Shqiperia ne Festivalin e Venecias me anijen Vlora

Shqiperia, ne Festivalin e Venecias me anijen 'Vlora'
Dokumentari mbi eksodin e shqiptarëve të vitit 1991 drejt brigjeve të Italisë është bërë pjesë e programit jashtë konkurrimit. Regjisori Daniele Vicari ka marrë dëshmi të protagonistëve, ndërthurur me filmime të asaj kohe.

Shqipëria do të jetë e pranishme në edicionin e 69 të Festivalit të Venecias me dokumentarin “La Nave Dolce” (“Anija e ëmbël”), një prodhim italo-shqiptar dedikuar eksodit të shqiptarëve të vitit 1991. I realizuar nga regjisori italian Daniele Vicari, dokumentari është jashtë konkurrimit, por do të ketë një projeksion special në këtë edicion, që mbahet nga 29 gushti deri më 8 shtator. Shqipëria përfaqësohet në këtë produksion nga shtëpia “Ska-Ndal Production”, të cilët marrin pjesë për herë të dytë në këtë festival, pas prezantimit si bashkautorë dhe producentë me filmin “Muaj Mjalti” të Goran Paskaljevic.

Në një komunikatë për shtyp, shtëpia filmike njofton se filmi dokumentar “La Nave Dolce” u ideua nga kineasti shqiptar Ilir Butka në verën e vitit 2010. Këtij projekti i janë bashkuar “Apulia Film Commission”, “Indigo Film” dhe “RAI Cinema”. Filmi do të prezantohet për herë të parë në Festivalin e Venecias. “Në ndryshim nga filmat e tjerë me temë nga emigracioni masiv i shqiptarëve në Europë në fillim të viteve ’90, “La Nave Dolce” është ndërtuar nga këndvështrimi i një italiani në trajtimin e historive të rrëfyera nga disa prej protagonistëve të eksodit në ditët e sotme. Si e shikojnë atë event ish-protagonistët? Sa kanë ndryshuar?

Si janë integruar dhe shndërruar tashmë këta individë në një vlerë të shtuar në shoqërinë italiane. Kjo është një lloj ‘mea culpa’ që shoqëria italiane i detyrohet këtyre njerëzve të cilët në një moment të caktuar, nuk qe e gatshme t’i priste”, thuhet në njoftimin e shtëpisë filmike “Ska-Ndal Production”. Ndër personazhet që dëshmojnë këtë eksod është edhe balerini shqiptar Kledi Kadiu.

Ndërkohë, vetë regjisori ka treguar diçka më shumë mbi këtë film, për të cilin ka thënë se i është dashur të punojë mbi një strukturë që nuk e kishte aplikuar më parë në punët e tij. “Nuk doja të dëgjoja më fjalët ‘ekstrakomunitarë’, ‘Të arratisur’, ‘të dëshpëruar’ në vend të fjalëve ‘burra’, ‘gra’, ‘fëmijë’.

Falë dëshmive të drejtpërdrejta të protagonistëve, mes tyre edhe italianë që i pritën apo i refuzuan ata 20 mijë shqiptarë, është në gjendje të bëhet një ‘kundërpeshë’ e historisë zyrtare që është gjithnjë lineare dhe për pasojë, jo e gjallë. Më shumë se e vërteta, në një film duhet të jetë jeta”, ka theksuar regjisori. Gjatë këtyre 20 viteve ka pasur kundërthënie të shumta për mënyrën se si është interpretuar dhe trajtuar historia e anijes “Vlora” që mbërriti në brigjet italiane, plot me emigrantë shqiptarë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama