Trajneri i Rusisë, Gus Hidink, është shprehur shumë i kënaqur për fitoren e arritur ndaj Suedisë, e cila solli edhe kualifikimin për në çerekfinalet e Euro 2008. “Një fitore e rëndësishme dhe një kualifikim po aq i rëndësishëm. Jam shumë i kënaqur me lojtarët e mi, të cilët nuk e ulën ritmin për asnjë minutë. Tashmë duhet të mendojmë për sfidën e ardhshme, e cila do të jetë me të vërtetë mjaft e vështirë. Gjithsesi, ne duhet të vazhdojmë të luajmë me këtë ritëm”, – theksoi kreu i pankinës ruse, Hidink. Gjithsesi, ai nuk e shikon si perfekte lojën e skuadrës së tij, duke kritikuar të njëjtën gjë: “Ne shpërdorojmë mjaft raste për shënim. Kam parë Holandën në ndeshjet e zhvilluara në grup dhe arma e tyre më e fortë është saktësia para portës. Duhet të jemi edhe ne ashtu, për të vazhduar aventurën evropiane”. Trajneri holandez i rusëve e njeh mirë kundërshtarin, ndaj pritet që ta përgatisë me shumë kujdes skuadrën e tij, pavarësisht se do ketë përballë një nga ekipet më në formë të Evropianit.
Lagerbak: Rusia, shumë më mirë fizikisht
Trajneri i Kombëtares së Suedisë, Lars Lagerbak, ka analizuar humbjen me përfaqësuesen ruse, që solli edhe eliminimin nga kampionati evropian. “Ne u munduam të ishim sa më të qetë në fushë dhe të saktë taktikisht. Dëshironim të përdornim kundërsulmin dhe gjuajtjet nga jashtë zone, pasi nuk ishim në formën e duhur fizike. Fakti që Kombëtarja ruse ishte shumë më mirë në këtë aspekt, bëri që ata të dominojnë në fushë dhe të arrijnë të fitojnë. Më vjen keq për një eliminim të tillë, pasi nëse do të kishim qenë në maksimumin tonë, nuk do e kishim diskutuar fitoren”, – u shpreh Lagerbak, i cili la në fushën e lojës për 90 minuta yllin e skuadrës së tij, Zlatan Ibrahimoviç, pavarësisht se ky i fundit nuk ishte i aftë të luante gjithë kohës.
Arshavin: Tani e ka radhën Holanda
Ylli i Kombëtares ruse, Andrei Arshavin, është shprehur shumë i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij dhe deklaruar se ka mjaft besim te forca e lojtarëve të tij. “Ndaj Suedisë arritëm të tregojmë se jemi më të fortë dhe se e meritonim ne kualifikimin për në çerekfinale. Tashmë e ka radhën Holanda. Do jetë një ndeshje tepër e fortë, por ne do të vazhdojmë ëndrrën tonë dhe shpresoj t’i shkojmë deri në fund. Kemi një skuadër kompakte, e cila do të përballonte me sukses çdo kundërshtar. Jam gjithashtu i lumtur që u riktheva nga pezullimi duke shënuar gol”, – tha Arshavin, i cili shënoi golin e dytë për Rusinë.











