Skenderbeu zbret ne Korce 2 mije tifoze ne stervitje

Skënderbeu zbret në Korçë, 2 mijë tifozë në stërvitje

Skënderbeu ka startuar dje sezonin e ri nga Korça. Skuadrës kampione i është rezervuar një pritje madhështore nga tifozëria bardhekuqe, e cila kishte mbushur stadiumin në pjesën ballore të tij duke krijuar edhe një atmosferë mjaft të veçantë.

Më shumë se 2000 tifozë ishin prezent në stadiumin "Skënderbeu", duke shoqëruar me duartrokitje daljen në fushë të futbollistëve dhe prezantimin e tyre. Ky është një numër relativisht i lartë duke qenë se bëhet fjalë vetëm për stërvitje dhe jo ndeshje.

skenderbeu

Duket qartazi se zhurma e muajve të fundit që kulmoi me vendimin e UEFA-s, duke e konsideruar Skënderbeun të papërshtatshëm për të luajtur në Champions Ligë për këtë edicion, ka sjellë interesim mjaft të madh të tifozëve në drejtim të ekipit të tyre. Duartrokitjet dhe brohoritjet nuk kanë reshtur së dëgjuari në gjithë seancën e parë të Skënderbeut në Korçë, ndërsa kulmi ka arritur në momentin e parë kur Andrea Agostineli ka dalë në fushë.

Brohoritjet kanë qenë të shumta për t'i uruar punë të mbarë trajnerit italian, i cili menjëherë e ka ndier veten komod në stadium duke i përshëndetur me duar tifozët e pranishëm në numër të madh. Në një atmosferë të tillë nuk kanë munguar as motivimet karshi ekipit nga një pjesë e mirë e tifozëve, të cilët fillimisht u kanë thënë lojtarëve të mos mërziten nga pezullimi në Champions dhe, më pas, u kanë kërkuar që ajo që po i bëhet Skënderbeut të kthehet në forcë dhe të tregojnë këtë sezon se janë më të mirët.

skenderbeu stervitje

"Mos u mërzisni për pezullimin, mbeteni ju kampionët". "Të gjithë i kemi kundër, por do t'ia dalim". "Tregoni se jeni ekipi më i mirë, mbylleni kampionatin që në janar" dhe "Skënderbeu kampion" ishin nga fjalët më të dëgjuara pasditen e djeshme në fillim të seancës stërvitore. Më pas, radha u është lënë lojtarëve dhe stafit teknik që kanë nisur me përgatitjet. Tifozët e kanë vuajtur shumë dënimin e Skënderbeut dhe prania e tyre në stadium tregon mbështetjen dhe besimin karshi lojtarëve dhe drejtuesve.

LLAZI SARO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama