Shperthen Luiza Gega Shteti indiferent ndaj meje!

Shpërthen Luiza Gega: Shteti, indiferent ndaj meje!

Ndërsa Lojërat Olimpike nuk janë shumë larg (nisin më 5 gusht), kampionia e atletikës shqiptare, Luiza Gega, shpreh indinjatën për indiferencën e shfaqur sipas saj nga shteti. gegaNë një prononcim për "Panorama Sport", 27-vjeçarja sqaron se mungesa e mbështetjes financiare ka çuar deri në debate me trajnerin Taulant Stërmasi.

"Unë marr pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike dhe kjo është një ëndërr e çdo sportisti. Pastaj kur ti përzgjidhesh të mbash edhe flamurin është vërtet një emocion i madh. Jam e sigurt se do të jetë një ndër kujtimet më të bukur të karrierës sime sportive", u shpreh fillimisht "Mbretëresha" Gega.

Debatet

Me shumë gjasa, në këtë edicion Shqipëria do të shkojë me një përfaqësim "të cunguar".

"Për mua është hera e parë, pra nuk kam provuar olimpiadë me delegacion më të madh apo të vogël në numër. Sigurisht, sa më e madhe të jetë pjesëmarrja, aq më nivel të lartë tregon sporti kombëtar. Dhe të gjithë bëhemi krenarë kur Shqipëria përfaqësohet sa më denjësisht. Në fakt, akoma jam e pavendosur për këtë, pasi t'ju them të drejtën jam pak e zhgënjyer dhe njëkohësisht e habitur se si shteti shqiptar edhe në vitin olimpik është kaq indiferent. Personalisht nuk kam asnjë ndryshim, po flas për mbështetje, nga vitet e tjera.

Vazhdoj të bëj grumbullimet me bursën e përfituar nga Komiteti Olimpik, por është e vërtet e pamjaftueshme. Përgatitjet për objektiv fillojnë minimumi një vit përpara. Ndërkohë kanë mbetur vetëm 100 ditë dhe akoma nuk është bërë asnjë lëvizje", theksoi Gega. E pyetur se pretendon se nuk ka pasur asnjë mbështetje këto kohë atletja u përgjigj: "Nuk pretendoj. Nuk ka asnjë fond shtesë për mua si atlete për stërvitje në këto dy vite ku edhe performancat e mia kanë qenë më të mira se kurrë.

Para dy javësh kam pasur edhe një debat të fortë me trajnerin, pasi edhe ai e sheh si të pamundur qëllimin e madh me këtë mbështetje. Trajneri im nuk merr asnjë qindarkë nga shteti shqiptar, përveç 60 mijë lekë të vjetër nga Tirana. Më thoni ju, me ç'të drejtë duhet që unë t'i kërkoj trajnerit të vijë me mua në grumbullime ku, përveçse është i detyruar të mos punojë dot, duhet edhe të shpenzojë nga xhepi i vet për këtë gjë?! Debati shkoi deri atje sa më tha 'E kam të pamundur të të stërvit në këtë nivel që je'. Dhe është shumë e drejtë, pasi nuk mund të më ndjekë në këtë mënyrë. Është e pamundur të bëjë edhe fizioterapistin, masazhatorin, trajnerin etj".

Objektivi

Si premierë historike, flamurmbajtësja kuqezi tha se objektivi i saj është kualifikimi në finale. "Do të ishte vërtet sukses për mua. Do të tentoj edhe 3000 m me pengesa, pasi trajneri mendon që aty mund t'i kem shanset edhe më të mëdha. Aktualisht kemi filluar përgatitjet edhe për këtë disiplinë. Dhe ta kuptojnë që do të vijë një moment që nuk do të kenë trajner të tillë që sakrifikojnë çdo të gjë të vetën. Dhe, në fund, urimet i merr edhe federata. U bë rreth pesë vite që jam e vetmja që i sjell medalje vendit. Që do të arrij rezultate, s'e kam thënë vetëm me fjalë, por e kam vërtetuar. Sigurisht që jo gjithmonë gjërat shkojnë siç duhet. Ndodhin edhe gjëra që ti nuk i ke parashikuar", e mbylli reagimin atletja Gega.

Përgatiti: OLGERT SERANI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama