Shpërblehen të gjithë, por jo ata që punojnë në funksion të Kombëtares A. FSHF-ja me një vendim qarkullues të Komitetit Ekzekutiv, ka vendosur të japë shpërblime për administratën e saj pas debutimit të Kombëtares në Europian.
Mirëpo, çuditërisht kanë harruar ata që punojnë me Kombëtaret e moshave. Redi Jupi dhe Vasillaq Zëri (trajneri dhe zv.trajneri i U- 21), Arian Bellaj dhe Sulejman Demollari (trajneri dhe zv.trajneri i U-19), Xhemal Mustedanagiç dhe Ilir Biturku (trajneri dhe zv.trajneri i U-17) kanë qenë të vetmit që nuk kanë marrë premio nga të gjithë pjesëtarët që paguhen nga institucioni i futbollit.
"Panorama Sport" zbulon se u shpërblyen me 5 milionë lekë të vjetër zyrtarët e FSHF-së, të cilët qëndruan në Francë pranë Kombëtares, gjatë Europianit. Gjithashtu, pavarësisht se nuk kanë qenë direkt të angazhuar, FSHF-ja mendoi t'u jepte nga 1 milionë lekë të vjetër secilit, edhe zyrtarëve që qëndruan në Tiranë në institucion.
Nga sa mësohet, për këtë vendim qarkullues nuk është pyetur menaxheri i ekipeve Kombëtare, Alban Bushi. Aktualisht, administrata e FSHF-së, thuajse 80% e saj është me pushime, në një kohë që ende nuk është hedhur shorti i Kategorisë Superiore për sezonin futbollistik 2016-2017.

Arben Çeliku
Mjeku dha dorëheqjen
Një vendim i papritur u morr pak ditë më parë nga mjeku i Kombëtares, Arben Çeliku, i cili përmes një letre, që u botua ekskluzivisht në "Panorama Sport", jep dorëheqjen nga kjo detyrë për arsye personale. Mirëpo, duket se shkaqet lidhen me një mungesë vlerësimi që FSHF-ja ka pasur për stafin mjekësor për sa u përket shpërblimeve pas Europianit të Francës.