Shfaqet sot Skenderbeu i dubluar

Shfaqet sot 'Skenderbeu' i dubluar
Pas 59 vitesh, filmi i njohur ruso-shqiptar vjen i dubluar dhe me një cilësi të lartë të imazhit. Pas premierës me ftesa, nga nesër, “Skënderbeu” i restauruar dhe i dubluar do të shfaqet në rrjetin e kinemave “Imperial” për të gjithë publikun.

Sot në mbrëmje, në orën 19:30, “Skënderbeu” i restauruar do të ketë premierën në kinema “Imperial” në Sheraton. Pas 59 vitesh, filmi i njohur ruso-shqiptar vjen i dubluar dhe me një cilësi të lartë të imazhit. Regjisori Piro Milkani, i cili ka qenë edhe nismëtar i kësaj sipërmarrjeje, thekson se filmi do të vijë në parametra bashkëkohorë, duke ruajtur origjinalitetin e versionit të vitit 1953. Restaurimi dhe dublimi i filmit u mundësua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe “DigitAlb”. Ceremonia që do të zhvillohet sot, do të shënojë pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga MTKRS-ja, nga Qendra Kombëtare Kinematografike, Arkivi i Filmit, por edhe artistë të shumtë. Pas premierës me ftesa, “Skënderbeu” i restauruar dhe i dubluar do të shfaqet në rrjetin e kinemave “Imperial” për të gjithë publikun.

“Do të shfaqet për aq kohë sa të ketë edhe interes nga publiku”, thekson regjisori Piro Milkani. Sipas tij, po sot, në të njëjtën orë, premiera e filmit do të shfaqet për shqiptarët e Shkupit, ku do të jetë i pranishëm aktori Rikard Ljarja (i cili dublon Skënderbeun) me bashkëshorten e tij, aktoren Marjeta Ljarja e po ashtu edhe në Prishtinë, ku do të jenë të pranishëm përfaqësuesit e “DigitAlb” dhe regjisori i dublimit, Esat Musliu. Milkani bën të ditur edhe faktin se me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me përpjekjet e ambasadorit shqiptar në Moskë, Sokol Gjoka, televizioni publik i Rusisë ka shfaqur në datën 30 nëntor filmin “Skënderbeu”, versionin e vjetër që ata zotërojnë.

“Mendojmë se do të hyjmë në bisedime me Rusinë, në mënyrë që edhe atje të çojmë një kopje të restauruar të filmit, pasi kopja e vjetër ka cilësi të tmerrshme”, tregon regjisori Piro Milkani. Aktori Rikard Ljarja dublon Skënderbeun, Roza Anagnosti Donikën, Tinka Kurti nënën, Robert Ndrenika sulltan Muratin e kështu me radhë. Regjisori i dublimit, Esat Musliu, thotë se është zgjedhur një kastë prej 60 aktorësh nga më të mirët. Dublimi është bërë në studion “NGS Recording”, ndërsa për restaurimin filmi u dërgua në Itali në studiot e “Augusta Color”, ku u punua për çdo kuadër. Origjinali i realizuar në vitin 1953 nga regjisori i njohur rus, Surgei Jutkeviç, sipas Milkanit ka pasur probleme të mëdha teknike të kohës kur është realizuar. Muzika e mrekullueshme e kompozitorit rus, Sviridov, dhe Çesk Zadesë është ribërë stereo, në bazë edhe të partiturave që u siguruan në arkivin e Moskës. Ndërkohë që janë përmirësuar zhurmat dhe janë shtuar shumë elemente të munguara, si përplasja e shpatave apo rrëzimi i kuajve.

“Skënderbeu” është dubluar në gjuhën letrare dhe kjo, sipas regjisorit Milkani, është më se e domosdoshme, sepse gjuha ka evoluar që nga viti 1953 dhe filmi u përket të gjithëve. “Varianti origjinal, klasik, shqiptaro-sovjetik i asaj kohe do të jetë, jetë e mot. Prej atij varianti ne kemi përfituar një kopje bashkëkohore. Një kopje në 35 mm do t’i shkojë edhe Arkivit të Filmit”, thekson Milkani. Kureshtja për të parë këtë version të restauruar dhe dubluar të filmit “Skënderbeu” është e madhe. Prej nesër do të shfaqet në rrjetet e kinemave “Imperial” (në Sheraton, qendrën “Kristal” dhe në kinema “Agimi”).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama