Starova Dervishi nje anonim nuk di nga cila dere hyri ne futboll

Starova: Dervishi një anonim, nuk di nga cila derë hyri në futboll

Sulejman Starova e konsideron një anonim Dritan Dervishin. Është ndier i bezdisur që ish-bashkëpunëtori i tij te Partizani e ka quajtur për herë të dytë "demagog".

Sulejman-StarovaNuk është në stilin e "Bobit" të bëjë lajka dhe as të kursehet kur ka ndonjë kritikë. Ai tregohet i balancuar me Adnad Ocellin dhe pranon të diskutojë dhe të replikojë me të, pasi, sipas Starovës, ish-mbrojtësi është pjesë e familjes së futbollit.

"Debati me Ocellin ka qenë tërësisht konstruktiv dhe korrekt. Unë mund të mos kem të njëjtin mendim me Ocellin dhe anasjelltas, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet vlerësuar mendimi i tij.

Ocelli është në lëmin e specialistëve të futbollit sepse këtë e ka arritur me atë çka ka dhënë në fushën e blertë. Po ky tjetri (Dervishi) nga cila portë ka hyrë në rrethin e specialistëve?

Dritan Dervishi

Dritan Dervishi

Pse kërkon t'i japë patjetër vetes rëndësi duke ndërhyrë në një debat që nuk i përket, sepse në fund të fundit nuk është as niveli i tij?!", thotë me ironi Starova për "Panorama Sport".

Starova, Ocelli vazhdon të këmbëngulë se Partizani është i papërgatitur...

Është mendimi i tij. Unë besoj se e argumentova të kundërtën e asaj që ai pretendon. Ndeshja me Krasnodarin nuk mund të zhbëjë një edicion veror shumë të mirë në Kupat e Europës.

Pati të ardhura të kënaqshme, skuadra është konsoliduar dhe ekipi ka fituar një eksperiencë të jashtëzakonshme.

Sigurisht, dikush mund të thotë me të drejtë se ende nuk është luajtur ndeshja e dytë dhe nuk dihet si shkon dhe kjo qëndron. Por unë e përsëris se Krasnodari, një klub milionerësh, nuk është barometër për Partizanin.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Dritan Dervishi, duke i quajtur demagogji deklaratat tuaja. Ç'mendim keni për këtë?

Së pari, unë me Ocellin kishim një debat konstruktiv dhe shumë normal mes nesh. Unë mund të mos kem të njëjtin mendim me Ocellin dhe anasjelltas, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet vlerësuar mendimi i tij. Ocelli është në lëmin e specialistëve të futbollit sepse këtë e ka arritur me atë çka ka dhënë në fushën e blertë. Ky tjetri është anonim...

Nga cila portë ka hyrë në rrethin e specialistëve? Pse kërkon t'i japë patjetër vetes rëndësi duke ndërhyrë në një debat që nuk i përket, sepse në fund të fundit nuk është as niveli i tij?!

Në fakt, ju keni përmendur Kukësin dhe ai sot është drejtues i Kukësit...

Unë kam një jetë në futboll dhe kur më kërkohet, kam të drejtën edhe të jap ndonjë mendim për futbollin shqiptar. Po, e vërtetë është që e kam përmendur Kukësin, jo vetëm tani, por edhe më parë. Kam thënë gjithnjë që aty është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe mos harroni se te Kukësi kam punuar edhe vetë në të kaluarën.

Nuk është nevoja që të shfaqet dikush, që nuk e di se nga cila derë ka hyrë, për të më treguar se çfarë duhet të them dhe aq më pak të më quajë demagog.

Pse Dervishi ju quan demagog?

Nuk e kam idenë se çfarë kërkon dhe ku do të dalë ai, por është hera e dytë që e thotë këtë ndaj meje. Herën e parë refuzova t'i përgjigjesha, por me sa duket nuk kupton. Njerëzit duhet të kuptojnë se çfarë CV-je kanë në jetën e tyre dhe pastaj të hiqen si të mençur edhe atje ku nuk e dinë se si kanë hyrë...

Keni thënë se Partizani ka fituar më shumë pikë se Kukësi në Europë dhe kjo duket se e ka revoltuar Dervishin...

Kam thënë se Partizani ka pasur një ecuri pozitive dhe duke qenë se prej shumë vitesh iu fshi emri nga Europa, ka arritur të marrë shumë pikë në favor me atë që bëri këtë sezon.

Tani më falni, por nuk mundet të dalë dikush që deri dje punonte për Partizanin dhe sot ta kritikojë apo ta shajë Partizanin e të bëjë sikur po mbron Kukësin... T'i lëmë kësi gjërash se Shqipëria është vend i vogël, na njohin të gjithë...

JETMIR HALILAJ

***

"Partizani, ekip pa bosht dhe pa mentalitet kampioni"

"Dështim apo realitet? Me dëshirë do të pranoja të parën, dështimin, por logjika më drejton nga e dyta, realiteti. Paraqitja e Partizanit në Europë mendoj se duhet analizuar me qetësi duke qenë objektivë. Nëse luan dobët, kjo është njëra anë e medaljes, por nëse kaq është mundësia, atëherë është ana tjetër. Unë mendoj se janë të dyja, madje më shumë.

Që në strukturim, Partizani ishte i destinuar të paraqitej kështu. Pa ambientet e tij, pa një filozofi nuk mund të ketë lojë të tij. Dhe, pa dyshim as rezultate pozitive. Si hyri Partizani në këtë kompeticion? Si u përgatit? Cilat ishin objektivat?

Mendoj se ekipi ka hyrë i papërgatitur në të gjitha aspektet. Me një zvarritje për të zgjedhur trajnerin, me një merkato joefikase për kompeticione të tilla, i pakompletuar në të gjitha repartet. Dhe, pa një formacion të konsoliduar, madje duke bërë eksperimente.

Pa një qendërmbrojtës lider, pa një 'play maker' që të bëjë diferencën, pa një sulmues që të shënojë dhe ta mbajë ekipin lart.

Pra, ky Partizan është pa bosht! Partizani ka lojtarë mesatarë që dhe në kampionatin tonë do të kenë vështirësi. Trajneri, i paqartë në idetë e tij dhe pa një modul për drejtimin e lojës. Stoli, po ashtu, copë-copë. Po bëre një ndërrim, çdo gjë merr fund. Partizanit i mungon, mbi të gjitha, shpirti dhe mentaliteti i kampionit, i fituesit", shprehej ndër të tjera Ocelli në komentin e tij.

***

Starova: Ocelli gabon, Partizani ka strategji të qartë

Sulejman Starova nuk ishte dakord me qëndrimin e mbajtur së fundmi nga ish-kapiteni i të kuqve, Adnand Ocelli. Ky i fundit, nëpërmjet një opinioni të shkruar, kritikoi situatën në klub dhe menaxhimin që i është bërë atij gjatë kohëve të fundit.

"Ocelli është kontradiktor në atë që shpreh. Nga njëra anë thotë se Partizani është ekip pa ide dhe, nga ana tjetër, kërkon ndjesë në fund të shkrimit. Kujt i kërkon ndjesë dhe ku kërkon të dalë, sepse realisht ishte i paqartë...?!

Po, është e vërtetë që nuk kemi lojtarë kampionë, por nuk mund të thuhet kurrsesi se kjo skuadër është pa ide. Ishte ky ekip që eliminoi Ferencvaroshin me një buxhet prej 50 milionë eurosh. Ishte ky Partizan që luajti thuajse si i barabartë me Salzburgun, ndërkohë që i dimë diferencat e këtyre klubeve.

Është i njëjti Partizan që mori elozhet e të gjithëve për ato ndeshje shumë të mira dhe një humbje me Krasnodarin nuk mund ta zhbëjë një punë të mirë që është bërë gjithë këto kohë.

Çfarë prisni, që Partizani, një skuadër në ndërtim e sipër, me një buxhet 1 milion euro, të eliminojë Ferencvaroshin, që ka buxhet 50 milionë euro, të shkëlqejë me Salzburgun që ka një buxhet gjithashtu të jashtëzakonshëm dhe pastaj të jetë i barabartë edhe me Krasnodarin?!

Nuk funksionon kështu në futboll. Prandaj, ka hierarki dhe fuqia e financave herët a vonë bën diferencën. Më bezdis fakti që njerëzit nuk e kuptojnë se Sukaj iku vetë nga Partizani dhe iku në një vend ku do të marrë afro 300 mijë euro.

Partizani nuk kish mundësi të bënte një sforco të madhe ekonomike. Kemi limitet tona. Kjo është e gjithë historia. Nxitimi nuk na çon askund.

U përpoqëm të gjenim një zgjidhje të shpejtë dhe morëm Volasin. Ishte një djalë shumë i mirë, por nuk u përshtat dhe u ndamë me mirëkuptim.

Kjo ishte një shenjë e nxitimit. Nuk qëndron ajo që thotë Ocelli se ekipi hyri në Kupat e Europës i papërgatitur dhe se trajneri nuk ka qenë i qartë me modulin e lojës...".

***

"Bobi' t'i lërë demagogjitë, të shohë renditjen e UEFA-s"

Deklarata e Sulejman Starovës së Kukësi ka kaluar Partizanin në renditjen e UEFA-s, nuk i ka pëlqyer aspak drejtorit të klubit verilindor, Dritan Dervishi, i cili për "Panorama Sport" u shpreh:

"Është shumë e thjeshtë që një gjë e tillë të vërtetohet dhe Starova duhet t'i lërë demagogjitë dhe të lexojë renditjen e UEFA-s.

Aty mund ta shihni qartë se Kukësi është minimalisht 100 vende më lart se Partizani në bazë të koeficientit që ka siguruar pas ndeshjeve në Europë", ishte reagimi i Dervishit, i cili ka mbajtur pozicionin e drejtorit edhe te skuadra e Partizanit, madje për një periudhë disamujore ka pasur një bashkëpunim me Starovën.

Në vazhdim të reagimit të tij, Dervishi ka kujtuar se Partizani ka marrë pjesë në Champions League pas dënimit që mori skuadra e Skënderbeut. "Partizani ka marrë atë koeficient dhe ato pikë që ka, pasi ka marrë pjesë në Champions League me meritën e të tjerëve", mbyllet deklarata e Dritan Dervishit.

Të kuqtë arritën të mbyllnin sezonin e shkuar në vendin e dytë në kampionat dhe ishin përgatitur për të luajtur në Europa Ligë, madje zhvilluan edhe një ndeshje me Slovan Bratislavën në "Elbasan Arena", e cila përfundoi në barazim.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama