Se shpejti Gjino dhe “Perjetesi” vijne ne versionin dixhital

Se shpejti Gjino dhe “Perjetesi” vijne ne versionin dixhital

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka njoftuar se në filmave të fondit “Anagnosti”, “Përrallë nga e kaluara” dhe “Përjetësi” do t’u bëhet një restaurim dixhital. Në fund të nëntorit të vitit 2014, Ministria e Kulturës miratoi projektin e paraqitur nga AQSHF-ja, projekt i cili u mbështet pjesërisht edhe nga “Hungarian FilmLab” në Budapest.

Filmat

“Përrallë nga e kaluara” Anagnosti, 1987 është padyshim një nga filmat ikonë të kinematografisë shqiptare si dhe një paraqitje, jo vetëm e artit kinematografik shqiptar por edhe e traditës, letërsisë, zakoneve, kostumografisë dhe muzikologjisë shqiptare.

Ndërsa filmi “Përjetësi” Anagnosti, 1974, është një trajtim poetik dhe emocional i temës së të rënëve të luftës antifashiste dhe do të promovohet me rastin e 71-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë.

Pse u zgjodhën këto tituj?

Të gjitha fazat e prodhimit të filmave “Përrallë nga e kaluara” dhe “Përjetësi”; xhirimi, proceset laboratorike, montimi, stampimi, janë bërë në laboratorin e Kinostudios, i cili në ato vite, sidomos në 1987, ishte tashmë i vjetërsuar si nga aparaturat, nga teknologjia e përdorur ashtu edhe nga materiali filmik i përdorur për stampimin e filmave.

Për këtë arsye, këto filma, nuk u prodhuan në standardet e duhura teknike. Filmi “Përrallë nga e kaluara” ka marrë dhjetëra çmime ndërkombëtare gjatë shfaqjeve në kohën e tij, por nuk ka mundur asnjëherë të hyjë në festivale të rëndësishme, pikërisht sepse ka qenë prodhuar jashtë kushteve teknike.

Për më tepër, filmi “Përrallë nga e kaluara” ka vetëm 3 elementet bazë në 35mm; 1 negativ, 1 fonogramë (negativi i zërit) dhe 1 pozitiv. Nuk është prodhuar asnjëherë elementi dubël-negativ, që është elementi i ruajtjes arkivale nga i cili prodhohen kopje të tjera në rast se negativit i ndodhin dëmtime të parikuperueshme.

Ndërsa dokumentari “Përjetësi” ka dekolorim ngjyrash, mbizotëron në imazh vetëm ngjyra blu dhe rrezikohet dekompozimi total i ngjyrave nëse nuk i bëhet kopje e restauruar.

Në të vërtetë, në fondin e AQSHF-së ka tituj te tjerë më problematikë për sa i përket kushteve në të cilat ndodhen, por restaurimi i tyre kërkon një projekt me buxhet më të madh në dispozicion.

AQSHF-ja ka njoftuar gjithashtu se është në kërkim të bashkëpunëtorëve të mundshëm për restaurimin e një tjetër filmi “Ballë për Ballë”, i cili sipas AQSHF-së rrezikon dekolorimin total të ngjyrave.

Procesi i restaurimit

Skanimi në rezolucionin 2K, restaurimi, korrektimi i ngjyrave, pastrimi i zërit dhe përgatitja e fileve profesionale dixhitale kërkon laborator dhe specialistë të specializuar. Këto shërbime nuk ofrohen në vend. Nga kërkimet tona në rajon, kemi kontakt me “Hungarian Filmlab”, Budapest të cilët na kanë ofruar shërbimin e tyre të specializuar.

Koordinatorja e Projektit, Eriona Vyshka, ka qenë vetë në datat 13-14 nëntor 2014 në studiot e “HumgarianFilm Lab” për vizitë dhe është takuar me drejtuesit dhe specialistët e restaurimit. Pas kësaj, drejtoresha e AQSHF-së, Elvira Diamanti dhe drejtoresha Ekzekutive e “Hungarian FilmLab”, Csepaine Havas Agnes kanë nënshkruar kontratën për projektin.

Versionet dixhitale që do të prodhohen janë të transferueshme në film 35mm, gjë që mund të bëhet në një fazë të dytë për arsye të kostove më të larta, por nga ana tjetër do t’i siguronte filmave një jetëgjatësi.

Projekti pritet të përfundojë në pranverë 2015.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama