Sinan Idrizi Veliu nuk ka cfare pret te dale ne stervitje

Sinan Idrizi: Veliu nuk ka çfarë pret, të dalë në stërvitje

Kreu i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, e cilëson mbrojtësin Franc Veliu si lojtar të Flamurtarit. Në një bisedë telefonike nga Turqia për "Panorama Sport", Idrizi theksoi se Veliut iu hap dera e rikthimit dhe ai duhet që të kishte nisur stërvitjen.

Veliu me trofeun e Kupes se Shqiperise

"Pse, Franc Veliu nuk ka dalë në stërvitje? Unë e di se ai është pjesë e ekipit. Nuk di çfarë të them për këtë çështje. Kam ngarkuar trajnerin Magani që të merret dhe të diskutojë me Veliun. Nuk e di përse ai nuk ka dalë në stërvitje, pasi e kam dhënë OK-in tim për lojtarin. Nuk ka pse ai më pret mua për të diskutuar, lojtari duhet që të nisë stërvitjen. Derën ia hapa dhe i dhashë mundësinë e rikthimit. Është punë e tij pastaj nëse do apo nuk do të jetë i Flamurtarit. Por, di të them se nuk ka përse Veliu më pret mua. Nëse do të rikthehet, të nisë stërvitjen", deklaroi Idrizi.

flamurtari stervitje

Largimet

Idrizi pritet të ulet sot ose nesër në tavolinë me Gugash Maganin. Administratori dhe trajneri do të diskutojnë për lojtarët që do të largohen. Ai është i gatshëm të plotësojë çdo kërkesë të kreut të pankinës.

"Unë jam në Turqi dhe kthehem nesër (sot) në mëngjes. Do të jem në Vlorë dhe do të takohem me trajnerin Magani. Do të ulem të bisedoj dhe ta dëgjoj se cilat janë opsionet e tij për largimet nga skuadra. Siç e kam thënë edhe më parë, do të plotësoj çdo kërkesë të trajnerit, pasi është ai që vendos nga ana teknike. Jam i gatshëm që të largoj çdo lojtar që trajneri më kërkon, edhe nëse ata janë në kontratë. Nuk mund të them emra lojtarësh që do të largohen, pasi i di trajneri. Do t'i diskutojmë dhe do të dalim me vendimet përkatëse gjatë këtyre ditëve", u shpreh administratori për skarcimet e mundshme.

Magani Idrizi

Afrimet

Edhe sa i përket ndonjë afrimi të mundshëm, administratori ia kalon "topin" Maganit. "Unë them se ekipin e kemi të kompletuar. Por, jam i gatshëm që të afrojmë lojtarë, nëse trajneri dëshiron. Nuk mund të them se po shohim pista konkrete, këtë ia kam lënë në dorë trajnerit. Më duhet që më parë të ulem me trajnerin që të diskutoj më mirë këtë çështje", përfundojë administratori i kuqezinjve.

Ermal Sika



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama