falas në kuadër të organizimit të një festivali elitar të filmit artistik, siç është “Tirana International Film Festival”. Po përse është braktisur këtë vit TIFF-i, ku as realizuesit e filmave që shfaqen në më të shumtën e rasteve nuk vijnë të jenë prezentë as për filmin e tyre.

Për drejtorin ekzekutiv të këtij festivali, Agron Domi, kjo nuk është një çështje marketingu, e as nuk ka të bëjë me faktin se festivali i këtij viti u organizua me një buxhet zero, pasi nuk gjeti mbështetje nga institucionet për zhvillimin e tij ashtu si vitet e kaluara. Kritika, sipas tij, nuk i duhet drejtuar publikut të thjeshtë, por publikut elitë që këtë vit e ka braktisur Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë. “Marketingu sigurisht që vlen për të sensibilizuar publikun joartistik, jokinematografik ose më saktë publikun e thjeshtë, ndërsa publiku i sprovuar nuk ka nevojë për marketing sepse ai tashmë e njeh TIFF-in dhe di e ka dëgjuar për të. Heshtja e këtij të fundit është problematike më shumë sesa mungesa e publikut të thjeshtë në sallë. Ky i fundit, tek salla tjetër përbri e kinemasë paguan për të parë një film. Në këtë rast, ai bën një zgjedhje komerciale dhe jo një zgjedhje artistike që është në sallën tjetër e që ofrohet falas.

Por, sigurisht që ky publik ka nevojë të orientohet nga filmi artistik e këtë duhet ta bëjë elita. Nëse në këtë rast elita nuk e kryen rolin e saj udhëheqës, të cilin shoqëria i ka ngarkuar të bëjë, atëherë fatkeqësia është e pjesës tjetër, sepse një komb kur i mungon elita është i detyruar të humbasë, të degjenerojë në injorancë. Kritikën në këtë rast e meriton pjesa e kultivuar e shoqërisë, e cila e braktis këtë arenë artistike. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet në këtë rast. Akoma më keq kur në sallë mungojnë edhe realizuesit e filmave, ata që kanë nënshkruar filmin”, - shpreh të njëjtin shqetësim që është vënë re këto dy ditë të festivalit drejtori ekzekutiv, Agron Domi, i cili mendon se këtu një rol duhet të kishin luajtur edhe institucionet publike si MTKRS-ja, Qendra Kinematografike. “Festivali, gjithmonë e më shumë ka marrë trajtën e një “treni”, ku njerëzit hipin për të zbritur në një destinacion.

Ka nga ata që i kanë hipur këtij treni nga stacioni (edicioni) i parë i tij, ashtu siç shohim në çdo stacion (edicion) njerëz të rinj, por duke qenë se numri i pasagjerëve që ndjekin festivalin qëndron pak e shumë konstant, deduktojmë që nëpër stacione edhe zbresin nga ky tren...Kur kupton që është e pamundur tashmë të tërhiqesh, kur të takon të takohesh me ministrin e radhës, sepse kemi njohur një ministër për çdo stacion (edicion), kur kupton që treni i festivalit kërkon karburant për të ecur përpara, ndërkohë që shpeshherë të është dashur të kompensosh gati fshehtas duke hedhur nga karburanti yt, dhe bashkë me karburantin konsumohet dinjiteti kur jemi të detyruar të presim si lypsarë kontributin nga institucionet, të bindur që po ofrojmë me trenin (festivalin) një shërbim publik të vyer që ndihmon për të transportuar breza pasagjerësh (kineastësh) drejt stacionit të tyre”, - citon drejtori ekzekutiv si shpjegim për vështirësitë që ka pasur këtë vit për organizimin e festivalit një pjesë nga promemoria që hap katalogun e “Tirana International Film Festival”.

Një film për Piramidën në TIFF

Inida Gjata apo siç e njohim me emrin skenik, Zhaku, është një ndër pjesëmarrëset shqiptare të TIFF-it. Filmi i saj “Nothing”, një dokumentar mbi çështjen aq të diskutuar të Piramidës, ku luhet me prishjen apo mosprishjen e saj, u soll si pjesë e shfaqjeve në “Tirana International Film Festival”. Një këndvështrim i regjisores që herë pas here shfaqet si prezantuese, këngëtare madje dhe topmodele, e sjell çështjen “Piramida” në vëmendjen e dy brezave. Si e shohin Piramidën brezi që ka jetuar në kohën e komunizmin dhe të rinjtë e lindur pas ’90-ës. Me kameran e saj, regjisorja Inida Gjata ka takuar përfaqësues të dy brezave. Ndryshimi sesi e shohin brezat Piramidën në qendër të Tiranës është shumë i madh, e vetmja gjë që i bashkon janë kujtimet.

Nëse të “vjetrit” (ata që kanë jetuar para ’90-ës) e shohin thuajse të gjithë si simbol të diktatorit, por që ka mes tyre dyzime nëse duhet prishur apo jo, tek të rinjtë apo brezi i lindur dhe rritur pas ’90-ës ka një lidhje emocionale me ndërtesën në formë piramide në mes të kryeqytetit. Një vajzë e re thotë se aty i ka dhënë puthjen e parë, pikërisht në majë të Piramidës, njeriut që edhe sot vazhdon ta dojë po aq shumë; një tjetër kujton koncertet live dhe “dendjen” me birra e qofte; të tjerëve u rizgjon kujtime nga fëmijëria, kur fëmijët mblidheshin nga lagje të ndryshme të Tiranës për të rrëshqitur nga maja deri në tokë. Palët edhe në këtë dokumentar janë ndarë në dy fronte: ata që e miratojnë shembjen, dhe ata që luftojnë duke protestuar që të mos shembet. Mes dy palëve shfaqen herë pas here figurat e qeveritarëve e opozitarëve, dhe ata, secili në frontin e vet. Çfarë mesazhi ka dashur të përcjellë regjisorja me këtë dokumentar? Përgjigja është: “Hiç”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama