Një tjetër shqiptar i rritur jashtë pritet të veshë fanellën e Kombëtares shqiptare. Bëhet fjalë për Shkodran Mustafin, i cili luan aktualisht te Sampdoria në kampionatin italian. Burime të sigurta të “Panorama Sport” në Federatën Shqiptare të Futbollit pohojnë se mbrojtësi mund të grumbullohet së shpejti, madje që në miqësoren e radhës (nuk është vendosur ende se me cilën skuadër do të luajmë më 5 mars), pavarësisht se për të nuk kanë nisur ende procedurat për nënshtetësi shqiptare dhe më pas edhe për pasaportë. Mustafi ka lindur më 17 prill të 1992-it në Bad Hersfeld të Gjermanisë, në një familje shqiptare, me origjinë nga Gostivari i Maqedonisë.
Ai është rritur në akademitë e skuadrave amatore të FV Bebra dhe SV Rotenburg, para se të kalonte te Hamburgu. Por në 2009-ën Shkodran Mustafi u pikas nga vëzhguesit e Evertonit, të cilët e afruan fillimisht te skuadra e të rinjve dhe më pas edhe në skuadrën e parë. Mirëpo këtu nuk pati mundësi aktivizimi, ndaj në 2012-ën pranoi ofertën e Sampdorias, duke u bërë dalëngadalë një lojtar i formacionit titullar.
Ndërkohë kujtojmë se ai është aktivizuar rregullisht me të gjitha kombëtaret e moshave të Gjermanisë, duke filluar që nga U-16, U-17, U-18, U-19, U- 20 dhe tashmë U-21. Por duket se këtu do mbyllet cikli i tij te Gjermania, pasi vetë lojtari e ka pohuar para pak ditësh në një intervistë dhënë në mediat gjermane (“torgranate.de), se nuk pret ndonjë thirrje nga Kombëtarja e parë, ndaj me shumë gjasa do shikojë mundësinë e aktivizimit me Shqipërinë. “Nuk kam asnjë kontakt me Joakim Lëvin dhe, për të qenë i sinqertë, as që e mendoj se do më vijë një ftesë e tillë. Sakaq parashikoj në të ardhmen një aktivizim me Shqipërinë. Për momentin luaj me U-21 të Gjermanisë dhe do mundohem ta shijoj deri në fund këtë aventurë”, – deklaroi Mustafi. Duhet thënë se qendërmbrojtësi i Sampdorias është kontaktuar që para një viti nga trajneri Xhani De Biazi dhe, me shumë gjasa, në ditët në vijim do nisin edhe procedurat që ai të vishet kuqezi.