Skenderbeu ne kundersulm Partizani fiton me arbitra

Skënderbeu në kundërsulm: Partizani fiton me arbitra

Menjëherë pas akuzave të fundit të drejtorit të Partizanit, Dritan Dervishi, për penalltinë e dhënë në favor të Skënderbeut në ndeshjen kundër Bylisit dhe faktit të caktimit të arbitrave të FIFA-s në ndeshjet e këtyre dy klubeve, ka reaguar drejtori i klubit korçar në lidhje me këto deklarata. partizani-skenderbeuNë një prononcim të dhënë për "Panorama Sport", Ilirjan Përmeti, drejtori i klubit Skënderbeu, ka bërë me dije se të tilla deklarata janë të dala jashtë mode dhe shërbejnë posaçërisht për të shpërqendruar kundërshtarët dhe për të ushtruar presion tek arbitrat.

Veç të tjerash, drejtuesi i klubit bardhekuq ka bërë të ditur se nëse ka një ekip që nuk duhet të ankohet në këtë kampionat është pikërisht Partizani.

"Sapo jam njohur me deklaratën e drejtorit të klubit të kuq dhe më vjen çudi që e dëgjoj sërish të ankohet për diçka që ka dalë jashtë mode. Kjo rrugë që ndjek drejtori i Partizanit më duket e tillë për të tërhequr vëmendjen e kundërshtarit, por edhe për të krijuar njëfarë presioni mbi gjyqtarët, si dhe për ta tensionuar disi situatën.

Në një pozicion të tillë, si homolog, mund të them se është një sjellje jo fort e pjekur dhe e dalë jashtë mode tashmë. Nga ana tjetër, më bën përshtypje fakti që flet drejtori i një klubi që është favorizuar më shumë nga të gjithë nga vendimet e gjyqtarëve. Nëse do t'i marrim të gjitha ndeshjet në total dhe të shohim episodet e këtyre takimeve, mund të themi të gjithë në unison se Partizani do të ishte më shumë se 15 pikë pas nesh. Prandaj, është më mirë që të mos kalojmë në të tilla biseda", theksoi fillimisht drejtori i Skënderbeut, Ilirjan Përmeti.

Më pas, drejtuesi i klubit korçar u ndal të argumentojë edhe vendimet e gjyqtarëve në dy takimet e fundit të luajtura në Korçë.

"Nëse do të analizojmë ndeshjen kundër Bylisit, penalltia ka qenë evidente, por do të dukej më qartë nëse do të kishim një kamerë pas porte. Nuk dua të ndalem shumë te ky rast, pasi ndaj Tërbunit, nëse arbitri anësor nuk do të sajonte atë pozicion jashtë loje, në të qindtën e milimetrit, atëherë në këto momente do të ishim duke festuar dhe jo duke u marrë me deklaratat e Partizanit që kërkon të hedhë baltë mbi sukseset tona.

Ne si klub jemi të përqendruar vetëm te kampionati dhe nuk jemi marrë e as nuk merremi me të tilla provokime", përfundoi drejtori i klubit të Skënderbeut në lidhje me ngacmimet e vazhdueshme të Partizanit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama