Rusi Ja si Hasani u be pre e doktoreve mashtrues

Rusi: Ja si Hasani u bë pre e doktorëve mashtrues

Edon Hasani nuk ka dashur në asnjë mënyrë që ta humbasë ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit. Ai ka rrezikuar shumë duke qenë në fushë. hasaniMadje, duhet thënë se të gjithëve u ka bërë përshtypje fakti që ai ishte në formacionin e ekipit, duke qenë se më parë stafi mjekësor kishte deklaruar se lojtari e kishte humbur takimin pas dëmtimit që kishte pësuar në takimin ndaj Tiranës.

Por, lojtari u ka kërkuar mjekëve të ekipit, Pertef dhe Perli Rusit që t'i bënin gjilpërë, në mënyrë që ai të ishte në fushë, por këta të fundit nuk kanë pranuar, pasi tërheqja që lojtari kishte pësuar ishte e rëndë. Por, lojtari nuk është pajtuar me një gjë të tillë dhe është lidhur me një tjetër fizioterapist dhe infermiere, të cilët kanë marrë përsipër t'i bëjnë një gjilpërë lojtarit dhe ashtu ka ndodhur.

Por, Hasani është aktivizuar vetëm në pjesën e parë dhe në të dytën nuk ka mundur më të vazhdojë. Vetë futbollisti është shprehur se tani pret rezultatet e rezonancës për të parë shkallën e dëmtimit.

Deklarata

Në një prononcim për "Panorama Sport", fizioterapisti i Kukësit, Perli Rusi, në emër edhe të babait të tij, Pertefi, që është mjek i skuadrës, ka folur në lidhje me atë që ka ndodhur me Hasanin.

"E vërteta e Edon Hasanit është ndryshe nga ajo që u trajtua para ndeshjes së finales së Kupës së Shqipërisë. Kronologjia e dëmtimit të tij filloi në ndeshjen me Tiranën, ku lojtari bëri tërheqje të gradës së dytë dhe, pas ekzaminimeve nga stafi mjekësor, rezultoi që ishte e pamundur që Hasani të ishte i gatshëm në finalen e Kupës.

Hasani, duke vendosur shpirtin e garës dhe sakrificës, dëshiroi të ishte pjesë e ndeshjes dhe ra pre e mashtrimeve të një fizioterapisti, i cili merr përsipër me gjilpërën 'magjike' të bëjë atë që profesorët më me emër nuk e bëjnë. Nga ajo çka na tha lojtari, ne si staf mjekësor vumë në dijeni presidentin.

Ai, si gjithmonë i pakursyer për më të mirën dhe që ekipi të jetë sa më i plotë, dha miratimin, por pa ditur për mashtrimin e sharlatanëve apo 'Don Kishotit' në fjalë. Na është kërkuar ne të kryejmë procedurat që ai kishte sugjeruar, por normalisht ne nuk jemi magjistarë, sepse çdo traumë ka kohën e saj të nevojshme dhe të detyrueshme për rikuperimin, ndaj dhe nuk pranuam për të mirën e Hasanit në radhë të parë, por dhe të aspektit tonë profesional, njerëzor dhe personal.

Gjithashtu edhe për të respektuar investimin miliona euro të presidentit që në fushë të ishin 11 kundër 11 dhe jo 11 kundër 10. Sinqerisht na vjen shumë keq për Edon Hasanin që nga dëshira e madhe për të qenë dhe për të sakrifikuar ra pre e një mashtruesi duke e dëmtuar më shumë bicepsin, për më tepër që vinte dhe pas një dëmtimi.

Si ka mundësi që një ndër mjekët sportivë i mirëfilltë, me më shumë eksperiencë në këtë fushë Pertef Rusi, nuk e mori përsipër?

Është e pamundur të rikuperohet në 3 ditë një tërheqje për më tepër duke bërë gjilpërë, e cila me shumë dëmton sesa shëron, ndaj dhe Dr.Pertef Rusi nuk e mori përsipër. Na dhembte shpirti teksa shihnim Hasanin në fushë me një këmbë si luan i plagosur, viktimë e një mashtrimi vetëm për të treguar se unë mundem.

Në lidhje me gjendjen aktuale të lojtarit, ne sot do t'i bëjmë rezonancën, e cila do tregojë shkallën e dëmtimit, por urojmë që dëmtimi të mos jetë sa për të kryer ndërhyrje, e cila do t'i kushtonte shumë. Mbas saj do të shohim protokollet e rikuperimit", ka sqaruar Perli Rusi, i cili është pjesë e skuadrës së Kukësit prej disa viteve një prej fizioterapistëve më të mirë në vend.

Përgatiti: SKERDILAID SULOZEQI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama