I paraqitur në konferencën e shtypit me një letër statistikash përpara për të treguar diferencat e mëdha që kanë skuadrat midis tyre, tekniku italian i Partizanit, Adolfo Sormani, u shpreh optimist për skuadrën e tij. Edhe pse tek për tek Ferencvaroshi e mund Partizanin, Sormani ka besim te skuadra që ai drejton prej pak ditësh.
Italiani pohon se nuk do të hyjë në fushë vetëm për t'u mbrojtur dhe se nuk vë dot bast për rezultatin. Për sa i përket formacionit, Sormani konfirmoi se të gjithë do të jenë të gatshëm, por nuk ka ndër mend ta tregojë për t'i favorizuar akoma më tepër kundërshtarët.
Mendoni se keni pasur mjaftueshëm ditë në dispozicion për të njohur skuadrën?
Kanë qenë të mjaftueshme për të parë dëshirën e lojtarëve dhe kjo është shumë e rëndësishme. Jemi realitet në Ligën e Kampioneve pas 23 vitesh, por kemi mungesë eksperience në krahasim me kundërshtarin. Më pëlqen të shoh statistikat, 120 vende më mirë se ne, diferencë në të gjitha anët, edhe në milionat. Në letër është ndeshje e vështirë dhe kjo dihet. Futbolli është i përbërë nga burrat, ndaj pres të shoh një skuadër që të na bëjë krenarë. Ky grup që gjeta ka punuar shumë dhe me shumë dëshirë, ndaj njerëzit duhet të jenë të kënaqur. Suksesi nuk vjen rastësisht.
Do luani për të mos pësuar apo do të tentoni fitoren?
Nuk njoh skuadër që do të mbrohet, por që përshtatet ndaj kundërshtarit në fushë. Duhet të japim maksimumin dhe jam i bindur se do t'ia dalim.
Mendoni se do t'i vini në vështirësi me organikën që keni në dispozicion?
Futbolli është i përbërë nga burrat dhe e thashë edhe më sipër këtë gjë. Në nivel individual i humbim të gjitha duelet sepse ata kanë kualitete. Por, në nivel skuadre, nëse luajmë fort dhe në 100% tonë, atëherë çdo gjë është e mundur në fushë.
Lojtarët do të jenë të gjithë të gatshëm?
Po, të gjithë do të jenë të gatshëm. Për mua të gjithë janë lojtarë të rëndësishëm dhe i respektoj pa diskutim. Alban Hoxha është lojtari më ekspert, sepse ishte edhe në kombëtare dhe e themi me krenari këtë gjë, pasi vjen nga një kompeticion si Europiani.
Cila është pika më e fortë e Partizanit?
Për këtë, pyesni Albanin (Hoxhën) (qesh). Grupi është më i forti më skuadrën tonë.
Do ta zbardhni formacionin?
E kam në kokë, por nuk i jap avantazh kundërshtarit që t'i tregoj formacionin. Nuk i trembem sigurisht, por do shohim edhe Ekuban dhe Volash. Kush vjen pak vonë është pak mbrapa, por të gjithë janë të gatshëm për nesër (sot).
Presioni është në anën e kundërshtarëve, do ta shfrytëzoni në favorin tuaj?
Mund ta shfrytëzojmë këtë dhe nëse kemi dëshirën të luajmë të organizuar dhe kompaktë gjithçka mund të ndodhë. Duhet të luajmë si skuadër.