Shqiptare e serbe ne pritje

Shqiptarë e serbë, në pritje
Dy histori paralele, me shumë pika të përbashkëta, por që gjeografikisht nuk takohen kurrë. Janë dy familje të thjeshta, njëra në Shqipëri, tjetra në Serbi. Të njëjtat probleme, të njëjtat dëshira, e njëjta ëndërr: Evropa. Kjo është pritja. “Muaji i mjaltit” është projekti filmik shqiptaro-serb, i miratuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike vetëm dy ditë më parë. Me skenar të Genc Përmetit e Goran Paskaljeviçit, me regji të këtij të fundit. Genc Përmeti, piktor e menaxher arti, thotë se 50% e skenarit, pra pjesa që zhvillohet në Shqipëri është shkruar nga ai, ndërsa pjesa serbe nga Paskaljeviç, një nga regjisorët më të njohur serbë, antikonformist, që pas ardhjes në fuqi në Millosheviçit e la Serbinë për të jetuar në Francë. Linja shqiptare ndahet gjithashtu në dy nënlinja, njëra është ekzistenciale, ndërsa tjetra ajo e dashurisë që nuk mund të mungojë. Është një “dyluftim” mes jetës dhe motivit më të errët që është vdekja e që fitohet nga jeta, nga shpresa e një të ardhmeje më të mirë. Ashtu si edhe historitë, edhe stafi do të jetë gjysmë shqiptar e gjysmë serb.

Historia shqiptare do të luhet nga aktorët tanë, madje do të ketë edhe një asistent regjisor shqiptar. Përmeti thotë se ideja për të realizuar një film me regjisorin serb ka lindur 2 vjet e gjysmë më parë, ndërsa për Paskaljeviçin, dëshira është shumë më e hershme, qysh në çmimin e marrë në Venecia në vitin 1999, me filmin “Powder Keg”, ku publikisht u shpreh se donte të bënte një film në Shqipëri. “Dhe ky film është një sfidë personale e Paskaljeviçit, pasi pikërisht për këtë ai është goditur nga nacionalistët serbë, të cilët e kanë quajtur tradhtar”, - thotë Përmeti. Përmes postës elektronike regjisori është njoftuar për kalimin e projektit dhe është shprehur tepër i kënaqur, që po realizohet një nga ambicjet e tij profesionale. Filmi do të jetë tërësisht i pastër nga paragjykimet raciale e nacionaliste. Skenaristi thotë se filmi është human dhe pa ngjyrime politike, madje kjo është pikërisht ajo që duan të mbajnë sa më larg.

As shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ndryshon asgjë në motivin që përshkon filmin, por as në komunikimin mes artistëve. “Besoj se edhe në Kosovë ky film do të pritet mjaft mirë e do të shijohet si një vepër arti, sepse si në Serbi, Kosovë, Shqipëri, apo vende të tjera të Ballkanit, përjetojmë të njëjtat ndjesi. Ndajmë të njëjtat halle, kemi të njëjtën mënyrë jetese dhe presim të na pranojnë në Evropë”. Ndaj dhe në qendër vendosen dy familje të thjeshta. Xhirimet e pjesës shqiptare do të zhvillohen në një të tretën e tyre në zona rurale përreth Tiranës e pjesa serbe në një fshat. Me miratimin në QKK, projekti hyn në një fazë tjetër, atë të përpilimit të kontratave e përzgjedhjes së kastit të aktorëve. Nga QKK ky projekt përfiton një shumë prej 30 milionë lekësh të reja, që do të përdoren për zhvillimin e pjesës shqiptare, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga ajo serbe. Përmeti flet edhe për partnerë të sigurtë gjermanë, francezë, zviceranë e italianë. Momentalisht regjisori serb ndodhet në Amerikë, ku po kryen bisedime për një film me aktorin Pierce Brosnan, që do të xhirohet në Irlandë.

Alma Mile Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama