Silvester Shkalla Na demtoi arbitri lojtari grek me peshtyu

Silvester Shkalla: Na dëmtoi arbitri, lojtari grek më pështyu

Humbja e djeshme e Kombëtares Shpresa ndaj Greqisë në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian nuk është pritur mirë në vendin tonë, për më tepër që gjatë takimit ka pasur edhe një incident, ku janë përfshirë lojtarët shqiptarë.

sherri shpresat1

Silvester Shkalla ishte një nga ata që u akuzuan se kishte shtyrë kundërshtarin në momentin që ata përfituan 11-metërsh, por në një prononcim për "Panorama Sport", mbrojtësi ka thënë të kundërtën. "Ishte momenti i 11- metërshit dhe në fushë ka pasur tension, ashtu siç ndodh në çdo ndeshje. Janë nerva loje, por unë di të them se nuk e kam shtyrë kundërshtarin.

Ai më pështyu dhe më pas bëri një simulim të bukur, pasi unë thjesht kam kapur topin dhe nuk kam bërë asgjë më shumë", u shpreh mbrojtësi i skuadrës së Teutës, që gjithashtu bën me dije se nuk e priste kartonin e kuq, që i akordoi kryesori i takimit. "Nuk e prisja të them të drejtën, megjithatë ai ishte vendimi", ka thënë shkurtimisht futbollisti, që deri në momentin e ndëshkimit ka bërë një paraqitje të mirë me kuqezinjtë.

sherrri shpresat

Loja

Kuqezinjtë ishin të parët që kaluan në avantazh me anë të Latifit, por një 11- metërsh i fituar në minutën e 44-t të takimit ka barazuar shifrat. Edhe pse shpresat ishin të mëdha që kuqezinjtë të mbanin rezultatin në favor të tyre, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, dhe Shkalla për këtë bën fajtor edhe arbitrin e takimit.

"Natyrisht që kishim shpresat tona për të ruajtur rezultatin, mund të them se edhe arbitri na ka penalizuar rëndë. Jemi ekip i vogël dhe gjëra të tilla dihen në futboll", ka vazhduar Shkalla në prononcimin e tij. Në fund të deklaratës së tij, Shkalla bën me dije se nuk ka marrë asnjë kritikë nga trajneri Redi Jupi për ndëshkimin me karton të kuq.

"Ishte dëshmitar i asaj që ndodhi dhe nuk më ka thënë asgjë pas ndeshjes. Natyrisht që ishte i mërzitur për humbjen, ashtu si edhe të gjithë ne, por vetëm kaq", ka mbyllur Shkalla, i cili është kontingjent i ekipit kombëtar të Shpresave.

ARMAND HALILI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama