Sormani pezullon Bardhin shpresa per aktivizimin e Bathes

Sormani pezullon Bardhin, shpresa për aktivizimin e Bathës

Është thënë që në fillim se nën drejtimin e Adolfo Sormanit, lojtarët e Partizanit duhet të kenë shumë kujdes, për vetë karakterin "diktatorial" të trajnerit. "Viktima" e parë e italianit është mesfushori Jurgen Bardhi.

jurgen bardhi

Lojtari ka shfaqur probleme disiplinore në seancat e fundit stërvitore dhe trajneri Sormani ka vendosur që ta ndëshkojë 18-vjeçarin, në mënyrë që ai të zbatojë detyrat dhe të përmirësojë sjelljen. Fillimisht trajneri i ka propozuar klubit që ta gjobisë financiarisht Bardhin për sjelljen e tij. Por ndëshkimi është përshkallëzuar më shumë dje, pasi ai ka qenë i vetmi lojtar që nuk ka udhëtuar me ekipin në Austri.

partizani skema

Por në dallim nga vendimi që mori për Bardhin, Sormani ka urdhëruar që Renaldo Kalari të jetë pjesë e delegacionit dhe ai ka udhëtuar me shokët e skuadrës i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Ndonëse Kalari është i pezulluar për Salzburgun, trajneri e ka bërë mbrojtësin pjesë të grupit.

Mesfushori

Idriz Batha u mendua se nuk do t'ia dilte për këtë takim. Mesfushori udhëtoi drejt Austrisë i veshur normal, jo me uniformë sportive si shokët e skuadrës, gjë e cila la të kuptoje se do të kishte statusin e turistit. Por në darkë zv/kapiteni ka surprizuar duke zbritur në fushën e "Red Bull Arena" dhe u përgatit së bashku me ekipin.

Por Batha nuk shikohet si titullar, ndonëse rriten shpresat për aktivizimin e tij. Të kuqtë u kanë bërë presion vendasve, pasi në fund të seancës ata kanë praktikuar penalltitë, duke u dhënë mesazhin se ata besojnë te fitorja. Me shumë mundësi trajneri Sormani e nis takim e sotëm ndaj Salzburgut si para një jave në "Elbasan Arena", me të vetmin ndryshim, Atanda luan si mbrojtës i majtë në vend të Kalarit të pezulluar.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama