Rrefimi i mjekeve kuqezi Puna me lojtaret dhe rasti Mavraj

Rrëfimi i mjekëve kuqezi: Puna me lojtarët dhe rasti Mavraj

Ana fizike dhe shëndeti i futbollistëve është shumë i rëndësishëm përpara dhe gjatë kompeticioneve. Me shumë përkushtim në punën e tyre, stafi mjekësor i Kombëtares, i përbërë nga ortoped dhe disa fizioterapistë, është në gatishmëri të plotë në prag të Europianit.

13315292_1141611609225017_6742976332884212544_nNë një speciale të "Supersport", infermieria kuqezi tregon për punën që po bëhet dhe detajet pikante nga dëmtimet e futbollistëve.

Arben Çeliku - Është një ortoped dhe punon prej shumë vitesh në Spitalin Ushtarak në Tiranë. "Kam që nga muaji maj i vitit 2008 që bëj detyrën e mjekut të Kombëtares.

Teorikisht puna jonë konsiston në 'check-up' e lojtarëve dhe trajtimin e tyre, normalisht për aq kohë sa janë të angazhuar me Kombëtaren.

Normalisht vetëm tani në prag të Europianit koha është disi më e gjatë, pasi në ndeshjet eliminatore kemi pak ditë në dispozicion.

Dëmtimet e futbollistëve në këto kushte mund të rikuperohen ose jo, varet nga koha që kemi. Përpara se të nisim grumbullimet, kemi informacionin e duhur për çdo lojtar sa i përket gjendjes së tyre.

Zv.trajneri Paulo Tramexani na raporton për çdo lojtar, i cili ka pasur probleme në ndeshjet e fundit me klubet. Kur nis grumbullimi, kontrollojmë të parët ata futbollistë që janë më problematikë.

Marrim të dhënat e tyre nga mjeku i skuadrës ku po aktivizohen dhe më pas bëjmë ekzaminimet radiologjike të tyre. Pas vlerësimeve të situatave, planifikojmë edhe punën", tregon Çeliku.

Ylli Mihali - Ka 20 vjet si pjesë e stafit mjekësor të kuqezinjve dhe ka parë nga të gjitha. Megjithatë, për fizioterapistin Mihali, përgjegjësia mbetet e njëjtë, në çfarëdo kompeticioni.

"Si eliminatore apo Europian, përgjegjësia mbetet e njëjtë për ne. Por, natyrisht tani që jemi për herë të parë në Europian, përgjegjësia jonë është edhe më e madhe. Sigurisht, edhe emocionet janë më të mëdha. Në këtë fazë ku jemi lojtarët janë pak të ngarkuar fizikisht.

Muskujt i kanë të lodhur, pasi kanë zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë. I trajtojmë përpara stërvitjes dhe gjithashtu me terapi e masazhe në mbrëmje", ka thënë Mihali. I pyetur për momentin më të vështirë të ndonjë dëmtimi gjatë viteve të fundit, fizioterapisti rrëfen rastin e mbrojtësit Mërgim Mavraj.

"Dëmtimi më specifik që mund të quaj është ai i Mavrajt dhe kthimi i tij në kohë rekord para ndeshjes me Armeninë në Elbasan. Ka pasur një rupturë muskulore dhe u bë gati në një kohë rekord", është shprehur fizioterapisti i Kombëtares, i cili nuk ngurron të bëjë një batutë kur pyetet nëse edhe ai ka nevojë për ndonjë masazh kur lodhet me lojtarët.

"Kush na i bën ne masazhin? Tani edhe ne ndihmojmë njëri-tjetrin. Punojmë si skuadër".

Alban Merepeza - "Jam një nga fizioterapistët e ekipit prej tri vitesh e gjysmë. Fillimisht kam qenë te Kombëtarja Shpresa, e më pas kalova te skuadra e parë. Puna jonë është e përqendruar në kujdesin e problemeve muskulore që kanë lojtarët.

Puna jonë është e ndarë në disa mënyra dhe mund t'ju them se kemi aparaturat më moderne. FSHF-ja ka bërë një punë të shkëlqyer, duke na vënë në dispozicion të gjitha aparaturat, duke filluar nga ajo lazer, ultrasonik, tekar, si dhe disa pompa kompresioni, që përdoren edhe nga Kombëtaret më të mëdha të botës.

Nga ana profesionale na është dhënë mundësia për të bërë punën më të mirë të mundshme si fizioterapistë", ka thënë Merepeza.

Filipo Iori - "Jam fizioterapist te skuadra kuqezi që prej vitit 2011. Jam i kënaqur me punën që po bëj, pasi djemtë janë shumë të sjellshëm dhe me plot humor.

Pra, një ambient ideal për të punuar me kënaqësi dhe me qetësi. Në këto momente që po flasim po bëj një 'tekar' terapi, që po e aplikoj për disa probleme në shpatull që ka pasur mesfushori Abrashi. Kjo lloj terapie është shumë efikase", tregon italiani.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama