Për ne nuk ka rëndësi se cili është arbitri i ndeshjes, i huaj, vendas apo nga periferia, për ne ka rëndësi fitimi i ndeshjes”, tha Shkëmbi. Lojtari i skuadrës së Tiranës, Erjon Dushku tha se “Tirana do të shkojë për triumf në Korçë dhe bashkë me të do të fitojmë dhe titullin. Ne nuk kemi probleme me arbitrat shqiptarë, përkundrazi ne kemi arbitra shumë të mirë, por kjo çështje i përket drejtuesve të skuadrës”, tha Dushku. Skënderbeu mban kreun e renditjes me një pikë më shumë se skuadra e Tiranës dhe e Teutës. Ajo që mund të përfitojë nga rezultati i ndeshjes në Korçë mund të jetë skuadra e Teutës, e cila nëse fiton ndaj Dinamos në Tiranë dhe nga ana tjetër, në rast të një barazimi të mundshëm midis Skënderbeut me Tiranës, atëherë ajo do të ngjitej në krye të kampionatit.
Kapiteni i skuadrës së Skënderbeut tha në lidhje me këtë mundësi se “Teuta është një skuadër pretendente në këtë kampionat dhe se ajo mund të përfitojë nga barazimi ynë, por ne nuk mendojmë aspak për dështimin në këtë ndeshje, sepse i kemi të gjitha faktorët në favorin tonë për të triumfuar ndaj Tiranës”, tha Shkëmbi. Lojtari i Tiranës, Erjon Dushku, thotë se skuadra durrsake është skuadër e fortë dhe ajo mund të përfitojë, por ne nuk mendojmë për skuadrat e tjera, pasi çdo gjë varet nga rezultatet tona, kjo duke filluar nga ndeshja ndaj skuadrës korçare”, tha Dushku. Kjo ndeshje është konsideruar nga opinioni sportiv, si ndeshja përcaktuese e kampiones në superligë. Si për çudi, skuadra e Teutës konsiderohet nga media si inferiore ndaj skuadrave kryesuese edhe pse ajo është një pikë larg vendit të parë.
Skuadra e Teutës ka një kalendar më të lehtë në letër, e cila mund të përbëjë dhe një surprizë në javët në vazhdim. Gjithsesi, ndeshja vendimtare për titullin, ajo midis Skënderbeut dhe Tiranës, do të përcaktojë fatet e kampionatit shqiptar në vazhdim. Dushku theksoi gjithashtu, se “ndeshja ndaj skuadrës korçare është shumë e rëndësishme, por kampionati ka dhe shumë javë për tu zhvilluar deri në përfundim të tij”. Ndërsa Shkëmbi e konsideroi këtë ndeshje si përcaktuese për fatet e kampionatit shqiptar, por nënvizoi se “për ne nuk ka asnjë dyshim, fitojmë ndaj Tiranës dhe marrim titullin kampion”, tha Shkëmbi. Super ndeshja e javës së 21-të, Skëndërbeu-Tirana, do të luhet të shtunën në orën 19.00 në qytetin e Korçës.











