Rrefehet Klodian Duro Kurre me i pavleresuar se te Kukesi

Rrëfehet Klodian Duro: Kurrë më i pavlerësuar se te Kukësi

Klodian Duro do të njihet në historinë e skuadrës së Kukësit, si trajneri që u dha trofeun e parë verilindorëve, të cilët nën drejtimin e tij ngritën Kupën e Shqipërisë. I larguar me polemika nga verilindorët për shkak të akuzave se kishte kërkuar miliona për kontratën e re, Duro vendos të rrëfehet në një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport".

klodian duro

A e ndieni veten pjesë të suksesit të Kukësit në fitoren e Superkupës?

U ndjeva shumë mirë dhe jam gëzuar si të isha vetë pjesë e Kukësit, pasi ekipi ishte në finale pas Kupës së Shqipërisë që e fituam.

Si ishte për ju ta shihnit ekipin nga televizori?

Do të ishte më mirë sikur të kisha qenë vetë në drejtim, sepse Kukësi erdhi në këtë finale falë një pune shumë të madhe dhe kurorëzimi me suksese të një sezoni të nisur dobët, por të mbyllur në vendin e tretë duke siguruar kualifikimin në Europa Ligë nga kampionati, por mbi të gjitha duke fituar Kupën e Shqipërisë për herë të parë në historinë e tij.

Disa nga lojtarët janë bërë pjesë e ekipit falë këmbënguljes suaj. Keni një vlerësim për lojën që bën?

Ekipi zhvilloi një ndeshje të mirë dhe jo më kot fitoi trofeun, me meritë të plotë.

Futbollistet e Kukesit duke ngritur trofeun ne fushe

Sa ka ndryshuar kjo skuadër, nga ajo që ju drejtonit?

Sigurisht që ky Kukës ka ndryshuar në emra dhe në mënyrën e lojës, por e rëndësishme është që nuk ka harruar të fitojë.

Nëse do të ishit ende në stol, çfarë do bënit ndryshe apo më tepër në Kupat e Europës?

Do të bëja shumë më tepër nga ajo që u bë dhe për këtë jam shumë i bindur, pasi unë nuk kënaqem me pak. Nëse për Kukësin ishte trofeu i parë, për mua ishte hapi i parë drejt ndërtimit të një ekipi dhe të një klubi profesionist si asnjë tjetër në Shqipëri për të arritur suksese të njëpasnjëshme.

Kukësi do të ishte një nga klubet për t'u pasur zili jo vetëm në Shqipëri, por dhe më gjerë. E thënë shkurt, ëndrra dhe objektivi im ishte që të arrinim të kualifikoheshim në fazën e grupeve të Europa Ligë, gjë që do sillte miliona euro në arkat e klubit, të cilat do të krijonin bazën për t'u forcuar dhe për të arritur tek ëndrra, të cilat nisnin me Superkupën dhe pastaj të kurorëzoheshim me titullin kampion.

kukesi duro rusi

Si mendonit t'i arrinit këto?

Që në fillim, kur unë pranova të isha trajner i Kukësit, e bëra me pikësynimin e vetëm për të dhënë eksperiencën time të gjatë në futbollin profesionist te Kukësi.

Në bashkëpunim të plotë, unë personalisht me presidentin Gjici, që në merkaton e janarit kam punuar pa pushim ditë e natë, për të gjetur lojtarët e duhur që na plotësonin dhe për të krijuar atë ekip që panë të gjithë gjatë gjithë fazës së tretë dhe të katërt. Me ata lojtarë arritëm të ishim ekipi që grumbulloi më shumë pikë, në këto dy faza të kampionatit dhe që fitoi Kupën e Shqipërisë.

Nuk ishte e lehtë që të gjeje sulmues si Emini, një profesionist si Dvornekoviç dhe një lider të heshtur si Lladrovci, të cilët u lidhën shumë mirë me pjesën tjetër të ekipit, për të bërë të mundur sukseset që arritëm. Natyrisht që nuk ishte e lehtë të krijoje atë harmoni perfekte si në fushë, ashtu dhe jashtë fushe.

Por ajo që është më kryesorja, harmonizimi në perfeksion i mënyrës sonë të lojës dhe bindja që e krijuam ndeshje pas ndeshjeje, që Kukësi jo vetëm luan mirë, por ecën me bindjen për të fituar trofe.

kukesi austria

Kukësi nuk kishte arritur të fitonte trofe në këto katër vite, megjithëse luftonte denjësisht me ekipet e kreut...

Që në momentin e parë që shkova te Kukësi nuk fliste njeri për trofe, por vetëm si të shpëtonim sezonin. Por unë ju thashë që pranova ta nis karrierën time si trajner i Kukësit, sepse klubi kishte bërë histori në Europë dhe ishte shpallur për dy vite nënkampion i Shqipërisë, si dhe dy herë finalist i kupës.

Por një ekip për t'u quajtur i madh dhe për t'u quajtur kampionë duhet ta fitojë trofeun jo vetëm t'i shkojë afër. Bindja dhe vullneti im ishin vetëm arritja te trofetë, gjë të cilën ne në fund e bëmë realitet.

Kishit marrë përsipër të pamundurën ta bënit të mundur dhe, mbas një nisje të keqe të sezonit si asnjëherë në katër vite, të arrinit objektivin për përfaqësim në Europë...

Unë nuk kam frikë nga sfidat dhe mora përsipër që të filloja punën si trajner, sepse më pëlqejnë gjërat e vështira, ato që duken të pamundura, pasi gjërat e lehta nuk bëjnë për mua. Si Kukësi nuk kishte arritur të fitonte trofe, ne e bëmë të pamundurën të mundur, kështu që të njëjtën gjë isha i bindur që do ta realizonim dhe në Europë duke u futur në grupe.

hasani duro

Përse jeni i bindur?

Bindja vjen natyrshëm, sepse shkallët ngjiten një e nga një dhe Kukësi i gjithë këtyre viteve kishte treguar që dinte të rivalizonte në Shqipëri, por mbi të gjitha të kalonte turet në Europë.

Atë që na mungonte, trofeu, e arritëm dhe me gjithë bazën e lojtarëve, duke punuar me shumë kujdes në merkaton e verës, duke afruar 5-6 futbollistë për të forcuar dhe rritur në cilësi ekipin, do ta bënin realitet arritjen në fazën e grupeve.

Si qëndron e vërteta e largimit tuaj nga Kukësi?

Nuk ka qenë e lehtë që unë të ndahesha nga Kukësi, por disa faktorë ndikuan që unë të merrja këtë vendim.

Cilët janë ata?

Absolutisht që nuk ka asgjë të vërtetë në atë që ka deklaruar presidenti Gjici, që unë kam kërkuar milionat, sepse në të vërtetë unë nuk kam kërkuar asgjë, vetëm kam dëgjuar atë që më është ofruar për punën e bërë dhe për sezonin e ri.

Sipas jush, nuk ishte e mjaftueshme oferta e presidentit Gjici?

Presidentin Gjici e kam falënderuar atëherë dhe e falënderoj dhe tani që më bëri të mundur që ta filloj karrierën në një klub të madh si Kukësi, por unë asnjëherë më parë gjatë gjithë karrierës sime shumë të gjatë si profesionist në futbollin europian, nuk jam ndier më i pavlerësuar për punën time në kontratën që m'u ofrua dhe për këtë gjë i hapa rrugën dikujt tjetër.

Nëse mund të na i thoni shifrat...

E kam nisur punën te Kukësi pa kërkuar dhe marrë asnjë lek, deri ditën që ngritëm trofeun e Kupës, megjithëse m'u premtuan 1.5 milionë lekë të vjetër në muaj. Si shpërblim për realizimin e objektivave, vendi i tretë dhe mbi të gjitha fitimi i Kupës së Shqipërisë, për muajt nga janari deri në maj jam paguar me këtë shumë.

duro

Ndërsa për kontratën e re m'u ofruan tre milionë lekë të vjetër. Me këtë rrogë, Kukësi me keqardhje mund të kërkonte dhe gjente çdo trajner tjetër, por jo mua. Si mundesha unë të drejtoja një ekip kampion dhe një ekip që synonte të hynte në grupet e Europa Ligës ku rroga ime ishte e barabartë me atë të një futbollisti normal, apo me atë të një trajneri të dytë apo përgatitësi atletik?!

Ka pasur faktorë të tjerë që kanë ndikuar në vendimin tuaj?

Sigurisht që po. Eksperienca ime në futboll dhe ajo në drejtim kërkon që të kem në stafin tim njerëz profesionistë, nga fusha e futbollit ashtu siç edhe unë jam. Por, te Kukësi mendonin që më shumë të emëronin drejtorë, sesa të merrnin punëtorë.

Gjatë kësaj periudhe keni qenë aktivë në rrjetet sociale, ku keni shfaqur dashurinë tuaj për lojtarët dhe skuadrën. Jeni bërë pishman që nuk e pranuat ofertën e presidentit Gjici?

Nuk ka qenë një vendim i lehtë për mua që të ndahesha nga një grup shumë i mirë futbollistësh dhe nga një president që kërkon gjithmonë të fitojë, por ka qenë një vendim i mirëmenduar, nga rrethanat dhe nga gjithçka që mua më rrethonte, sepse që të arrish rezultate maksimale duhet që trajneri dhe presidenti të merren vesh shumë mirë me njëri-tjetrin.

Ndoshta ndarja me Gjicin erdhi për shkak se ato ditë në klub u emërua drejtor Dritan Dervishi?

Nuk më bënte përshtypje se do ishte në klub një drejtor më shumë, aq më tepër këtë nuk e njihja fare.

duro

Pse nuk mund të ketë drejtorë në klub, sipas jush?

Po, absolutisht që po, dhe normalisht që këto i vendos presidenti se klubi është i tij, por duhet që dhe drejtorët të jenë të qartë dhe të dinë se kë dhe çfarë drejtojnë në klub. Në një klub profesionist, ashtu siç emërohen trajnerët apo siç merren edhe futbollistët nga e shkuara e tyre dhe ajo çfarë i kanë dhënë e përfaqësojnë në futboll, kam mendimin që dhe drejtorët duhen të kenë dhënë prova që dinë të drejtojnë dhe të fitojnë trofe.

Flitej edhe për një luftë të brendshme ndaj jush në klub. Ka pasur sulme apo ka keqdashje karshi jush nga pjesëtarë të stafit të Kukësit?

Nuk më kanë bërë përshtypje, pasi unë kam punuar në grup për shumë vite, por gjithkush zgjedh rrugën e vet. Unë si njeri krijoj marrëdhënie shumë të mira e profesionale dhe jam i lirshëm e nuk vuaj nga shenja inferioriteti, por bashkëpunoj me këdo i madh apo i vogël, por kam qenë i përqendruar vetëm të arrij suksese. Ka pasur dashakeqësi, por që unë marrëdhëniet reale i kisha me futbollistët dhe me fushën e blertë, ku puna jonë u konkretizua me trofe.

A kanë dashur këta persona që, në njëfarë mënyre, ju të dështonit dhe pse ka ndodhur kjo?

Nuk e di se çfarë kanë dashur dhe çfarë mendojnë të tjerët sepse unë shikoja vetëm punën time pa i hyrë në hak askujt, sepse nuk kam pasur kohë të tepërt për të shpenzuar.

Keni një koment për largimin e Malotës, Lladrovcit, Flores, apo dhe Micit me dëshirën e tij?

Të gjithë këta futbollistë, por dhe të tjerë si Lima, Birungueta, Morina, Mone, Ferraj apo Moreira kanë dhënë kontributin e tyre në sezonin që u mbyll për fitimin e Kupës.

Por nuk diskutohet që Malota si kapiten, Mici si një nga futbollistët më të mirë në rolin e tij, Flores si nga të huajt e rrallë që kanë luajtur në Shqipëri dhe Lladrovci si një profesionist është e pamendueshme që nuk janë më pjesë e Kukësit, sepse çdo ekip do të dëshironte t'i kishte pjesë të tyre.

Mendoni se fatet tuaja një ditë mund të ribashkohen dhe të jeni sërish trajner i Kukësit për të sjellë të tjerë trofe?

Karrierën time si trajner e nisa te Kukësi dhe e nisa në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar trofeun e parë për klubin, kështu që Kukësi është pjesë e pandarë e imja.

Tifozët shpesh kanë shprehur në rrjetet sociale mbështetjen për rikthimin tuaj te Kukësi. Keni një mesazh për ta?

tifoze kukesi

Ruaj dhe nuk do të më shuhet kurrë respekti i veçantë për tifozët e Kukësit dhe të gjithë kuksianët.

Si do të jetë gara këtë sezon në Superiore?

Një garë e fortë, ashtu siç ka qenë në këto kampionatet e fundit, por sigurisht që do të ndihesha shumë mirë që ta shikoja Kukësin kampion në këtë kampionat.

Do ta shohim Duron ulur në një pankinë së shpejti?

Kam pasur bisedime dhe oferta nga jashtë, por dhe nga kampionati shqiptar për të vijuar karrierën si trajner, por nuk dua të nxitohem, pasi kam kohën e mjaftueshme për të bërë zgjedhjen e duhur në momentin e duhur. Por, sigurisht që unë jam i ri, kam vullnetin dhe energjitë për të trajnuar e fituar trofe të tjerë.

SKERDILAID SULOZEQI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama