Rudi Vata Cungu ka te drejte Vllaznia eshte peng i politikes

Rudi Vata: Cungu ka të drejtë, Vllaznia është peng i politikës

Rudi Vata i jep të drejtë Armando Cungut për akuzat, që ky i fundit ka bërë në lidhje me ndë- rhyrjen e politikës te Vllaznia. Në vijimin e rrëfimit ekskluziv për "Panorama Sport", Vata hedh dritë mbi këtë problematikë, që sipas tij e ka marrë peng klubin shkodran.

47-vjeçari, që drejtoi për pesë muaj Vllazninë në sezonin 2011-2012, flet me emra konkretë, nga ndërhyrjet e ish-drejtuesve, e deri te rastet kur për lojtarë të veçantë njerëz me pushtet në Shkodër i bënin presion.

Vata ne Vllaznia-Kamza 4-0

Problemi ndër vite

"Gjatë periudhës që punova te Vllaznia, më ka ndodhur çdo ditë që politika të fuste hundët në skuadër. Kjo është fatkeqësia më e madhe në Shkodër, sepse futbolli është i lidhur me politikën. Qytetit tim të lindjes ia ka prishur çdo vlerë kjo politikë, duke e marrë në qafë edhe klubin e futbollit. Njerëzit janë përdorur nga politika dhe çuditërisht, personat më pa vlerë kanë pozicione të rëndësishme në Shkodër dhe duan të ndikojnë në skuadër.

Një njeri me kulturë nuk përzihet me gjërat që nuk i takojnë, ndërsa në Shkodër ndodh që duan të vendosin edhe se si do të jetë formacioni i ekipit. Te Vllaznia ndihet shumë kjo përzierje e politikës dhe dihet që e djathta ka dominuar në qytet, por nuk ka vendosur njerëzit e duhur në klub për të ngritur nivelin. Pra, ka qenë më e prirë për të emëruar në pozicione të rëndësishme te Vllaznia njerëz që i kanë shërbyer për vota", nis rrëfimin e tij ish-trajneri i Vllaznisë.

Rudi-vata

Historia me Shabën

"Kam një histori me ish-drejtorin e përgjithshëm të klubit, Kujtim Shaba. Kur unë drejtoja Vllazninë, nënkryetari i Bashkisë ishte djali i tezes së Shabës. Në atë kohë unë i kam kërkuar që të ma largonte Kujtimin, sepse nuk i kishte ato vlera për të qenë drejtor klubi. Nuk kam pasur diçka personale me Shabën, por thjesht ishte i paaftë për atë pozicion.

Mirëpo, u arrit situata deri aty, saqë Kryetari i atëhershëm i Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, më merr në telefon dhe më thotë: 'po na prish me njerëzit tanë'. Pra, shoqëria dhe interesi ishin shumë më të rëndësishme, se ndërtimi i klubit në shërbim të qytetit. Në këto kushte, edhe unë e kuptoj shumë mirë Cungun, pasi janë të vërteta ato që ai thotë", është shprehur Vata.

Presioni për Sukajn

"Rast tjetër kur ka ndërhyrë politika ishte pezullimi i Xhevahir Sukajt nga skuadra. Më kanë ardhur njerëz me pushtet për të më bindur që mos ta pezulloja, duke menduar se ishin të fuqishëm dhe do të më impononin gjithçka.

Unë Sukajn e pezullova për një gjest antisportiv dhe me kalimin e kohës njeriu reflekton dhe unë mund të ndryshoja mendim, duke i dhënë edhe një tjetër shans. Por, unë nuk u lëkunda, dhe më tepër, këtë e bëra për t'i treguar politikës që nuk jeni ju ata që vendosni te Vllaznia. Nuk jeni ju ata që vendosni për lojtarët dhe për edukimin e Sukajt.

Xhevahir-Sukaj-Vllaznia

Veprimi im ekstrem nuk u pëlqeu njerëzve me pushtet dhe më pas plasi në klub. Këta donin t'i shërbenin futbollit me mënyra meskine, ndërsa unë kisha ardhur në Shkodër thjesht për t'i dhënë qytetit dhe jo t'i merrja. U largova, sepse pash që nuk mund të vazhdohej më tej.

Politika ka shumë influencë në Shkodër dhe kjo ndodh sepse shumë burra në qytetin tim janë frikacakë. Për mua nuk kanë asnjë lloj vlere këta njerëz me pushtet që duan të diktojnë edhe në klub", përfundon ish-kapiteni i Kombëtares.

JORGIS MEMO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama