Shfaqet pelikula e paster

Shfaqet pelikula e paster
Arkivit Qendror Shtetëror i Filmit në Tiranë dhe Colorlab Corp (San Francisco) njoftojnë përfundimin me sukses të restaurimit dhe përshtatjen e subtitruar në anglisht të filmit artistik shqiptar “Nëntori i dytë” (1982) i regjisorit Viktor Gjika.

Sipas Regina Longo-s, drejtuese e projektit, filmi i Gjikës është gati të shfaqet për publikun. Data më e afërt është 3 nëntori, në Kinema Millenium në Tiranë. Me këtë projeksion hapet Festivali i Filmit Shqiptar, edicioni i 13-të që organizohet në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, 3-9 nëntor.

Është restaurimi i parë dixhital që kryhet te një vepër kinematografike shqiptare. Kopja e re është pastruar nga gërvishtjet dhe pluhurat, ngjyrat kanë kaluar në korrekturë. Colorlab Corp ndihmoi me 30 mijë dollarë shërbim laboratorik.

Projekti i Kinemasë Shqiptare që lindi verën e shkuar bëri bashkë individë që ngritën zërin për të ndryshuar gjendjen e ruajtjes së filmave në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit. Regina Longo-s, edhe në pozitën e këshilltares së jashtme për AQSHF, iu besua drejtimi i Projektit të Kinemasë Shqiptare. Një nga qëllimet kryesore u shpall promovimi i trashëgimisë sonë filmike dhe nisja e fushate sensibilizuese për mbledhje të fondeve për restaurimin e pelikulave dhe për përmirësimin e kushteve klimatike në AQSHF bashkë me rikonstruksionin e ndërtesës.

Vepra e Gjikës nuk është prezantuar asnjëherë për publikun jashtë Shqipërisë dhe pas këtij restaurimi ajo do të ndjekë një program promocioni në disa festivale botërore që u kushtohen thesareve të arkivave filmike. Falë Projektit të Kinemasë Shqiptare promovimi nis në ShBA dhe vazhdon në Evropë. Fillimisht në mars 2013, me ndihmën e Ambasadës Amerikane në Tiranë, prezantohet në The Orphan Film Symposium në Nju Jork dhe në Arkivin e Universitetit të Wesleyan-it.

Siç e ka dëshmuar regjisori Viktor Gjika (1937-2009) në kujtimet e tij “Vit pas viti” (2009), ideja për një film mbi aktin final të pavarësisë së Shqipërisë, i kishte lindur verën e vitit 1981. “Deri atëherë nuk ishte realizuar asgjë në këtë temë, nuk ishte shkruar asnjë dramë, roman apo tregim, as në lëmin e arteve figurative nuk kishte ndonjë portret apo tablo, e aq më tepër ndonjë vepër në fushën e muzikës së kultivuar.

As në historiografinë shqiptare nuk ka pasur shumë materiale, studime e botime në atë kohë. Në duart e mia kisha vetëm librushkën “Ismail Qemali” të shkruar nga Skënder Luarasi, një shirit me disa këngë popullore dhe shumë pak fotografi. Si i thonë fjalës “i hyra detit më këmbë!” Një ndihmë shumë të çmuar më dhanë punonjësit e Bibliotekës Kombëtare dhe të Institutit të Historisë por në mënyrë të veçantë historianët Koli Xoxe, Kaliopi Bozo e Gazmend Shpuza, i cili u bë edhe konsulenti shkencor i filmit të ardhshëm”, vazhdon Gjika.

Ai e quan fat gjetjen e portretit të Sandër Prosit për të interpretuar rolin e Ismail Qemalit, po edhe të aktorëve të tjerë për rolet e figurave historike: Reshat Arbana për rolin e Isa Boletinit, Bujar Lako për Luigj Gurakuqin etj. “Rëndësi të veçantë pati grimi i shkëlqyer i Llukan Bushit, zgjidhja figurative e operatorit të shquar Lionel Konomi, dekoret e piktorit Arben Basha dhe pa dyshim muzika emocionante e kompozitorit tonë të madh Kujtim Laro”, tregon Gjika. “E vetmja vështirësi që nuk u kapërcye dot ishte vendimi i Komisionit të Kontrollit Paraprak për të hequr nga filmi episodin “Beteja tek ura me tri harqe” në të cilën Isa Boletini detyrohet të ndeshet me ushtarët serbë që të hapë rrugën për të qenë prezent në momentin e Shpalljes së Pavarësisë. Ishte pikërisht kjo betejë që e çoi Isën në Vlorë me dy ditë vonesë.

U ngul këmbë që episodi të hiqej, ndryshe filmi nuk do të shfaqej.” AQSHF bëri përpjekje për të gjetur pjesët e prera dhe me rastin e restaurimit shpresohej që të përgatitej edhe një kopje e plotë. Por nuk u realizua.

Në premierën e kësaj pelikule që përkon me 30-vjetorin shfaqjes së parë më 27 nëntor 1982 në Vlorë, AQSHF do të prezantojë ato materiale që disponon për kinoprovat e filmit historik, skenarin origjinal dhe një koleksion fotografish. Projekti i Kinemasë Shqiptare do të vazhdojë. Filmi i dytë mendohet të jetë “Ballë për ballë” i Kujtim Çashkut.

Censura për personat me “biografi të keqe”

Një vizitor i çuditshëm ka trokitur këto kohë në derën e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Kishte dëgjuar lajmin për restaurimin e “Nëntorit të Dytë” dhe kishte kërkuar të takonte specialisten e Arkivit Eriona Vyshka. Ky vizitor ishte babai i postierit të ri, Kostës, aktorit në film që sjell telegramin me të rejat për Ismail Qemalin.

Është pikërisht djali që shohim në fotot e filmit të restauruar, i veshur me kilota e kasketë që vrapon të përcjellë lajmet për ngjarjet që i prijnë pavarësisë. Emri i këtij të riu nuk ka figuruar në titrat e filmit për shkak të “biografisë së keqe”, si biri i një familjeje të papëlqyer nga regjimi komunist. Vizitori i ka shpjeguar specialistes se Viktor Gjika kishte këmbëngulur ta merrte të birin në film duke pranuar edhe kushtin absurd që të mos i përmendej emri në titra.

“Ai quhet Amarildo Pregapuca. Babi i tij kishte dëgjuar për restaurimin prandaj erdhi për të pyetur nëse është e mundur që të rregullohet kjo padrejtësi që i ishte bërë të birit”, tregon Eriona. 

Së fundi mësojmë se kjo padrejtësi është shlyer. Drejtuesja e projektit të restaurimit, Regina Longo është përgjigjur pozitivisht. Emri i Amarildo Pregapucës është futur në të dhënat e filmit “Nëntori i Dytë”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama