Shyqyri Sako skenografi i “Shpelles se pirateve” ekspozite per 70-vjetorin

Shyqyri Sako, skenografi i “Shpellës së piratëve”, ekspozitë për 70-vjetorin

Me ekspozitën që Sako çel sot në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, skenografi i vjetër tregon se nuk ka menduar ta mbyllë punën e tij me pikturën dhe skenën, por të mbyllë ciklin e prodhimtarisë së deritanishme me anë të kësaj ekspozite retrospektive për kënaqësinë personale, familjare, të kolegëve dhe të gjithë dashamirësve të artit. Që në vitin ’63, Shyqyriu i porsadiplomuar në Institutin e Moskës rikthehet në Shqipëri ku nis punë me filmin e tij të parë “Detyrë e posaçme”. Skenografi i diplomuar në Moskë e nis punën me këtë film duke marrë përsipër kostumet. Ai kujton për gazetën “Albania” se “te ‘Detyrë e posaçme’ ne ndiqnim aktorët majë malit, nëpër shkëmbinj ku shkonin ata edhe ne, sepse xhirohej ndjekja e diversantëve. Ishte një punë stërlodhëse. Nuk kishim as mjetet e nevojshme, as infrastrukturën. Nëse skenat e natës sot mund të xhirohen në mes të ditës dhe më pas me filtra duket sikur është natë, atëkohë neve na mungonte kjo teknologji dhe gjithçka e xhironim natën”. Në filmin “Detyrë e posaçme”, Sako ishte kostumograf. “Të bëje kostumet e diversantëve ishte një punë tepër e vështirë, thuajse e pamundur, ndërsa në Shqipëri as që bëhej fjalë që ato të qepeshin. Për fat, arritëm të bëjmë një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes dhe na u dhanë kostumet origjinale të diversantëve, të cilat përmbanin të gjitha karakteristikat dhe veçantitë e tyre, që nga stemat, punimet, etj”, - thotë kostumografi. Shyqyriu tregon mbi vështirësitë e zanatit të tij, sidomos gjatë 40 viteve të komunizmit, kur ai ka punuar në më tepër se 40 filma artistikë me regjisorët më në zë të kinemasë shqiptare. “Nuk është e lehtë të merresh me skenografinë dhe dekorin e një filmi. Edhe atje ku duket sikur nuk është ngritur ndonjë dekor, bëhet gjetja e atmosferës, një rrugë që gjarpëron, pemët, bora, ura... pra zgjedhja e atmosferës do një mjeshtëri të madhe. Mbaj mend filmin ‘Dimri i fundit’, ku nuk i jam ndarë kamerës gjatë xhirimeve për asnjë çast. Në film thuajse nuk duket fare dora e skenografit. Pikërisht, kur arrin në këtë fazë, atëherë mund të thuhet se është bërë vërtet një punë e shkëlqyer dhe profesionale”. Por në këtë 70-vjetor, skenografi Sako mbart bashkë me sukseset dhe kujtimet e bukura e të hidhura edhe pengjet e veta, të mbetura pezull ndër vite. Ai shpreh keqardhje që nuk mundi e nuk mundi dot të bënte një film me Dhimitër Anagnostin, gjë që, sipas tij, edhe Anagnosti e ka peng. Kjo për shkak se gjithmonë që regjisori Anagnosti kishte projekte në duar, Shyqyriu rastiste gjithmonë i angazhuar në një film tjetër. Skenografi vuan edhe faktin që nuk mundi të pikturonte aq sa do të kishte dashur, sepse puna e madhe nuk i linte hapësirat e nevojshme për të pikturuar dhe, së treti, një peng tjetër për artistin ka qenë, siç ai shprehet, dalja e padrejtë në pension, pasi në atë kohë skenografi ishte në kulmin e pjekurisë profesionale.

Një fakt tjetër, aspak i këndshëm për artistin, mbetet zhdukja e qindra punëve të tij dhe shkatërrimi i tyre në Kinostudio.
Sako është skenografi i filmave tepër të dashur për publikun si “Tomka dhe shokët e tij”, “Kapedani”, “Dimri i fundit”, etj.

Çuditërisht, që nga viti ’97, Shyqyriun nuk e kanë ftuar të marrë pjesë në asnjë nga filmat që janë bërë, por për këtë skenografi nuk shpreh keqardhje. “Kanë humbur ata, jo unë...”, - thotë ai.

Gjithashtu, skenografi do të mbahet mend edhe për improvizimin në atelienë më të madhe të ish-Kinostudios të “Shpellës së piratëve”, e cila është përdorur për xhirimet që nuk mund të bëheshin dot brenda shpellës së vërtetë.

Petrika Grosi : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama