Pas akuzave në Kategorinë e Parë në lidhje me trukimet e ndeshjeve dhe tentativat për të korruptuar ekipe apo gjyqtarë, tashmë skandali ka zbritur në Kategorinë e Dytë. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i kampionatit, gara në Grupin A për vendin e dytë që të dërgon në "play off" është e hapur. Kevitani dhe Partizani B janë me pikë të barabarta, por për shkak të ndeshjeve direkte mes tyre ku kevitanasit janë në avantazh me një fitore dhe një barazim, renditen para të kuqve.
Në këto dy javë të mbetura është e vështirë të ndodhin surpriza, në një kohë që lufta është ndezur. Dhe është klubi i Kevitanit që hedh akuza për tolerime dhe tentativë korrupsioni ndaj ekipeve të ndryshme apo gjyqtarëve duke iu referuar Partizanit B.
Akuzat
Në një status në faqen zyrtare në "Facebook", klubi i Kevitanit shkruan:
"Sqarim për disa të ashtuquajtur armiq të skuadrës sonë.
Jemi sërish të dytët dhe pretendentët kryesorë për "play off"-in, pasi ëndrra për t'u shpallur kampion mori fund pas ndeshjes me Vorën. Për të sqaruar më mirë të gjithë, nuk i kemi kërkuar asnjë ekipi të na hapë portën apo për tolerime. Nuk i kemi kërkuar askujt favore siç kanë bërë të tjerë që na shohin nga mbrapa duke iu ofruar para për t'u lënë ndeshjen atyre dhe për të frenuar Kevitanin.
Ne jemi i vetmi ekip që luajmë pa aleanca dhe pa paguar askënd, as arbitrat. Për sa i përket ekipit që na sheh nga mbrapa, na dhimbsen shumë, por në dy ndeshjet e fundit janë 6 pikë të plota pa diskutim. Na vjen shumë keq dhe shpresojmë që të na mbështesin në 'play off'. Forca Kevitan, go", mbyllet statusi i klubit kevitanas që hedh akuza në adresë të Partizanit B. Tashmë, duket se nuk ka më droje në lidhje me atë që po ndodh në futbollin shqiptar dhe sidomos në kategoritë inferiore ku aleancat, trukimet, tolerimet dhe korrupsioni janë faktorët që po e dëmtojnë shumë garën.
Përgatiti: BESAR BOZGO